E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta gjithëpopullore e 24 prillit në Prishtinë

NEXHMEDIN SPAHIU

Kur ishim fëmijë, në rrugën Xhon Kenedi, në pjesën veriore të Mitrovicës, një nga gangsterët e mëhallës, kur donte ta grushtonte dikë, fillimisht i linte në dorë kapelën e tij duke i thënë ma mbaj pak se kam një hall, kur tjetri, pa të keq, kurthohej i habitur me kapelën e tij, ai mëshonte grushte dhe e hidhte për tokë.
Kjo për fëmijët e lagjes paraqiste atraksion, derisa njëri nga viktimat e radhës u gjet më mirë: sapo ky gangsteri i zgjati kapelën për mbajtje, ky ia futi grusht hundëve gangsterit.
Këtë sjellje të gangsterit të mëhallës po më përkujton sjellja e fundit e Serbisë.
Beogradi grushton derisa kërkon që të mos ngacmohet për shkak të zgjedhjeve
Serbia kërkoi mirëkuptim nga Uashingtoni e Brukseli që derisa të kryhen zgjedhjet në Serbi të mos e ngacmojnë në Kosovë e me Kosovën.
Perëndimi tregoi menjëherë mirëkuptim dhe me këtë edhe lidershipi kosovar u instruktua konform këtij vendimi.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Serbia le që la mënjanë marrëveshjet me Prishtinën në Bruksel si të paqena, por filloi të shqepë grushtet jo vetëm në Veri të Kosovës, por edhe në Maqedoni.
Akti terrorist mbi familjen e Selver Haradinajt trembi dhe detyroi në shpërngulje banorët jo-serbë në Veri të Kosovës, ndërsa me vrasjen e pesëfishtë në Maqedoni tronditi themelet e shtetit tjetër satelit të Perëndimit Republikës së Maqedonisë.
Për më tepër, Kryeministri i Kosovës, pasi njëherë e kualifikoi këtë si akt terrorist, kthehet më vonë në kualifikimin si akt kriminal dhe thotë se nuk është mirë të akuzojmë pa përfunduar hetimet.
Kryeministri i Kosovës relativizon  veprimtarinë kriminale të agjencive inteligjente të Serbisë
Për të qenë ironia në kulm, Kryeministri i Kosovës bën paralelizëm mes aktit terrorist në Mitrovicë dhe thotë se nuk duhet akuzuar Beogradi derisa nuk përfundojnë hetimet, pasi as krerët maqedonas nuk po i akuzojnë shqiptarët pa u kryer hetimet. Kryeministri i Kosovës po harron se të dyja këto krime (edhe akti terrorist në Mitrovicë, edhe vrasja e pesëfishtë në Maqedoni) janë zier në të njëjtën kuzhinë, në atë të Beogradit. Përpjekja e Kryeministrit për të relativizuar këtë veprimtari kriminale të agjencive inteligjente të Serbisë mund të kuptohet vetëm si falënderim i tij ndaj Beogradit, pasi një ditë më parë Beogradi e tërhoqi aktakuzën ndaj tij.
Kosova nuk duhet të rrijë duarkryq derisa Beogradi shqelmon
Përgjigja më e mirë që Kosova mund të japë në këtë situatë është protesta gjithëpopullore e 24 prillit në Prishtinë, organizuar nga shoqëria civile e Kosovës me titull: Stop terrorizmit!.
Sa më e madhe të jetë protesta, aq më fakt tregues i fortë do të jetë se Kosova nuk prodhon terrorizëm. Se ajo që prodhon terror në Ballkan është Serbia dhe se bota duhet ti thotë stop këtij terrorizmi, ashtu siç i thonë kosovarët.
Në fakt, protesta, që do të jetë pa fjalime, pa flamuj dhe pa parulla të tjera, nuk i adresohet me emër Beogradit, por ajo vetëkuptohet.
Një parullë kaq universale është e kuptueshme për tërë botën. Bota sa e kupton, aq dhe nuk e kupton natyrën e konfliktit KosovëSerbi, sikurse ne që nuk e kuptojmë natyrën konfliktit në Ruandë. Ajo çfarë ne dëshirojmë është që të mos shohim terror në Ruandë, që të mos shohim skena rrëqethëse, dhe nuk na intereson se iks qyteti i Ruandës i takon Hutu-ve apo Tuci-ve.
Botës mund të mos i interesojë se kujt i përket Mitrovica, Kosovës apo Serbisë, por bota indinjohet kur sheh skena si ajo në banesën e Selver Haradinajt. Gjithsesi, botës i intereson nëse terrorizmi buron në Kosovë, apo po e godet Kosovën.
Protesta i bën me dije botës se terrorizmi nuk buron në Kosovë, por po vjen nga Beogradi
Kur bota sheh skena të tilla tmerruese dhe sheh se nuk po protestohet në Kosovë, ajo do të mendojë se është diçka e zakonshme për kodin tonë moral, për mënyrën tonë të jetesës. Pra e sheh se ne po prodhojmë terrorizmin.
Por, nëse bota sheh se gjithë Kosova çohet më këmbë kundër një akti të tillë, atëherë ajo e gjykon Serbinë për këtë, sepse e sheh civilizimin te ne e barbarinë te Serbia, dhe jo anasjelltas.
Prandaj është në interesin e forcave politike të Kosovës ta përkrahin këtë protestë. Ato as fitojnë, as humbin aty për aty nga kjo protestë sa i përket garës së tyre për pushtet, por duke qenë kjo një fitore për Kosovën, bëhen hisedarë të saj dhe herë dokurdo e kapitalizojnë këtë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›