E Shtunë, 31 Tetor 2026

100-vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit

29-09-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Përse e vrau Enveri shoqen e klasës?

Sabiha Kasimatit do t’i kujtohet emri në festën e 100-vjetorit të Pavarësisë, që përkon me 100-vjetorin e lindjes së saj. Ajo lindi në vitin 1912, por nuk jetoi as 40 vjet. Vdekja e saj e parakohshme i erdhi nga një sëmundje e llojit të veçantë: Nga komunizmi. Dhe nga një person që kishte ngritur dorën i pari në Byronë Politike për ekzekutimin e një gruaje, në grupin e 22 intelektualëve që u vranë më 26 shkurt të vitit 1951. Ky njeri që u bë simboli i terrorit politik në vendin tonë, vrasësi i Sabihasë, ishte Enver Hoxha, dora vetë.  Sabihaja ishte e vetmja femër në të ekzekutuarit pa gjyq, që u varrosën, me duart nën pranga, pak përtej urës së Beshirit, në një fushë djerr,  në të djathtë të rrugës Tiranë-Vorë. Ishte një fatkeqësi të ishe i njohuri i Enver Hoxhës, qysh në kohën e rinisë së hershme, palé në kohën e politikës së ashpër kur, në disa raste, ia kaloi edhe Stalinit, në rastin e figurave që i bënin hije. Orxhinikixe adhurohej nga bashkëshortja Nadjezhda e Stalinit e cila  punonte pranë tij, në Komisionin e Planit të Shtetit, kur Svjetllana e vogël e quante xhaxhi dhe ishte tërë qejf kur xhaxhi e mbante në prehër në daçën Kuznecovo pranë Kremlinit.  Por tirani i Kremlinit e detyroi të vriste veten, me kushtin që do t’i bëhej një varrim ceremonial, për fajin e botimit nga Orxhonikixe të një ditari të lëvizjes revolucionare kaukaziane, në të cilin nuk e kishte lavdëruar Stalinin për aq sa do të dëshironte ai, i kapluar nga kulti i individit. Kirovi  dihet se u vra në Leningrad nga Nikolajevi, një agjent i Stalinit, nga xhelozia e këtij  se popullariteti i udhëheqësit të një zone tepër të rëndësishme të B.S., siç ishte Leningradi, ishte bërë shqetësues për Sekretarin e Përgjithshëm të P.K. të BRSS-së. Kuibishevi, që është edhe emri i një qyteti të rëndësishëm sovjetik, e humbi jetën në një operacion të thjeshtë mjekësor, në pargjasím me vdekjen e Tuk Jakovës në vendin tonë. E kështu, me gjyqe si ato të Vishinskit, kur të pandehurit ishin tortuaruar  gjer në atë farë feje, sa të vetëshpalleshin tradhtarë, terroristë, komplotistë e ku të di unë, vetëm që të shpëtonin nga ai ferr hetuesie.
Enveri, e thamë se, qysh pa i hyrë thellë politikës aktive, ishte i ethshëm që të dilte kurdoherë në pah, ndaj të tjerëve, jo për intelektin e tij mediokër, por për një ambicie të shfrenuar qysh në periudhën studentore. Bashkënxënësi i tij Selman Riza, ndonëse modest, i bënte hije édhe si student. Ishte asi i Liceut të Korçës. I shkëlqyer në lëndët humanitare, gjuhëtari i ardhshëm, njohësi i gjuhëve klasike dhe moderne (thuhet se ishte një numër rekord i 22 gjuhëve!), S. Riza ishte edhe një matematicien me medalje nga Liceu francez, që e bënin të pakrahasueshëm me një nxënës si Enveri, që mezi kalonte e, megjithatë, i doli bursa për ndjekjen e Universitetit në shkencat e biologjisë, në Monpelié.  Do të largoheshim shumë nga tema jonë, po të tregonim sesi ishte ecuria e studimeve të tij në Francë, për të cilën ministri i Arsimit, personifikimi i ndershmërisë profesionale, Mirash Ivanaj, ia preu bursën. Meqë e përmendëm këtë ministër të shquar të Ahmet Zogut I, le të themi se, si antifashist, ai u arratis nga Shqipëria me rastin e pushtimit të 7 prillit të ’39-s, por erdhi  sërish në vendin-amë, në kohën e sundimit të Enverit. Ky, si hakmarrës patologjik, pas një pritje “me nderime”,  nuk  vonoi ta arrestonte, ta dënonte me akuza të sajuara dhe të jetësonte që të mos dilte