E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipja dhe Mesapishtja

Çështja e paraardhësit gjuhësor të shqipes gjithmonë ka qenë problematike. Sipas manualeve standarde, për gati një shekull, ka qenë i njohur një grup i vogël krahasimesh leksikore, në mënyrë eksplicite ose implicite, si dëshmi për lidhjet gjenetike të shqipes dhe iliro-mesapishtes. Por, këto shenja vërtet premtuese janë të pakta dhe jo pa vështirësi; për më tepër, kanë munguar dëshpërueshëm krahasimet e thella strukturore. Për më shumë, në shkallë të ndryshme, shumica e diskutimeve kanë qenë grindje nga injoranca e në injorancë. Me gjithë arritjet vërtet madhështore të Meyer-it për vendosjen e korrespondencave themelore indoevropiane të shqipes, vetëm me punën e Pedersen-it, në kapërcyell të shekullit dhe të Jokl-it në dhjetëvjeçarët e dytë dhe të tretë të këtij shekulli, njohuritë tona për zhvillimin e brendshëm dhe kronologjinë e shqipes u stërholluan aq sa për të lejuar gjykime vërtet të ndjeshme në këtë çështje. Si rezymim i kësaj faze të studimit, përmbledhja e mundimshme dhe shteruese e evidencave e Jokl-it në Eberts Reallexikon gjërat aq përpara sa mund të shpiheshin asokohe; pasi fuqia e Jokl-it, qëndron më shumë në talentin e tij për etimologji të imëta dhe eruditë, sesa për sinteza strukturale, është e kuptueshme që përfundimet e tij, edhe pse janë kompakte, të mbështetura në mënyrë solide, në të dhëna të shqyrtuara me kujdes dhe të arsyetuara në mënyrë admiruese, janë diçka komplekse dhe u mungon mprehtësia e dëshirueshme. Në mbrojtje të Jokl-it sidoqoftë, do të duhej thënë se ai nuk ishte person për të gjetur zgjidhje të thjeshta dhe monolite në kohën kur kompleksiteti i dëshmive diktonte ndryshe; në anën tjetër, ai e kishte virtytin për të thënë qartë se në ç’rrugë mendonte se shkonin dëshmitë, pavarësisht sa e mundimshme ishte ajo.

Mirëpo, duke pasur parasysh rritjen e ngadalshme, por të kënaqshme të zotërimit tonë të gramatikës historike të shqipes dhe kompleksitetin e personalitetit të Jokl-it si shkencëtar, pyetjeve tona lidhur me një të kuptuar të qartë të vendit të shqipes nuk po u vjen fundi. Mbetet ende për t’u bërë në fushën e përzgjedhjes dhe shqyrtimit të një korpusi eluziv të ilirishtes dhe të trakishtes. Edhe pse Jokl-i e përshëndeti me entuziazëm pajtueshmërinë e studimeve të tij të fundit me rrugëtimin e bërë në mënyrë të pavarur nga Krahe, nga parakalimi i gjatë i studimeve të mëvonshme nga Krahe dhe nga puna paksa spekulative e Decev-it është e qartë që përfundimi ishte dhe është larg për të qenë të arrirë. Më shumë se kaq, korpusi i dëshmuar i ilirishtes vjen pothuajse ekskluzivisht përmes kanaleve të sistemeve të tjera linguistike dhe, si çdo korpus onomastik, ka të bëjë me tekste fragmentare pa bilinguitet dhe pothuajse pa semantikë të sigurt, i kufizuar praktikisht në një formë klase të vetme kryesore (emra të vetmuar) dhe krejtësisht asintaktikë - është vendosur ashtu bruto një grumbull hipotezash të turbullta të lidhura përmes disa çiftesh të largëta shpresëdhënëse.

Në të vërtetë, në krahasim me këtë, dija përshkruese që kemi për etruskishten dhe likishten është gati enciklopedike! Po të ishte kjo mbështetja jonë e vetme, pozita jonë do të ishte krejtësisht dëshpëruese.

