E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekomunarët: Rrëshqitjet rrezikojnë toka, shtëpi dhe shkolla

ELBASAN/ Shqetësimi u shtrua në mbledhjen e qarkut, ku u kërkuan më shumë fonde për të ndërhyrë

ELBASAN - Mbledhja e Këshillit të Qarkut në Elbasan ka sjellë edhe disa probleme që po hasin kryekomunarët dhe banorët e fshatrave me rrugët dhe sidomos me rrëshqitjen e dherave. Komunat Gjinar, Sult, Gracen kanë ngritur si shqetësim bllokimin e rrugëve për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe dëmtimin e shtëpive.

Kryetari i komunës Gracen, Fadil Salla, deklaron se në fshatin Mamël shkolla dhe 5 shtëpi rrezikojnë të shemben. Lëvizja e tokës dhe rrëshqitjet e kanë bërë mjaft të vështirë qëndrimin në shtëpi për familljen e Hejlasan Novës.


Kjo e fundit e ka braktisur shtëpinë në pritje të një ndihme. Rrëshqitjet dhe lëvizjet e tokës i janë afruar ndjeshëm edhe shkollës së fshatit. Pasi kanë hartuar një relacion, kryekomunari, kryeplaku dhe drejtori i shkollës e kanë paraqitur atë pranë Drejtorisë Arsimore ku edhe kanë kërkuar ndërhyrjen e një inxhinieri dhe gjeologu për të përcaktuar shkallën e rrezikut për nxënësit.


Sipas Sallës, nxënësit vazhdojnë mësimin, por nën frikën e lëvizjes së vazhdueshme të tokës që kohë pas kohe mund të përfshijë edhe shkollën. Drejt fshatit Mamël është nisur inxhinieri i Drejtorisë Arsimore që do të verifikojë edhe situatën. Në Mamël duhet të zhvendosen edhe 5 familje, për të cilat është kërkuar në prefekturë ndërhyrja dhe një studim gjeologjik i zonës.


Por situata paraqitet e vështirë edhe në fshatra të tjera, si në Shelcan, Shushicë dhe në disa komuna të Gramshit, ku rrugët janë dëmtuar si pasojë e shembjes së dheut dhe konsiderohen të bllokuara disa prej tyre. Drejtoria e rrugëve rurale në varësi të Qarkut ka shpërndarë të gjitha mjetet në dispozicion dhe njerëzit në këto zona. Kryetarët e komunave kanë kërkuar më shumë fonde emegjente për këtë drejtori që ka një hartë shumë të gjerë për ndërhyrje dhe mundësi të kufizuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›