Shqiponja e Kasamit
Pajtim Kasami ka tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane, kur para një jave e kremtoi në fitoren e Palermos ndaj Parmës me rezultat 3:1, duke e formuar shqiponjën dykrenore me gishtërinj.
Ndërkohë, futbollisti me prejardhje nga Struga e Maqedonisë nuk ka hezituar të shpjegojë arsyen pse kishte kremtuar në atë mënyrë. “Është shenjë nga vendlindja ime”, është shprehur futbollisti shqiptar me pasaportë zvicerane për tabloidin Bilck.ch. Ai ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen do të kremtojë në atë mënyrë.
Me këtë rast, mesfushori i Palermos është pyetur se a do të luante më me dëshirë për përfaqësuesen e Zvicrës, të Maqedonisë apo atë të Shqipërisë. Në këtë pyetje 18 vjeçari e kishte vështirë të përgjigjej.
“Unë kam dy pasaporta, atë të Zvicrës dhe të Maqedonisë. Për mua si shtetas i dyfishtë është shumë vështirë të përgjigjem në këtë pyetje”, është shprehur ai.
Megjithatë, Kasami është shprehur të jetë i gatshëm t’i bashkohet përfaqësueses A të shtetit helvetik.
“Zvicra ka qenë prioritet i imi. Me ekipin U-17 të Zvicrës kam fituar titullin e kampionit botëror. Po ashtu, me ekipin U-21 jemi kualifikuar për Euro 2011. Është ëndërr e imja të luaj për Kombëtaren seniore dhe shpresoj ta bëj një gjë të tillë”, ka thënë Kasami, i cili gjatë afatit kalimtar të janarit pritet që nga Palermo të huazohet në ndonjë skuadër tjetër, pasi nuk po gjen hapësirë të mjaftueshme për të luajtur në ekipin sicilian.
Reprezentuesi U-21 i Zvicrës gjatë verës së kaluar nga klubi zviceran, Bellinzona, u transferua te Palermo, me të cilin klub pati nënshkruar kontratë katër vjeçare.