Ne kemi shpëtuar nga turpërimi i plotë falë një grumbulli të çmueshëm të të dhënave vërtet solide dhe të drejtpërdrejta – shkrimet mesapike, të mbështetura, në këmbim të kësaj, nga shpjegime shtesë dhe materiale onomastike. Nuk mund të ketë dyshime se mesapishtja dhe ilirishtja janë gjuhë simotra, edhe pse të ndara nga ndoshta një gjysmë mijëvjeçari divergjencash, dhe se në përgjithësi ajo që themi për mesapishten, mund të zbatohet ndoshta barabar edhe për ilirishten. Në këtë pikë janë të nevojshme dy kualifikime: (1) Për t’i bërë pohimet tona me kuptim të plotë, duhet të kuptojmë ilirishten të zbatuar vetëm në lindje të Adriatikut dhe në zonat e Dardanisë, ndoshta të shtrira në veri deri në Danub, dhe jo në një kuptim të gjerë të përshtatur nga studiues si Pokorny, dhe të kritikuara me të drejtë dhe e prerë nga Whatmaugh. Derisa problemi u trajtua sipërfaqësisht dhe në mënyrë spekulative nga Georgiev dhe Windekens, ajo që është përshkruar si “pellazgjishte” është zgjidhur, unë e konsideroj të rrezikshme, edhe pse jo shumë të dëmshme, me marrjen në konsideratë të elementëve nga zona historike greke për trajtimin e problemit të ilirishtes. Së këndejmi, cilësimi i parë është një këmbëngulje për përdorimin e ilirishtes në kuptimin më të kufizuar të praktikueshëm; rrjedhimisht, përveç rigorozitetit të kërkuar për ndjekjen e problemit të shqipe-ilirishtes, të dhënat relevante janë lënë të lira dhe pa përkujdesjen e duhur për një goditje pa paragjykim mbi problemet e vazhdueshme të përfshira në përshkrimet e pellazgjishtes, trakishtes, maqedonishtes, keltishtes dhe letonishtes (lidhur me ilirishten) etj,.

(2) Të përjashtohet venetishtja e përfshirë për një kohë të gjatë në diskutimet mesapo-ilire. Analizat e fundit kanë treguar se venetishtja pa asnjë fije dyshimi i takon familjes së italikishtes dhe, sipas mendimit të autorit të këtij shkrimi, gati me siguri nëngrupit latino-faliskan.

Mirëpo, qoftë edhe duke pasur parasysh gjendjen e atëhershme të gramatikës historike të shqipes, dhe duke pasur cilësimet e mësipërme, për një të kuptuar elegant, të mundshëm në atë kohë, sintezës së Jokl-it i mungonte një mjet i rëndësishëm: përshkrimet dhe korpusi i mesapishtes kishin nevojë të madhe për një ribotim të plotë, ndërsa paraqitja e tyre kishte nevojë për analizë gjithëpërfshirëse moderne dhe për kodifikim. Detajet e deriatëhershme, para së gjithash leksikore, të prejardhjes së shqipes kanë qenë të elaboruara, por nuk janë të avancuara korrespondencat e mëtejme themelore me ilirishten apo me trakishten, ndërsa aktiviteti është më i përqendruar në anën post-romake të “linguistique balcanique” të bilancit.

Në këtë sfond, ne tani mund të shkojmë drejt substancës së këtij shënimi të shkurtër, qëllimi i të cilit, mund të thuhet, se nuk është riorganizimi i thellë dhe i plotë dhe deklarimi i marrëdhënieve gjenetike të shqipes dhe (iliro-) mesapishtes! Jo vetëm që një pohim i tillë do të ishte paragjykues dhe qesharak në një hapësirë kaq të shkurtër; por përkundrazi ajo që duhet tash për tash, sipas mendimit të autorit të këtij shkrimi, nuk është rritja e vëllimit të shënimeve të imëta, por shtruarja e çështjeve kruciale dhe vendimtare, siç mund të shihen dhe të shkëputen nga grumbulli i hipotezave të shpërndara. Në të vërtetë, çështje si kjo është e mundur që në një punë mileniale linjat e jashtme të pikave të rimulueshme kruciale mund të kalohen në shqyrtim të ngjeshur, përpara se lexuesi të shkelë në prurjen e plotë të dëshmive të veçanta (jo sepse ky shënim modest hë për hë çohet arbitrarisht te statusi i asaj preambule të madhe kuintesenciale).

