“Shqipëria, vend modern dhe me përparim të shpejtë”

Presidenti Nishani, takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së
Takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, përmbylli dhe vizitën e Presidentit Nishani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm e përgëzoi Presidentin Nishani për zgjedhjen e tij në krye të shtetit dhe shprehu vlerësime për kontributin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë të veçantë për angazhimin konkret të saj në procesin e reformës së OKB-së. Ban Ki Moon e përgëzoi Presidentin për organizimin e suksesshëm në Tiranë të Konferencës mbi procesin “Një OKB” dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit dinamik të Shqipërisë në këtë proces. Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Moon vlerësoi zhvillimet në Shqipëri duke e cilësuar vendin modern dhe me përparim të shpejtë.
Ban Ki Moon e falënderoi Presidentin Nishani për rolin moderues që Shqipëria luan në rajon dhe e inkurajoi të vazhdojë në këtë drejtim.
Presidenti i Republikës e uroi Sekretarin e Përgjithshëm për mandatin e dytë në detyrë dhe e siguroi për mbështetjen e pa rezervë të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit vlerësoi lart mënyrën me të cilën Sekretari i Përgjithshëm drejton organizatën universale dhe rolin e veçantë që ai ka luajtur në disa nga çështjet më të rëndësishme të agjendës ndërkombëtare, si lufta kundër varfërisë, mbështetja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe barazia gjinore.
Presidenti Nishani vlerësoi qëndrimin koherent të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi zhvillimet në rajon, paqen dhe sigurinë atje dhe në mënyrë të veçantë të gjitha aspektet që lidhen me Kosovën.
Presidenti i Republikës e ftoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për një vizitë në Shqipëri.