E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, shtet i unitetit kombëtar e i pandashëm

Gazeta Shqip

(Neni 1 i Kushtetutës)

Prof. Arben Puto

Gjithë historia e Lëvizjes kombëtare shqiptare ka në themel unitetin kombëtar, bashkimin e gjithë pjesëve të kombit si një trup i vetëm e i pandarë.

Rrethana të caktuara gjatë zhvillimit historik, aq më tepër nën sundimin shekullor turk, kanë krijuar dallime specifike. Është fjala për dallime të natyrës fetare mandej edhe krahinore, zakonore e dialektore. Dallime, por jo ndarje. Tekefundit nuk është një fenomen ekskluzivisht shqiptar.

Pa shkuar thellë në të kaluarën Rilindja e ka thënë qartë fjalën e saj.

Personalitetet e elitës shqiptare, korifenjtë e mendimit politik të shek. XIX në veprën e tyre kishin si parim bazë unitetin e kombit.

Për Vaso Pashën emri kolektiv Shqiptarë shprehte një unitet territorial, një territor të përbashkët që shkonte nga Kosova në veri, deri në kufirin e jugut me Greqinë. Emri kolektiv Shqiptarë shprehte edhe një kohezion organik midis tyre që do të thotë se ata e identifikonin veten me atë emër të përbashkët dhe jo me përkatësinë fetare. Është e njohur fjala e Vaso Pashës që ka përshkuar procesin e zgjimit kombëtar feja e shqiptarit është shqiptaria.

Vëllezërit Frashëri janë zëdhënës të palëkundur të kësaj ideje. Për Samiun të gjithë banorët e Shqipërisë të ndarë gjeografikisht nga lumi Shkumbin, në veri gegë dhe në jug toskë, janë thjesht shqiptarë. Nuk ka ndryshime radikale midis gegëve e toskëve. Të gjithë bashkë janë një komb, flasin të njëjtën gjuhë me nuanca të lehta, që do të shuhen me ndërtimin e gjuhës së njësuar. Veriu dhe jugu janë pjesë organike të një trupi të vetëm.

Në poemat e tij, Naimi bënte thirrje që shqiptarët ta ndiejnë veten vëllezër, nuk duhet të ndahen sipas fesë, sepse Zoti është një e i vetëm për të gjitha fetë, se gegë e toskë janë vetëm emra krahinorë, ku vëllezërit flasin gjuhën e tyre.

Vargjet që ka shkruar Ndre Mjeda në vitin 1892 janë një himn për unitetin e kombit dhe mallkim për mohimin e tij.

Geg e Toskë, Malci, jallia

Jan nji komb, mu da sduron:

Fund e maja nji â Shqypnia,

E nji gjuh tgjith na bashkon

Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime

Ndër kta vllazën shoq me shoq:

Kush e dan me flak e shkrime

Ça natyra vet përpoq.

Përgjithësisht, në periudhën historike të parapërgatitjes së Pavarësisë, veçanërisht prej gjysmës së dytë të shek. XIX për mendjet e emancipuara kombi shqiptar si koncept ngrihej mbi vlerat fetare dhe dallimet krahinore. Nuk ishte e rastit që pikërisht në prag të zhvillimeve të shekullit të ri ata argumentonin unitetin e pjesëve.

Një rol të dorës së parë luan shtypi i kohës. Revistat e gazetat në fillimet e shekullit XX janë një tribunë e këtij mendimi emancipues. Të marrim si shembull Albaninë e F.Konicës (1897-1909) në Bruksel pastaj në Londër, Kombin e Sotir Pecit në Boston, SHBA, Dritën e Shahin Kolonjës në Sofje. Të gjitha këto botime e të tjera përhapnin vlerat e kulturës te shqiptarët, trajtonin problemet e mëdha kombëtare të kohës, si alfabeti e shkollat shqipe. Pa lënë në heshtje dallimet, ato e vinin theksin tek ekzistenca e një Shqipërie, si komb i vetëm. Albania e F.Konicës pasqyronte unitetin e kombit edhe nëpërmjet shkrimeve të autorëve. Faqet e revistës janë të hapura për autorët pa dallime, qofshin myslimanë, ortodoksë apo katolikë nga veriu e jugu, madje edhe nga diaspora. Ngjarjet e mëdha në historinë shqiptare nuk tregojnë asgjë tjetër veç përfshirjes së kombit në tërësi në ato ngjarje.

