Videot e Artan Kristos, ende në përdorim
Videot me thirrjet për xhihad, të cilat çuan në pranga klerikun mysliman, Artan Kristo, vazhdojnë të qarkullojnë në internet, ndonëse është kërkuar bllokimi i tyre. Ishte prokurori i çështjes, Edmond Koloshi, ai që e deklaroi këtë në sallën e gjyqit gjatë seancës së dytë gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Artan Kristo.
ProcesiKa nisur me shtyrje procesi gjyqësor në ngarkim të Kristos, i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullah Al Albani. Edhe seanca e dytë e këtij procesi që u zhvillua mesditën e djeshme në gjykatën e shkallës së parë të rrethit Durrës është shtyrë. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kastriot Selita vendosi të marrë kohë në dispozicion për të shqyrtuar pretendimet e të dyja palëve në lidhje me kërkesën për pavlefshmëri të akteve procedurale të hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës. Në seancën e djeshme, akuza ka kërkuar nga gjykata mospranimin e kërkesës së bërë nga avokati mbrojtës i klerikut mysliman si të pabazuar dhe të bërë jashtë kufirit kohor të përcaktuar në ligj. Artan Kristo u arrestua vjeshtën e kaluar dhe akuzohet për propagandë me qëllime terroriste përmes përdorimit të mjeteve të komunikimit masiv, siç është interneti.
Pala mbrojtëseMbrojtja pretendon se Prokuroria e Tiranës nuk e ka kompetencën tokësore për hetimin e klientit të saj dhe për këtë ia përcolli çështjen organit të akuzës durrsake, e cila e ka bazuar hetimin kryesisht në veprimet hetimore të bëra nga prokuroria e kryeqytetit. Ndonëse ky fakt nuk është kundërshtuar më parë nga mbrojtja dhe i pandehuri, ndryshimi i avokatit i ka dhënë një tjetër drejtim procesit të gjykimit dhe provave mbi të cilat mbështetet akuza. Salla e gjyqit ka qenë e mbushur plot e përplot nga shokë në besim të Kristos, si dhe familjarë të tij. Ai u arrestua nga shërbimet policore mbi bazën e një kallëzimi penal të bërë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, kallëzim që bazohet në dy video të tij të publikuar në sitin youtube me temë “Ka xhihad në botën islame sot?”. Fjalimet që publikohen në internet janë mbajtur gjatë predikimeve të Kristos para besimtarëve. Transferimi i dosjes së Kristos nga Tirana në Durrës u bë disa ditë pas arrestimit për moskompetencë tokësore, po ndërkohë shumica e akteve të ekspertimit dhe veprimeve hetimore ishin kryer nga organi i akuzës së kryeqytetit, i cili e akuzoi Kriston për veprën penale të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, të parashikuar nga neni 232/2 i Kodit Penal.
#