E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eric Hamp, indoevropiani i vetëm për shqipen në Tiranë

19/12/2008  Përdorimi i teknologjisë është thuajse tërësisht i huaj për të. Nuk përdor kompjuter dhe madje punët e tij preferon t’i sistemojë me shkrim dore. I vetëm në llojin e vet, Eric Hamp duket se i përket një tjetër kohe dhe hapësire, për më tepër nëse nuk ulesh për të biseduar shtruar me të.

Me bastun në dorë, mustaqet e gjata dhe të folurin shumë të ngadaltë, ngjan si një plak i moçëm (megjithëse ka shumë vjet mbi supe) që rrëfen për histori evropiane e ballkanike.

I pranishëm në simpoziumin shkencor ndërkombëtar të albanologjisë në Tiranë, Hamp është pa dyshim një ndër më të ftuarit më të veçantë e më me peshë të këtij aktiviteti.

Vepra e tij “Studime krahasuese për shqipen”, një grumbuj artikujsh të mbledhura dhe sistemuara nga Rexhep Ismajli, është prezantuar dhe konkurron për “Çmimin e albanologjisë” në sesionin e kërkimeve gjuhësore.

Edhe pse gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë objekt specifik për të, për 55 vjet me radhë ai ka sjellë kontribute të rëndësishme në këtë fushë dhe ka hapur për herë të parë një shteg në studimin e saj të gjerë.

I njohur si indoevropiani i vetëm që është ende gjallë, Hamp me punën e tij (për herë të parë në vitin 1953 botoi një artikull të shkurtër mbi gjuhën shqipe) ka sjellë të dhëna interesante dhe ka trajtuar tema mbi raportet midis protoshqipes, keltishtes, baltosllavishtes, sankristishtes dhe për fonologjinë historike.

Si amerikan, ai nuk mundi të vizitonte asnjëherë Shqipërinë para viteve 1990, por për Hamp shqipja ishte diçka që e joshte për ta mësuar. Kështu, mësoi të fliste dhe shkruante shqip. “Më parë as kisha dëgjuar për Shqipërinë, derisa gjatë Luftës së Dytë Botërore gjeta rastësisht në një librari në Nju-Jork një libër të Gustav Majer”, - thotë Hamp, ndërsa thekson se ky ishte ekspozimi i tij i parë ndaj Shqipërisë. Disa vjet më vonë ai do të mësonte shqip. “Fillova të mësoja kur isha në Filadelfia, Pensilvani, dhe pastaj e thellova më shumë studimin tim në Paris”, - vëren indoevropiani me të folurën e tij të qetë.

Në Paris ai ra në kontakt më të gjerë me studime ballkanike, të cilat e ndihmuan në kërkimet e veta. Ai kujton një sërë studimesh sistematike në linguistikën ballkanike, por veçanërisht të parin libër mbi këtë fushë, të shkruar në vitet ’30 në frëngjisht dhe të publikuar në Paris.

“Në këtë kohë nuk kisha vërejtur ende nga afër tiparet ballkanike”, - shprehet ai.

“Pellazgjishtja?! Mitologji”

Me skrupulozitetin e një shkencëtari, i pëlqen të lërë mënjanë imagjinatën dhe si argumente të paraqesë vetëm ato që njeh si fakte. Kështu, për shembull, e quan mit hipotezën e hedhur se shqipja e ka origjinën nga pellazgjishtja. Madje, vetë pellazgjishten e vlerëson si pjesë të mitologjisë. “Nuk është pretendim apo deklaratë serioze. Ajo çfarë them në këtë rast është: ju lutem më tregoni fragmente, fjali nga pellazgjishtja. Nuk është tamam një gjuhë. Grekërit i referohen, e quajnë pellazgjike, por çështja është se faktet nuk kanë qenë kurrë të mjaftueshme për të vërtetuar e thënë këtë. Shumë njerëz flasin për jetën, popullimin e Afrikës përpara se një njeri i bardhë të ketë qenë atje. Me pak fjalë, që origjina e njeriut vjen nga Afrika, përpara se të gjendej Kepi i Shpresës së Mirë. Përpara kësaj evropianët sigurisht që nuk e dinin ekzistencën e Saharasë. Lidhur me këtë kemi libra, fotografi që tregojnë, por megjithatë gjithçka është imagjinatë.”

Studimet e tij lidhur me shqipen janë përqendruar kryesisht në materiale dhe të dhëna për arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë dhe Maqedonisë. Madje, një pjesë e tyre janë ende të papublikuara. “Nuk ishte e mundur të vija këtu para viteve 90. Kështu, punova së pari në Itali, me arbëreshët e Kalabrisë. Më vonë kam punuar në Paris, në Vjenë. Dhe më vonë në Jugosllavi dhe në Greqi”, - rrëfen studiuesi.

Studimet e tij lidhur me këtë pjesë të karakterit të fonologjisë historike të shqipes vijnë gjithnjë krahasuar me gjuhë të tjera. Këto studime kanë rëndësi jo vetëm se janë mbështetur në ligjërime arkaike të arbëreshëve dhe arvanitasve, por edhe se Hamp ka kapur gjendjen e të folurit shqip në disa areale ku sot nuk flitet më shqip. Në këtë kuptim, ai është jo vetëm studiuesi i shqipes në këto popullsi që kanë mbijetuar në rajone aloglote, por edhe ai që ka pasuruar bazën e të dhënave të gjuhësisë shqiptare. Ai ka arritur të shkojë, prekë dhe mbledhë drejtpërdrejt të dhëna në disa fshatra, ku vetë gjuhëtarët shqiptarë nuk kanë arritur të shkojnë. Kështu, ka pasuruar direkt edhe arealin dialektologjik të shqipes. Hamp është marrë edhe me toponimet historike të gjithë hapësirës shqiptare, në mënyrë të veçantë të Dardanisë, prehistorike dhe historike, ku ka përfshirë edhe studimin për burimin e emrave (për shembull, Prizren e Prishtinë - qytet pranë lumit), krahasimin e rrënjëve kuptimore, semantike të tyre me gjedhe të ngjashme te keltët dhe te sllavët. Për herë të parë Eric Hamp ka vizituar Shqipërinë në vitin 1992. Prej më shumë se një viti ai është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›