E Diel, 1 Nëntor 2026

VENDIM PER DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1180, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TARIFËS SË SHËRBIMIT PËR LEGALIZIM DHE MBLEDHJEN E ADMINISTRIMIN E TË ARDHURAVE TË PROCESIT TË LEGALIZIMIT”

V E N D I M


PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1180, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TARIFËS SË SHËRBIMIT PËR LEGALIZIM DHE MBLEDHJEN E ADMINISTRIMIN E TË ARDHURAVE TË PROCESIT TË LEGALIZIMIT”


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4,  të nenit 32, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.1180, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1.4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1.4.  Brenda një muaji nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi, subjektet, që do të vazhdojnë procedurat e legalizimit të objekteve pa leje apo shtesave informale, në ndërtime me leje, do ta derdhin këtë pagesë në numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI.”.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2.  Subjektet, që kanë vetëdeklaruar jashtë afateve ligjore (në muajin e 3-të dhe të 4-t) të periudhës së vetëdeklarimit, së bashku me tarifën e shërbimit do të shlyejnë dhe sanksionet e parashikuara, për këtë qëllim, për llogari të ALUIZNI-t, duke iu referuar kohës së vetëdeklarimit dhe natyrës së ndërtimit informal (vilë, shtesë familjare, shtesë tregtare), të parashikuara në nenin 8, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Të ardhurat e mbledhura nga këto sanksione do të përdoren nga ALUIZNI së bashku me tarifën e shërbimit, në përputhje me përcaktimin e bërë në pikën 1.2, të këtij vendimi.”.

3. Pika 3.3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3.3.  Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me formularin e pagesës, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, ku ndodhet ndërtimi informal. Fondi, i krijuar nga pagesa e kësaj takse, do të përdoret për financimin e studimeve urbanistike, realizimin e tyre dhe përmirësimin e infrastrukturës së territoreve, që legalizohen.”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


03/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›