Shqipëria voton, në disa qendra ende s`ka vijuar votimi
Shqiptarët do t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri nga i cili do të dalë edhe qeveria e re.
Rreth 3.271.885 pritet të votojnë sot në qendrat e votimit të cilat janë hapur zyrtarisht në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00.
5508 QV do jenë të hapura për qytetarët dhe në përfundim të proçesit, do të nisë numërimi i votave në 89 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Beteja më e ashpër do jetë ajo mes 2 koalicioneve, Aleanca për Shqipërinë Europiane me 37 parti e udhëhequr nga PS dhe koalcioni i drejtuar nga PD Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim me 25 parti. Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi do të garojnë si subjekt politik më vete.
Shqipëtarët do të zgjedhin mes 66 subjekteve politike që janë renditur në fleten e votimit. Diferencë bëjnë 2 qarqe që do kenë 67 subjekte, kjo pasi në Vlorë kandidon si i pavarur Arben Malaj, ndërsa në qarkun e Fierit i pavarur garon Dritan Prifti.
I gjithë proçesi i sotëm, pritet të mbikqyret nga 8,153 vëzhgues të huaj dhe vendas. Rreth 8 mijë vëzhgues vendorë do të jenë syri i shqiptarëve në këto zgjedhje, nga të cilët 2,402 janë afatgjatë dhe 5,187 afatshkurtër.
Por edhe faktori ndërkombetar ka ngritur një ekip të tërë mbikqyrje me nje numer prej 564 vezhguesish, nga të cilët 140 afatgjatë, 424 afatshkurter .
Ambasadat e vendeve të Unionit Europian janë akredituar pranë KQZ-së për të qenë prezent fillimisht në qendrat votimi dhe më tej në qendrat e numërimit të votave. Mbikqyrje do ketë edhe nga Ambasadat e vendeve të Ballkanit, por numrin më të madh të vezhguesve e ka Ambasada amerikane, me 68 vëzhgues.
Përpos armatës së vezhguesve të OSBE-ODHIR, procesi do të vëzhgohet nga 23 vëzhgues të Asamblesë Parlamentare te Keshillit te Europës, me në krye Luca Volonte.
Një sy tjetër vezhguesish do jenë edhe gazetarët e mediave të huaja që kanë paraqitur një interes të madh për proçesin e sotëm zgjedhor.
Në disa qendra ende s`ka filluar puna
Edhe pse në shumicën e qendrave të votimit në të gjithë vendin qendrat e votimit janë hapur normalisht, në disa qytete të vendit, në disa qendra puna nuk ka filluar ende ose është ndërprerë.
07:15 Ndërkohë sipas informacioneve në terren nga gazetarët e Ora News, ende nuk ka filluar votimi në Qendrën e Votimit 2355 në shkollën 9-vjeçare “Abdyl Paralloi” në Elbasan, pasi mungon një komisioner.
Gjithashtu është ndërprerë procesi i votimit në Qendrën e Votimit tek teatri në Korçë, për shkak të posterave të subjekteve politike të vendosura pranë kësaj QV-je.
Edhe në qytetin e Fierit ende nuk ka filluar procesi i votimit në Qendrën e Votimit 2984, pasi mungon një komisioner i Partisë Republikane.
Fier, ende nuk ka nisur votimi në QV 3185 në Libofshë e cila është me 749 zgjedhës, pasi nuk është hapur baza materiale, pasi nuk ka qenë e plotë.
Fier, QV 32 05/1 në Kallm të madh nuk ka nisur ende procesi i votimit, pasi mungojnë komisionerët e PD dhe PR, kurse LSI nuk ka dërgfuar fare komisionern në QV me 572 zgjedhës
Fier, në QV 3154 në Radostinë me 753 zgjedhës, ende nuk ka nisur procesi i votimit, pasi ka patur probleme me bazën materiale zgjedhore.
Nuk ka filluar ende procesi i votmit në dy QV në Gramsh, në QV 2295 , kutia e votimit është e vulosur mbrapsht ndërsa në qendrën e votimit të fshatit Drizë në komunën Pishaj mungon procesverbali i komisionerëve.
Elbasan, nuk ka filluar procesi i votmit në QV pranë kopshtit “Ali Arapi” mungojnë komisionerët e PR-së dhe të LSI-së.