E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipja totalitare" prezantohet në New York University

Të shtunën më 27 shkurt 2010 u prezantua, në mjediset e New York University dhe nën kujdesin e prof. Shinasi Ramës, libri i Ardian Vehbiut Shqipja totalitare, i cili u nderua së fundi me çmimin "Gjergj Fishta".


Ky është takimi i katërt i serisë "Takime të hapura - Probleme shqiptare", që organizon Shinasi Rama, Clinical Associate Professor i Departamentit të Shkencave Politike në New York University, me intelektualë dhe studiues shqiptarë që jetojnë në shtetet e New York-ut, New Jersey-t dhe Connecticut-it; një iniciativë që synon të gjallërojë dhe të konsolidojë jetën kulturore shqiptare në metropolin amerikan.


Merrnin pjesë studentë universitarë dhe pasuniversitarë të universiteteve të shumta të New York-ut, përfaqësues të shtypit dhe të mediave, shkrimtarë, publicistë dhe intelektualë shqiptarë, veprimtarë të shoqatave kulturore të diasporës dhe të tjerë të interesuar për çështjet që diskutohen në takime të tilla.


Takimin e hapi prof. Shinasi Rama, për t'ia dhënë pastaj fjalën autorit, Ardian Vehbiut, i cili bisedoi me të pranishmit për historinë e kësaj vepre, marrëdhëniet e saj me publikun nga njëra anë dhe dijen bashkëkohore nga ana tjetër, si dhe natyrën e shtjellimit të saj në një medium të ri si Interneti; për t'u ndalur më pas në analizën e koncepteve kyçe të studimit.


Historiani Elidor Mëhilli, Mellon Fellow në Historinë bashkëkohore në George Washington University, foli për aspektet historike të veprës, duke u ndalur në rëndësinë e saj për të ndriçuar disa aspekte të shtetformimit totalitar si dhe në rolin e kujtesës individuale në interpretimin historik.


Gjuhëtarja Eda Derhemi, profesore në Universitetin e Illinois, Urbana-Champaign, në analizën e vet u ndal në marrëdhëniet midis shqipes totalitare dhe propagandës, duke e parë komunikimin publik gjatë regjimit komunist si formë të përftimit dhe riprodhimit pothuajse të pavetëdijshëm të marrëdhënieve të pushtetit totalitar.


Shkrimtari Pëllumb Kulla foli, nga ana e vet, për marrëdhëniet aksidentale, edhe pse të spikatura, midis shqipes nën diktaturë dhe humorit, si mjet njerëzor universal për të larë hesapet me të keqen; duke u ndalur edhe në raportet asimetrike midis komizmit dhe heroizmit, në historinë shqiptare të shekullit XX.


Në mbyllje të takimit, Ardian Vehbiu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.
Takimet "Biseda të hapura - Probleme shqiptare" zhvillohen çdo muaj dhe kërkojnë të shndërrohen në një institucion të qëndrueshëm dhe pikë referimi të jetës intelektuale të shqiptarëve me banim në East Coast të ShBA.


Duke u fokusuar në aspektet studimore dhe mirëfilli shkencore të interesit për çështjen shqiptare, prof. Rama po arrin të përvijojë, nëpërmjet punës së tij këmbëngulëse dhe korrektesës akademike, një bërthamë intelektualësh, studiuesish dhe publicistësh që mund dhe do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përpunimin dhe nyjëtimin e kulturës shqiptare jo vetëm në ShBA; në rrethanat kur dija albanologjike riprodhohet dhe çohet përpara në mbarë botën, në një mjedis komunikimi të revolucionarizuar falë jo vetëm Internetit, por edhe shpërndarjes gjeografike të mendjes shqiptare.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›