Shqipëria turistike, Rama për “La Stampa”: Kjo verë përtej pritshmërive, por turizmi me kosto të ulët s’do zgjasë

Vendi ynë po përjeton një bum turistësh këtë vit, e ndërsa jemi në pikun e sezonit, aeroporti i kryeqytetit nuk fle kurrë.
200 fluturime zbarkohen mes ditës dhe natës pa llogaritur transportin tokësor apo detar, ndërsa kryeministri Edi Rama ka treguar për median italiane “La Stampa” edhe synimet për të ardhmen e këtij sektori.
Teksa pranon shifrat entuziaste të turistëve në Shqipëri, Rama thekson se megjithatë duhet bërë kujdes për të ardhmen, sepse turizmi masiv mund “të lërë pas ekopërbindësha dhe katastrofa mjedisore”.
“Kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur një rritje me 35% të turistëve, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni. Kur fillova punën si kryeministër, në vitin 2013, aeroporti i Tiranës trajtonte maksimumi 350.000 kalime në vit. Tani mbi 6,5 milionë. Për tre apo katër vjet më në fund ka pasur një ndryshim imazhi. Deri pak vite më parë, ne vuanim nga paragjykimi i krijuar në vitet 1990, të të qenit gjeneralisht kriminelë, mafiozë, emigrantë të varfër që ëndërrojnë ‘Lamericën’, siç thoshte Gianni Amelio.
Sot vijnë turistët dhe përzihen me dëshirë me njerëzit tanë. Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por kujdes: nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Mbërritjet masive, vetëm kostoja e ulët mund të shkatërrojë të ardhmen dhe të lërë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore,” thotë Rama për “La Stampa”.
Shqipëria është bërë “kryefjalë” e turistëve këtë vit jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për pushime me kosto të ulët. Megjithatë, kryeministri Rama paralajmëron se kjo nuk do të zgjasë edhe për shumë kohë.
“Ne kemi barazuar Greqinë dhe sapo kemi kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë. E pabesueshme, por ne kemi punuar shumë për të në këto vite të Rilindjes Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të balancuar dhe gjithnjë e më të nivelit të lartë. Duhen tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar me të mëdhenjtë. Unë them se jemi një tokë e pasur nga pikëpamja natyraliste, nga deti në mal. Ne kemi vende nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Vizioni i Shqipërisë 2030 ka si objektiv kyç turizmin, por ne nuk duam të biem në grackën e mjaltit: numrat e sotëm mund të mashtrojnë brezat e ardhshëm. Turizmi masiv nuk është i qëndrueshëm për mjedisin. Duhet ekuilibër për të mbrojtur natyrën. Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet,” thotë Rama.
/rtsh.al/