E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, ja kujt i hiqen

29/03/2012  Miratohet procedura si do të verifikohet marrja e tokës në pronësi

Mund të blihet 10 për qind e sipërfaqes së jashtëligjshme

Të gjithë qytetarët që kanë përfituar në mënyrë abuzive tokë si ish-anëtarë të kooperativave bujqësore apo si të ish-punonjës të fermave janë të detyruar ta kthejnë atë, por mund të përfitojnë duke blerë deri në 10 për qind të sipërfaqes së marrë në mënyrë të padrejtë. Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë ndryshimesh që i janë bërë projektligjit “Shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë”, ku ka qartësuar kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë, si dhe procedurën se kujt do t’i hiqen këto tituj. Sipas ndryshimeve të bëra kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara Komisioni Vendor i Verifikimit merr vendim për pavlefshmëri të plotë apo të pjesshme të titullit të pronësisë. Nëse pavlefshmëria e pjesshme vjen si shkak i mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka bujqësore është ende në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, përpara marrjes së vendimit për pavlefshmëri të pjesshme, sipërfaqja shtesë i ofrohet këtij subjekti përkundrejt pagesës, e cila llogaritet sipas hartës së vlerës së tokës së AKKP-së, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipërfaqja e ofruar nuk duhet të kalojë 10 për qind të sipërfaqes që i takon subjektit, referuar normës për frymë të fshatit. Në rast se sipërfaqja shtesë në AMTP e kalon 10 për qind të sipërfaqes që i takon dhe mbajtësi i titullit ka kryer pagesën për ligjërimin e titullit të ofruar, KV-ja merr vendim për pavlefshmëri, vetëm për sipërfaqen që është më tepër se 10%. Në rast se mbajtësi i titullit refuzon pagesën atëherë KV-ja merr vendim për pavlefshmëri. Procedurat e njoftimit dhe mënyra e pagesës së detyrimit financiar, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimet për pavlefshmëri të plotë apo të pjesshme kalojnë menjëherë në gjykatë për të bërë të mundur shfuqizimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi. Kur mbajtësi i parë i titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore, të lëshuar në kundërshtim me ligjin, nuk e posedon më tokën në mënyrë të plotë ose të pjesshme, si pasojë e një transaksioni apo shpronësimi për interes publik, detyrohet që, për sipërfaqen përkatëse të tokës së shitur, të kryejë pagesën e kësaj toke.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›