Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit

Në konferencë do të marrin pjesë 45 gjuhëtarë e studiues të shqipes dhe të gjuhëve të tjera ballkanike, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, por edhe nga SHBA, Franca, Italia, Austria, Greqia, Rusia, Gjermania, Polonia, Çekia, Moldavia, Mali i Zi, etj.
“Rëndësia e shqipes për studimet ballkanistike është e dorës së parë dhe e pakapërcyeshme në studimin e afërsive midis gjuhëve që janë folur e fliten sot në Ballkan”, thuhet, mes tjerash, në komunikatën për media të ASHAK.
Shkalla e studimeve tona në këtë fushë krijon hapësirë të mjaftueshme për një shqyrtim të përmbledhur të rezultateve të arritura, duke synuar njëkohësisht perspektiva të hulumtimeve, qoftë të aktualitetit gjuhësor ballkanik, qoftë të diakronisë.
Ndryshe, brenda dy ditëve në sallën e ASHAK do të mbahen katër seanca. Materialet pastaj do të botohen nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK si një vëllim i veçantë.