E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria sot vendos. Mbi 3 milionë qytetarët votojnë për Parlamentin e ri

votoTiranë- Që prej orës 7 të mëngjesit të sotëm ka nisur zyrtarisht procesi i votimit për Parlamentin e ardhshëm shqiptar.

Nga njoftimet e para mësohet se ka patur ndërprerje të këtij procesi në dy ZAZ-të e Korçës për shkak të afërsisë së posterave elektorale dhe në Dibër, për shkak të mos paraqitjes së komisionerëve të Partisë Republikane.

Ndërsa në Kavajë nuk ka nisur ende votimi në 5 Qendra Votimi, pasi në dy prej tyre mungojnë vulat e sigurisë ndërsa tek të tjerat pritet zëvendësimi i komisionerëve të Partisë Republikane. Nga qyteti i Bulqizës raportohet se në Qendrën e Votimit 1042 materialet janë pa procesverbale. Në komunën Baz ka më pak fletë votimi se sa zgjedhës. Në Elbasan, në dy QV mungojnë materialet zgjedhore. Ndërsa në Durrës, një qendër votimi në lagjen numer 8 ende nuk është hapur votimi pasi mungon boja dhe procesverbalet.

Ndërsa në dy pikat kufitare të Kakavijës dhe në Kapshticës raportohet edhe dyndje emigrantësh të cilët vijnë për të votuar.

Ka qenë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ajo që ka çelur zyrtarisht procesin e votimit teksa rreth orës 07:12 i është drejtuar qendrës së votimit nr. 18251 tek Akademia e Arteve, ku edhe ka hedhur votën e saj.

Në një prononcim të shkrutër pas votimit, zonja Lleshi i është drejtuar të gjithë komisionerëve në të gjithë vendin që sot të qëndrojnë larg ndikimeve politike dhe të zbatojn ë Kodin Zgjedhor. Ndërsa apeloi edhe një herë qytetarëve që të votojnë pasi siç tha Lleshi, KQZ-ja ka këtë moto: ‘Vota jote vlen. Voto!’, tha Lleshi.

Bazuar në statistikat e Ministrisë së Brendshme këtë vit pritet të votojnë 3 milionë e 271 mijë e 956 zgjedhës. Siç vihet re numër ky më i lartë se popullsia e regjistruar nga censusi 2011 prej rreth 2 milion e 831 mijë shtetas, ku përfshihen edha ata nën moshën e votimit. Sepse janë të regjistruar edhe emigrantët që jetojnë jashtë vendit e që janë kthyer për të votuar.

Vendi është i ndarë në 12 qarqe ndërsa janë regjistruar si subjekte elektorale 66 parti dhe dy subjekte të pavarur. Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë.

Ky është procesi zgjedhor më i vëzhguar nga ndërkombëtarët. Ka 8 mijë monitorues vendas dhe 1 mijë të huaj në vendin e ndarë me 12 qarqe. Zgjedhjet e së dielës janë parë nga faktori ndërkombëtar si testi i Shqipërisë për rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›