"Shqiponjat" i bënë shenjë të ndalonte, ish-kryetari i Petrelës shtoi gazin e makinës dhe u rrezikoi jetën, Ylli Kupi prangoset i dehur
Ylli Kupi, ish-kryetari i Komunës Petrelë në Tiranë, është arrestuar mëngjesin e djeshëm nga Policia e kryeqytetit dhe akuzohet për tre vepra penale, "Drejtim mjeti në gjendje të dehur", "Kundërshtim të punonjësit të Policisë" dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë”.
“Ora News” ka mësuar se Kupi është vënë në pranga rreth orës 03:30 të mëngjesit të datës 10 Maj, pasi ishte duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Mjeti me targë “AA 707 FE” është konstatuar nga patrullat “Shigjeta” dhe “Shqiponja” në rrethrrotullimin e Mulletit.
Patrullat mësohet të jenë afruar në këtë zonë për të bërë lokalizimin e këtij mjeti, pas informacioneve që ishin dhënë nga posta e Farkës, se lëviznin persona të armatosur.
Automjeti po lëvizte me drejtim të ç’rregullt drejt rrethrrotullimit të Mulletit, duke shkuar në drejtim të punonjësve të policisë. Efektivët i kanë bërë shenjë të ndalonte por drejtuesi i mjetit, që rezulton të jetë Ylli Kupi, nuk i është bindur urdhrit dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke vënë në rrezik jetën e policëve.
Skuadrat "Shigjeta" dhe "Shqiponja" i kavë vënë menjëherë në ndjekje, duke e patur në një distancë të shkurtër, derisa e kanë detyruar 55 vjeçarin të ndalojë. Policët janë afruar te mjeti dhe i kanë kërkuar drejtuesit që të hapte xhamin dhe t'u bindej urdhrave, por Ylli Kupi nuk pranonte që të hapte as derën as xhamin.
Në këtë moment kanë njoftuar përsëri sallën operative që të afronte dhe shërbime të tjera në ndihmë të tyre. Pasi ka dëgjuar thirrjet e policëve për sallën operative, ish-kryetari i Petrelës ka hapur derën dhe sapo shërbimet i janë afruar për ta ndaluar, ai ka nisur t'i shtynte fizikisht dhe i ka ofenduar me fjalë fyese.
Ylli Kupi ka tentuar përsëri të largohej duke mos ju bindur urdhrave të policisë, por këta të fundit e kanë neutralizuar duke përdorur dhe forcën. 55 vjeçari është është shoqëruar në ambientet e komisariatit Nr.1 në Tiranë, por dhe aty nuk ka pranuar t'i nënshtrohet testit të alkoolit.
Në këto kushte, Ylli Kupi është dërguar pranë Urgjencës së Spitalit “Nënë Tereza”, për të mundësuar marrjen e një kampioni gjaku me qëllim kryerjen e testit të alkoolit. Nga analizat e kryera, ka rezultuar se ish-kryetari i komunës së Petrelës drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Sondazh
A e mbështesni protestën siç është zhvilluar dy ditët e fundit nën emrin e studentëve?
-
Po-
Jo-
Nuk e di
-
-
Lexo gjithashtu
