E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Kufirit, 134 vepra penale të goditura gjatë këtij viti

Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë për vitin 2008 ka goditur 134 vepra penale, me 234 autorë. Këto të dhëna u paraqitën në analizën vjetore të vitit 2008, të cilat gjithashtu janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Gjatë këtij viti, nga kjo drejtori janë kapur 25 persona në kërkim. Në analizën e mbajtur ditën e djeshme u paraqitën rezultatet e arritura nga kjo drejtori, ku midis të tjerave u pasqyruan disa tregues, që ishin sigurimi i rendit e qetësisë gjatë hyrje-daljeve të pasagjerëve në aeroportin “Nënë Tereza”, ku për këtë vit është shënuar dhe numri më i madh i pasagjerëve të përpunuar, 1.158.328 pasagjerë. Gjatë këtij viti, detyra kryesore e kësaj drejtorie ka qenë kontrolli i dokumentacionit dhe parandalimi i ngjarjeve kriminale në pikën e kalimit kufitar në juridiksion të kësaj drejtorie.

Gjithashtu, është bërë dhe një punë e mirë në kontrollin e shtetasve të huaj dhe pajisjen e tyre, sipas ligjeve, me leje qëndrimi, ku për vitin 2008 kanë aplikuar 3.377 shtetas. Për vitin 2008, kjo drejtori në bashkëpunim me Interpolin ka marrë masa sigurie për ekstradimin e 76 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për të cilin gjykatat shqiptare kanë dhënë vendime dënimi. Për vitin 2008 janë deportuar 3.083 shtetas, janë larguar me urdhra largimi 16 shtetas të huaj të parregullt në Republikën e Shqipërisë, janë gjobitur 681 shtetas të huaj, janë prapësuar si shtetas të parregullt në kufi 171 vetë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›