i gjallë, duke vdekur në burg disa javë para afatit të “lirimit”. Që të përmendim edhe disa huqe të tjera si të Stalinit, mund të vihet në dukje qëndrimi ndaj antifashistit erudit Llazar Fundos, që kaloi një kohë të gjatë si i internuar në Ventotene të Italisë, ku gëzonte simpatinë e mjaft antifashistëve të shquar italianë. Vedat Kokona, që për njëfarë kohe banonte në një dhomë me Enverin, kur ishin studentë në Liceun francez të Korçës, e përshkruan Llazar Fundon me një mendjemprehtësí  dhe me një njohje të gjithanshme të veprave të artit, kur shkonin së bashku në Louvre-in e Parisit dhe kur dëgjonte interpretimin e veprave të jashtëzakonshme nga goja e Llazarit. Historiani Luan Dode, në “Kosova në qëndrimet e E. Hoxhës” (f. 268), ka dokumentuar me fac símile sentencën e tmerrshme të Enverit, drejtuar ushtrisë së komanduar nga R.Alia, për “t’i ardhur në ndihmë Titos, për çlirimin e Jugosllavisë” (!): “Të kapet dhe, pasi të torturohet, të vritet”! Llazari ishte luftëtar pranë Kryezinjve, që luftonin kundër pushtuesve. Fan Noli u tërbua nga zemërimi për këtë vrasje makabre. Fjalët e tij tërë  zemërim për flijimin e njeriut të cilin e çmonte tepër, e larguan përfundimisht nga iluzionet fillestare, kur Enveri e ftonte Fan Nolin të vinte në Shqipëri. Fjalët e Nolit: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të mëdhenj si Fundoja?”, janë të dokumentuara.  U. Butka, në “Ringjallje”, në f. 101-106 jep të dhëna për fjalën e fundit të Fundos. Të dhëna për këtë egërsi sadiste kemi edhe nga Amery.
***
Që të përligjet çka u tha më sipër, për vrasjen e Sabiha Kasimatit  me ndërhyrjen vetjake të Enver Hoxhës, mbase do të jepet përgjigjja e saktë për pyetjen:  përse duhej ekzekutuar pa gjyq një bashkënxënëse e Enverit në Liceun Kombëtar të Korçës? Natyrisht që do të bëjmë një digresion prej një dhjetëvjeçar e gjysmë më parë. Sabihaja ishte e vetmja femër në këtë shkollë franceze me emër, në Korçë. Ajo nuk e ndjeu veten ngushtë në këtë mjedis meshkujsh. Përkundrazi. Si një vajzë pa paragjykime, e zhdërvjellët, me një trup të përpjesëtimeve të admirueshme dhe me një pamje simpatike, ajo duket se tërhoqi vëmendjen e të gjithë shokëve të klasës, të cilët iu afruan si të tërhequr prej një force magnetike. Por edhe ajo vetë iu afrua në mënyrë të natyrshme të gjithë bashkënxënësve të saj, duke qenë edhe mjaft komunikative. Ishte çuditërisht e çiltër dhe e afrueshme me cilindo prej shokëve të klasës. Enveri, që e thamë sesa “i dhënë” ishte për mësimet, megjithatë ishte i vetëdijshëm se ishte i pashëm si fizik dhe i prirur që të dilte në pah. Për ta thënë me një fjalë  të vetme: ishte ekzibicionist. Por duket se Sabihaja, kishte nuhatje të fortë psikologjike për tipa të tillë që vuanin për protagonzëm. Dhe, ndonëse natyrë e afrueshme dhe me humor, e ndiente veten bash në ambientin e saj mashkullor, sikur të ishte edhe ajo vetë një djalë. Ndokush e quante si një çupë çapkëne. Ajo e merrte me shaká. Por Enverin duket se nuk e përtypte, në  agresivitetin e tij kur nuk e përfillnin. Dhe duket se ky e ndjeu veten keq kur, në teprimin e fjalëve të tij, shpesh pa kripë, i tha, me qesëndi: - Rregullo të folurit, o gagaç!”