Në kërkim të identitetit

Ishte paraparë që të ishte një foto-termin i këndshëm. Maria Bohmer, koordinatore për integrim e qeverisë gjermane, kishte ftuar një grup të të rinjve me rrënjë të huaja në një takim. Takimi kishte për qëllim që të prezantonte fytyrat e gëzuara të imigrantëve dhe të rrëfejë tregimin për politikën e suksesshme të integrimit.
Por më pas, në skenë dolën dy meshkuj dhe dy femra. Ata kishin përgatitur një kumtesë dhe porosia që përcollën ishte mjaft e ashpër:”Asgjë nuk është e mirë në Gjermani”.
Ata folën me rend. Theksuan se janë të lodhur nga përpjekjet që të paraqiten si imigrantë model. Ata gjithashtu theksuan se është gënjeshtër kur theksohet se puna e zellshme të siguron sukses në Gjermani.
Dhoma u zhyt në heshtje. Zyrtarja për integrim, Bohmer, mbeti si e shtangur. Disa adoleshentë e prishën shfaqjen për integrimin e suksesshëm.
Shumë pjesëtarë të gjeneratës së re ende kanë ndjenjën se nuk kanë arritur ende në Gjermani. Është shtëpia e tyre, por për shumë prej tyre Gjermania mbetet një vend i huaj. Dhe përkundër faktit se Gjermania e kremtoi 50 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes për rekrutim mes Gjermanisë dhe Turqisë, disa nga fëmijet dhe nipat e këtyre imigrantëve shohin shumë pak arsye për të kremtuar.
Një gjysmë shekulli pasi që Gjermania Perëndimore filloi promovimin e imigracionit, ajo po ka vështirësi në përballjen me gjeneratën e dytë dhe të tretë të imigrantëve. Ky vend duket se po humb lidhjet me një pjesë të gjeneratës së re.
Kjo për arsye se ata nuk janë rritur në Ankara, Palermo apo në Prishtinë, por në Shtutgart, Braunschweig dhe Rostock. Dhe përkundër faktit se janë rritur në Gjermani, ata kanë më pak mundësi për të arritur sukses, se sa prindërit dhe gjyshërit e tyre, të cilët shkuan në Gjermani si të rritur, për të gjetur punë apo për të kërkuar azil politik. Gati një e treta e të rinjve me rrënjë të huaja, në moshën prej 25 deri 35 vjet, nuk kanë kualifikim profesional.
Të dhënat janë në veçanti alarmuese në mesin e gati tre milionë imigrantëve turqë, pakicës më të madhe në Gjermani. Nga viti 2001 deri në vitin 2006, numri i turqve pa kualifikim profesional u ngrit nga 44 në 57 për qind.
Në të njëjtën kohë, njerëzit me kualifikim më të lartë, ata për të cilët ka nevojë Gjermania, theksojnë se dëshirojnë të largohen sa më shpejtë që të jetë e mundur. Në vitin 2006, për herë të parë u shënua një migrim nga Gjermania në Turqi. Për shumë imigrantë, Gjermania nuk është më joshëse sa duhet.
Gjermania padyshim se është e varur nga fëmijët e imigrantëve, njerëz të ri si Shalau Baban, familja e të cilit dikur është arratisur nga Iraku. Ai u rrit në Marburg, një qytet universitar në Gjermaninë qendrore. Ai ndjek shkollën aty dhe ka shokë, por gjithashtu përdorë termat “gjermanë” dhe të “huaj”, për të klasifikuar njerëzit.
Pas disa viteve, mbi 50 për qind të banorëve mbi moshën 40 vjeçare në qytetet e mëdha në perëndim të Gjermanisë do të jenë imigrantë. Supozohet se deri në vitin 2015, Gjermanisë do t’i mungojnë rreth 3 milionë punëtorë. Rreth 2.3 milionë persona të moshës prej 15 deri 25 vjet, me rrënjë të huaja, jetojnë në Gjermani. Të paktë janë ata nga ky grup, të cilët arrijnë deri në kolegj.
Caglar Budakli 30 vjeç ka lindur në Berlin. Prindërit e tij janë nga Turqia, por ai ka pasaportë gjermane. Megjithatë, prindërit e tij nuk ishin në gjendje ta mësojnë se si të lëvizë përpara në Gjermani, pasi që edhe prindërit e tij u përballën me pasojat e imigracionit.
Në librin e saj “Kufijtë e durimit”, të publikuar në vitin 2010, gjykatësi tashmë i ndjerë nga Berlini, Kirsten Heisig, theksoi se ekziston një mendësi e armiqësisë ndaj gjermanëve në disa lagje të varfra të imigrantëve, e cila mund të prodhojë racizëm kundrejt popullatës jo-imigrante. Përkundër kësaj, askush deri me tani nuk ka arritur të dëshmojë se janë duke shënuar rritje ndjenjat armiqësore kundrejt gjermanëve apo se ato ekzistojnë në komunitetet e imigrantëve.
Gjermanisë tani i nevojitet një plan, me qëllim që mos të humb një pjesë të kësaj gjenerate. Sfida e re e vendit është që të realizojë bashkimin e dytë, një bashkim i cili unifikon shtetasit gjermanë dhe ata me origjinë të huaj. Dhe për të arritur këtë qëllim, Gjermaninë e pret ende një rrugë tejet e gjatë.