E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipja, 2700 fjalë të huazuara nga greqishtja

28/03/2012  2700 fjalë numërohen në fjalorin shqip të ’84-ës, të huazuara nga greqishtja. Por lëvizja e mijëra emigrantëve shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit, mendohet ta ketë dyfishuar këtë shifër.

Kjo është bërë e ditur në të parën konferencë shkencore për gjuhën dhe kulturën në studimet shqiptaro-greke të mbajtur në kuadër të aktiviteteve të Pranverës Greke në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Pikërisht për të pasur më të qartë ndërthurjet e shqipes me gjuhën helene, por jo vetëm, profesorë shqiptarë dhe grekë kanë propozuar shtrirjen e studimeve gjuhësore mbi emigrantët shqiptarë dhe minoritetin grek në Shqipëri. Kulinaria duket se është një nga fushat ku fjalët e huazuara janë më të shumta. Studiuesit shohin madje një trekëndësh kombinimi mes shqipes, osmanishtes dhe greqishtes. Megjithatë, gjuhëtarët e vjetër kanë kritikuar mënyrën e mbledhjes së informacionit në kohët e sotme, duke theksuar se dikur shkohej në krahina të ndryshme për të mbledhur fjalë e nuk bazohej gjithçka mbi internetin.

Edhe pse me një marrëdhënie disa shekullore, Shqipëria dhe Greqia ka zhvilluar për herë të parë një konferencë ndërkombëtare të studimeve gjuhësore e kulturore. Si pjesë e Pranverës të Kulturës Greke në Shqipëri, aktiviteti bashkoi akademikë shqiptarë, grekë, italianë, por edhe amerikanë. Për ambasadorin Nikolas Pazios, dialogu mes helenistëve dhe albanologëve, sjell analiza objektive dhe do të ndihmojë marrëdhëniet mes dy vendeve. Edhe për akademikun e gjuhëtarin Jorgo Bulo, shkenca dhe kumtesat serioze janë të vetmet që mund të ndërtojnë ura komunikimi, mes historisë së Greqisë e Shqipërisë. Kultura, folklori, gjuha e letërsia shqipe e greke, ishin temat kryesore të diskutimeve akademike edhe përgjatë ditës së diel, në Akademinë e Shkencave. Një seancë e posaçme iu kushtua edhe letërsisë së minoritetit etnik grek në Shqipëri, si dhe edukimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Fotografi për imazhin e shqiptarëve

Ndërkohë këto ditë në kuadër të pranverës kulturore greke është prezantuar kolana fotografike e Roland Tashos, “Imazhi i shqiptarëve nëpër botë”. Dhjetëra foto kanë pasqyruar jetën e shqiptarëve në vende të ndryshme të botës nga fillim vitet ‘90 e deri më sot. Pikë-takimet e personazheve me fotografin kanë qenë të ndryshme në Itali, Zvicër, Amerikë e së fundmi edhe në Greqi. Shtysa e Tashos për të publikuar këtë kolanë kanë qenë pikërisht e vërteta e shqiptarëve, të cilët janë integruar me dinjitet në vendet ku jetojnë e punojnë. Dikush në këto foto është mësues i gjuhës shqipe, dikush tjetër mjek, pjesa më e madhe studentë. Ky është vetëm një prej rrugëtimeve të shqiptarëve nëpër botë, për të cilën fotot flasin qartë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›