. Kjo fjalë kishte të bënte me një defekt në të folur të Enverit të ri, të cilit i mbahej goja, në atë kohë. Kjo mbase dëgjohet për herë të parë nga lexuesit. Por e kam saktësuar  nga shokë të Enverit, se ishin çuditur me fjalimet e tij, me një zë kumbues, - ç’është e vërteta, - por edhe pa atë mënyrë memece paksá, kur ishin shokë vegjëlie. Veçse sekretari i Komitetit qarkor të Elbasanit, kolonel Kadri Hoxha, e kishte takuar në Labinot, në një pyll të afërt, duke bërtitur me të madhe, sikur mbante fjalime. – “Iu afrova dhe i thashë se mos binte në sy për keq, apo  mos dukej sikur fliste me vete nga ndonjë kalimtar , me këta monologë” – u shpreh koloneli, që nuk arriti të bëhej gjeneral, mund të nënkuptohet përse. Por Enveri nuk e dha veten dhe i tha: - Shoku Kadri, né po marrim pushtetin dhe duhet të bëjmë stërvitje për fjalimet tona, -  ishte përgjigjja e Komandantit. Vetëm se Enveri i kishte vath në vesh këto lloj “fyerjesh”, si me kolonelin që s’u bë dot gjeneral, ashtu edhe me Sabiha Kasimatin, që s’i mbushi dot të 40 vitet e jetës së saj. Musine Kokalari, po ashtu, s’ia gëlltiste dot karakterin  e një zhigolóje tërë zhibla të këtij djali që s’ia mbushte syrin e një djaloshi serioz.. Sa për Ramize Gjebrenë, ajo u pushkatua më kot, jo për qëndrimin e saj ndaj Zahos, por për akuzën që i kishte bërë Mugosha se kishte marrë vesh përmes çimkash, që ajo ishte shprehur për Kosovën e pavarur. Sabihaja kishte mbaruar studimet në Torino me tituj vlerësues dhe i kishin ofruar katedra në universitete, por nuk i kishte pranuar ofertat se donte t’i shërbente vendit të saj. Fillimisht u emërua si shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtiologjinë, domethënë me shkencën që u kushtohet peshqve. Gjatë dhjetë viteve kërkimesh, ajo evidentoi të gjithë faunën ujore shqiptare. Ajo dha një kontribut të madh në ndarjet në taksonominë ihtiologjike në klasa, gjiní, lloje dhe nënlloje peshqish, duke përcaktuar ciklet biologjike të tyre, punime që gjejnë përdorim edhe sot. Ajo, në vend që të vlerësohej për punimet e saj shkencore të pazakonta, ndodhej përpara batakçinjsh të shkencës, plagjiarë, që ia përvetësonin pa pikë turpi studimet e saj. Dhe ishin pikërisht këta që merrnin tituj të pamerituar, duke qenë nërr në zbulimet e Sabihesë, të cilat i lexonin me mëk-mëk... (Sa për tituj të tillë pa djersë e pa erz, unë i kam të dokumentuar në njerëz që i njoh fort mirë, për njerëz hipokritë, shpërfillës të profesionit, dhe gjuajtës të njerëzve me ndikim, të cilët “i ndihmonin” këta plagjiarë  që paraqisnin si të tyret veprat e të tjerëve. Por s’është rasti këtu, për këto abuzime të kohës). “Më akuzoni si terroriste, por unë jam evolucioniste”, - kishte thënë Sabihaja në ato palo hetuesish, - pas të cilave vinte ekzekutimi pa gjyq. Gjyqi u zyrtarizua pas vrasjes së 22 njerëzve të pafajshëm, 21 burra dhe një femër.. Gjyqi i mëvonshëm, kërkonte të mbulonte një krim shtetëror. Por mashtrimi mënon, por nuk vonon. Ngutja për krimin pas bombës në Ambasadën Sovjetike, duhej të dëshmonte devocionin për perandorinë e kuqe të Stalinit, dy vjet para se ky të vdiste. Enveri vdiq pas 32 vitesh të tjera, por si një stalinist i vogël, por mizor sa ai. Gjashtë vjet pas bashkëshortit të saj, Nexhmija kërkon t’ia ngrejë sërish përmendoren e përmbysur nga uragani popullor, me anë të “historianëve” të saj që kërkojnë ringritjen e statujave të tij, meqë po i ngrihet shtatorja Ahmet Zogut I, që konsolidoi shtetin ligjor, pas Pavarësisë që shpalli Plaku i paharruar i Vlorës, Ismail Qemali. Për Sabiha Kasimatin u bë këto ditë një sesion përkujtimor shkencor, me nismën e Institutit të  studimeve e të Pasojave të krimeve komuniste. Pikërisht në 100-vjetorin përkujtimor të Pavarësisë, Sabihaja do të mbushte 100-vjetorin e lindjes. Në këtë kumtim përkujtimor për Sabihanë, dhanë kontributin e tyre historiani Uran Butka, intelektuali Uran Asllani, banuesja në qelí të përbashkët me Sabihanë, Didi Biçaku, si edhe mjaft dashamirë të së ekzekutuarës nga diktatura staliniste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›