Ngjarjet e rëndësishme të çerekshekullit të fundit që kanë mundësuar këtë vëzhgimin të origjinave janë si vijon: në vijën e punës për diçka të parehatshme, edhe pse të vlefshme, të Ribezzo-s,në dekadën parashkuese tani e nxitur nga një pavarësi për pjesën më të madhe nga studimet e Ribezzo-s, baza e nevojitur për një kohë të gjatë dhe kodifikimi i filologjisë mesapike u dha në pjesët relevante të veprës PID të Whatmough dhe në artikujt e pastajmë. Ky ishte një hap monumental përpara dhe krejt veç nga prodhimi tjetër prodig i tij, vetvetiu do të siguronte një vend të qëndrueshëm në shkencën indoevropiane për njeriun, të cilit unë me krenari i bëj nderime. Shkurt, kemi një korpus edhe më të varur të mesapishtes. Së dyti, themelimi i fortë i teorisë laringale dhe përmirësimet bashkëkohore të teorisë së përgjithshme dhe të teknikës së përshkrimit të saktë dhe rindërtimit gjerësisht të njohur sot, si përshkrime të “gjuhësisë strukturale’ janë kombinuar së bashku, për të na dhënë mjetet e një niveli të ndjeshmërisë krejtësisht të re për të menaxhuar të dhënat tona. Së treti, të kuptuarit tonë të fenomeneve të shqipes (me gjithë pengesat e luftës) ka vazhduar të thellohet dhe të kodifikohet më tej, kryesisht përmes përpjekjeve të Jokl-it dhe të Tagliavini-t dhe së fundi përmes punës së Cimochowski-t lidhur me gegërishten veriore; këtyre njerëzve dhe punës së mëhershme të Pedersen-it, si dhe punës sime në terren në enklavat italiane dhe greke, ua detyroj nxitjen për përparimet që kam qenë në gjendje të bëj lidhur me studimet e gramatikës historike të shqipes. Së katërti, botimi i vonshëm i pasqyrës së Porzig-ut më liron nga nevoja e shqyrtimit më të hollësishëm dhe më të detajuar; edhe pse e lë çështjen e ilirishtes në raport me shqipen, ashtu siç e la edhe Jokl-i, ajo pasqyrë e përmbledh bindshëm gjendjen e tanishme të dijes së botuar. Së pesti, botimi i librit të ri të Krahe-s sjell së bashku në mënyrën më të mirë gjendjen e deriatëhershme të dijes së shpërndarë, ku ai kishte qenë pjesëmarrësi kryesor dhe kështu i kishte liruar punonjësit aktualë nga një detyrë e vështirë dhe pothuajse e pamundur e paraqitjes parapërgatitore.

Mbi këto baza, ne mund të vazhdojmë shqyrtimin e pikave kryesore.

1. Është sugjeruar se ilirët dhe trakasit ishin ose grupe gjuhësore me afri të ngushtë midis tyre, ose se ato ishin emra kryesisht të ndryshëm socio-politikë për të njëjtën njësi gjuhësore. Ky botëkuptim është përfaqësuar nga Vasmer-i, Jokl-i, Baric-i, Ribezzo-ja dhe Tagliavini. Ky është një varg imponues emrash, por teoria nuk shpjegon se përse na duket se shohim një dikotomi në onomastikën që del atje. Kjo çështje është lënë krejtësisht e hapur tash për tash; tash mund të thuhet se raporti ndërmjet shqipes dhe ilirishtes nuk është i atillë që të gjykojë të mbyllur afrinë e mëtejme ndërmjet ilirishtes dhe trakishtes, nëse kjo duhet të përdëshmohet në mënyrë konkluzive. Në anën tjetër, sa i përket zinxhirit gjenetik shqipe-iliro-trako-frigo-armenishte, të cilin ne mund të provojmë ta rindërtojmë, kam qenë në gjendje të gjej pak dëshmi pozitive nga dy anëtarët e fundit përtej fijeve të dobëta që ka synuar të sugjerojë Pedersen (KZ 36.340-341 [1900]).

Ndërkohë, sugjerimi për afri frigo-armene mbështet në pak më shumë sesa thashethemet e përmendura të lashtësisë 10, ndërsa gërmimet e reja në Gordion nuk kanë nxjerrë në dritë një material të ri për të shënuar; pamja tash për tash nuk është trimëruese. Mirëpo, ne mund të vazhdojmë në mënyrë të dobishme me ngushtimin e fokusit tonë.

2. Argumentet kryesore relevante që u paraqitën nga Porzig mund të përmblidhen si më poshtë. Ilirishtja mbahet (f. 131) të ketë lidhje të ngushta afrie me indoevropianishten perëndimore; më tej thuhet (f. 151) se është më ngushtë e lidhur me këtë njësi sesa me greqishten. Ndër të tjera, në vokabular, fjala burrë. gjerm. e vjetër e lartë gibur (o) thuhet se (f. 139) i takon "komponentes ilire të shqipes". Mirëpo, Porzig gjen dy gjëra të rëndësishme që duket se ndajnë shqipen dhe ilirishten. Ai thotë (f. 138 duke iu referuar 67), se shqipja e ka të përbashkët me keltishten zhvillimin e IE *r > ri, përderisa ilirishtja ka si refleks të saj "një zanore me ngjyrim të mbyllët"; kjo përmendet sërish në faqen 149. Në të njëjtën faqe pohohet se, përderisa shqipja është satem dhe për ilirishten pranohet se shfaq karakteristika centum, ajo nuk mund të jetë pasardhëse e ilirishtes.