Historia shqiptare e shekullit XIX dominohet nga Lidhja e Prizrenit që mbush 134 vjet në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Ajo nuk është një ngjarje krahinore, ajo nuk i përket një cepi të një treve. Ajo shënon një shkallë më të lartë të zgjimit kombëtar në të gjithë hapësirën shqiptare. Ajo nuk është e gegëve, as doemos e toskëve. Ajo është e të gjithëve. Në krye të saj janë krah për krah Ymer Prizreni, drejtues i veprimtarisë ekzekutive dhe Abdyl Frashëri, i ardhur nga larg për të drejtuar Punët e Jashtme; së bashku janë, Ali Pashë Gucia, Hodo, Sokoli, Nuri M. Vlora, M. Vrioni.

Në mbyllje të shek. XIX dhe në hapje të shek. XX vjen Lidhja e dytë, ajo e Pejës e viteve 1899-1900. Organizatë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare që veproi në gjurmët e Lidhjes së Prizrenit. E filluar kryesisht në qendrat e Kosovës, ajo u përhap edhe në krahina të tjera: Shkodra, Ohri, Elbasani, Manastiri, Korça, Tirana, Berati etj.

Të dy Lidhjet shënojnë një etapë të avancuar, shprehje autentike e një lëvizjeje kombëtare unike kompakte nga veriu në jug. Ajo do të ndërhyjë si një faktor me vetë në kombinacionet politike të së ardhmes në Ballkan, veçanërisht në vështrim të rënies së Perandorisë Osmane. Procesi është tanimë i pandalshëm. Një pështjellim i madh përfshin Perandorinë. Në literaturën e huaj, përgjithësisht kur trajtohen kryengritjet antiturke, theksohet se në asnjë pjesë tjetër të Perandorisë gjendja nuk ka qenë më e ndezur sesa në skajin perëndimor, në viset shqiptare (Autori amerikan E.C. Helmreich në veprën mbi diplomacinë e luftës ballkanike 1912-1913). Kryengritjet në Malësinë e Madhe ndjekin njëra-tjetrën 1910-1912. I. Qemali vjen në ato vise në qershor 1911 së bashku me Luigj Gurakuqin dhe hartojnë memorandumin e njohur të Greçes që i drejtohet qeverisë turke edhe Fuqive me kërkesën për autonominë territoriale e administrative, për bashkimin e trevave me popullsi shqiptare.

Do të vijë Pavarësia. Në vizionin e themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar koncepti bazë është gjithmonë një fat historik i përbashkët i shqiptarëve jug e veri, veri e jug. Gjithë veprimtaria e I. Qemalit, kur i kushtohet Pavarësisë, përshkohet tej e mbanë nga kjo ide. Ai e ka zgjedhur partnerin. Ai e nis epopenë duke pasur në krah të pandarë Luigj Gurakuqin një ndër protagonistët e spikatur të veprës së madhe. Pranë tij është edhe Hasan Prishtina në kohën e kryengritjeve në trevat veriore në prag të shpalljes së Pavarësisë.

Më 18 nëntor përfaqësuesve të Fuqive në Stamboll u dorëzohet një thirrje. Ajo mban firmat e Vaso Pashë Shkodranit, Dervish Himës, Fuat Dibrës, Sulejman Delvinës, Filip Nogës.

Ideja e fatit të përbashkët gjen mishërim të plotë në Kuvendin e Vlorës. I. Qemali jep porosi për pjesëmarrje sa më të gjerë me përfaqësues nga të gjitha trevat. Lef Nosi me dokumentet e mbledhura tregon se qëllimi ishte që mbledhja të kishte një karakter sa më përfaqësues të të gjitha krahinave.

Vetë vendimi i 28 nëntorit 1912 është një dëshmi e qartë. Teksti hartohet nga dora e Luigj Gurakuqit që e shpall Shqipërinë më vehte, të lirë e të mosvarme. Vijon një listë firmash nga 40 burra nga jugu e veriu të gjithë të bashkuar për një qëllim.

Një gjest me kuptim të thellë është edhe ardhja e I. Boletinit në Vlorë. Për I. Qemalin është një simbol, me të vjen në Vlorë Kosova, vijnë gjithë viset veriore që kërcënohen nga planet që po bëhen për copëtim. Kush është I. Boletini, a është i shkolluar, politikan me përvojë apo bajraktar. Nuk ka rëndësi. I. Qemali e merr me vete në delegacionin shqiptar që shkon në Londër.

Qeveria që del nga Kuvendi i Vlorës është qeveri e unitetit kombëtar. I. Qemali i përmbahet gjithnjë parimit gjithëpërfshirës kombëtar. Ai vetë është në krye, nënkryetar është Dom Nikollë Kaçorri. Në përbërje janë ministrat që vijnë nga çdo anë më shumë nga veriu sesa nga jugu. Në historinë e Pavarësisë është edhe një kapitull që trajton debatin midis Qeverisë së Përkohshme dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) organ i Fuqive që do të imponohet si një pushtet suprem. Ia vlen të lexohet. Ës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›