Këto pika mund të komentohen shkurtazi: mungesa e lidhjeve posaçërisht të ngushta me greqishten është në pajtueshmëri me atë që dimë për shqipen. Dhe, përderisa grupimet e Porzig-ut përjashtojnë gjuhët balto-sllave nga indoevropianishtja perëndimore, gjetjet e tij për ilirishten janë në variacion me gjetjet e Jokl-it për shqipen dhe gjuhët balto-sllave; hulumtimi im vazhdon të numërojë edhe më shumë lidhje bindëse ndërmjet këtyre dy të fundit. Ndoshta janë thjesht tepër pak tipare të rindërtueshme të njohura për ilirishten për ta bërë të qëndrueshëm argumentin dialektor-gjeografik të Porzig-ut në këtë pikë; ne thjesht mund të bëhemi viktima të statistikave. Përderisa me siguri është e vërtetë që një refleks i IE *rnë shqipen është ri, pasqyra është shumë më komplekse se kaq, ndërsa refleksi në disa rrethime mund të jetë po ashtu ur; zhvillimi sosnanteve të tjera rrokjeformuese është edhe më i paqartë, më i errët. Argumenti satem-centum është shqyrtuar posaçërisht më poshtë. Shkurt, përderisa sinteza e Porzig-ut e përmbledh në mënyrë të përshtatshme për ne masën e madhe të materialit heterogjen dhe të shpërndarë, argumentet e ofruara kundër çiftëzimit të ilirishtes dhe shqipes nuk janë aspak të forta. Përfundimet e tij (f. 213-217), për më tepër, na lënë në baltë.

3. Duke përjashtuar afrinë e ilirishtes me shqipen, Porzig vëren (f. 149): "Mbetet pra vetëm leksiku". Kjo e bën atë që të theksojë shumë zëshëm se pavarësisht nga prejardhja gjenetike e shqipes, për shkak të pozitës së saj gjeografike, ne mund të presim shfaqjen e elementeve të ilirishtes në leksik, qoftë edhe vetëm si huazime. Kjo pajtohet me pohimet e Pulgram-it (For Ronian Jakobson 4141 [1956]), ashtu si me vërejtjet e tij lidhur me bazat për shtrirjen gjuhësore dhe klasifikimin e të dhënave rezultuese. Çfarëdo qoftë prejardhja e një elementi të veçantë leksikor, korrespondencat leksikore duhet t'i trajtojmë veç nga elementet strukturore, madje edhe nëse disa etimonë mund të ndodhë të jenë shembulli ynë i vetëm, mbase jo krejtësisht i pranuar, për tiparin e dhënë.

Pse Pri-zren dhe Pri-shtinë?!

Më 4 dhjetor të 2007-s, kohë kur në shtypshkronjë gjithçka kishte përfunduar, Hamp i dërgon një letër studiuesit Rexhep Ismajlit me shpresë se në studimin e tij “Gjuha shqipe” në fund të paragrafit për Historinë, mund të integrohej ky tekst:

“(Mund të themi) Për shkak se Pri-zreni (Recherches albanologiques2, 1985, 57-8) e Pri-shtinë (sot va), është e qartë se gjuha shqipe flitej në Kosovë qysh përpara se t’ia sillte Trajani popullit të Dakisë latinishten dhe shoqërinë e romakëve (G.B. Pellegrini Avviamento alla linguistika albanese, Rende, 1998, 200-1, 4, 5-9) me fjlaë të atilla si (Pellegrini 1998, 214-227) qytet, fshat, fqijn, mik, mbret, gjyq, shoq, sharrë, luftë, troftë, pemë, tërmet, e va. Për rolin etnografik, të emrit IE *prt-të shihet E. Hamp, Parasession, Chicago Linguistic Society 1982, 63-5”

Ky është nga rastet që tregon, ashtu si edhe dje në Tiranë, për mënyrën se si vetin tek Hamp fjala në rrënjën më të vjetër të shqipes, drejt ilirishtes, në pandërprerje zhvillimi, duke i ritrajtuar temat, duke dialoguar me to.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›