E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëme të reja të trashëgimisë kulturore në Berat

GJERGJ FRASHËRI

Dhjetë javë më parë (25.01.2012), në faqet e kësaj gazete patëm sinjalizuar për dëmtimet masive që po u shkaktoheshin kalldrëmeve me vlera historike e ndërtimore të rrugëve e rrugicave në kalanë e Beratit, monument i UNESCO-s. Patëm sinjalizuar se këto dëmtime ishin shkaktuar nga veprimtaria e një projekti të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, me titull Mbështetje për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integrueshëm të trashëgimisë kulturore dhe historike në Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Berat. Kështu po ndërtohet një infrastrukturë e re në lagjen Kala në Berat. Ska më mirë, por me kusht, pa dëmtuar vlerat historike të saj!
Supervizori që mbikëqyr punimet e ndërtimit është firma IRD Engineering nga Italia, ndërsa ai që mbikëqyr shpëtimin e substancës arkeologjike dhe të monumenteve gjatë punimeve të  infrastrukturës është firma AEMA sh.p.k nga Shqipëria. Të dyja janë zgjedhje të sipërmarrësit – Delegacionit Europian në Tiranë. Patëm konstatuar gjithashtu se subjekti AEMA nuk kishte të bënte fare me shpëtimin e monumenteve dhe të arkeologjisë. Për të ndalur dëmtimet e mëtejshme që po i shkaktoheshin atëherë kalasë së Beratit, i patëm kërkuar Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës, madje edhe Prokurorisë, me lutjen si qytetarë dhe të specialistit të fushës, që të bëhej transparenca e plotë e firmës AEMA sh.p.k. dhe roli i zyrtarëve përgjegjës të përzierë në konflikte interesash me këtë subjekt. Madje, të testoheshin konsekuencat negative që po shkaktonte mungesa e supervizimit profesional në shpëtimin e trashëgimisë kulturore në lagjen Kala të Beratit. Pra më qartë, të ndërpriteshin dëmtimet në monument, qoftë në kalldrëmet, qoftë në substancën arkeologjike të tij!

Gërmimet e kanalit infrastrukturor afër portës lindore të kalasë.

Sinqerisht, kisha më shumë shpresë te reagimi i Delegacionit Europian në Tiranë si sipërmarrës, se sa nga ai i Ministrisë së Kulturës (rrjedhimisht edhe nga ai i Prokurorisë). Arsyeja është se duke punuar në këtë fushë për më se dy dekada në Europën Qendrore, personalisht nuk kam ndeshur ndonjëherë përfaqësi të Bashkimit Europian të shkelë parimet dhe detyrimet e Konventës Europiane (Malta), që vetë vendet europiane e kanë hartuar dhe njëkohësisht, Ligjin e Trashëgimisë Kulturore për shpëtimin e vlerave arkeologjike dhe monumenteve të atij vendi, ku përfaqësia e Brukselit ushtron sipërmarrjen e vet. Mjerisht ky është rasti i parë dhe më vjen hidhur që ndodh në vendin tonë. Dëmtimet në kalanë e Beratit jo vetëm nuk u ndërprenë, por ato vazhduan më tej në mënyrë të dhimbshme gjatë muajit shkurt, mars e vazhdojnë edhe sot në prill. Tashmë ato nuk quhen më dëmtime, por zhdukje e kalldrëmeve historike të të gjitha rrugëve e rrugicave të kalasë së Beratit. Bashkë me ato është zhdukur edhe substanca arkeologjike nga hapja e kanaleve të infrastrukturës poshtë tyre, pa lënë asnjë gjurmë dokumentare.
Kalldrëmet e rrugëve dhe rrugicave të kalasë së Beratit ishin pjesë integrale dhe domethënëse të historisë ndërtimore të monumentit. Ato ruanin gjurmë të infrastrukturës nga të gjitha epokat e jetës së qytetit të fortifikuar, dhe përbënin dokumente historike nga koha e antikitetit deri në ditët tona, në një diapazon kohor më se 2200-vjeçar. Siç kemi tërhequr vëmendjen edhe në shkrimin e datës 25.01.2012, shumë segmente të tyre ruheshin origjinal nga shekujt e kaluar, katër llojesh sipas gjerësive të rrugëve, me ulluqe e kuneta për disiplinimin e reshjeve. Mbi të gjitha ruheshin fragmente kalldrëmesh origjinale të magjistrales antike, prej portës kryesore deri në akropolin e kalasë, si dokumenti më i vjetër i infrastrukturës së monumentit. Por, ruheshin edhe segmente të tjera të restauruara nga dora e specialistëve më të mirë të qytetit, të cilat ishin edhe ato vetë vlera dokumentare historike të kalasë. Sipërfaqja e shtresës së kalldrëmeve të rrugëve dhe rrugicave të lagjes Kala në Berat është restauruar gjatë viteve 1966-1987 me program shumëvjeçar, me një dashuri të veçantë nga restauratorët e asaj kohe, duke respektuar karakterin e tyre origjinar dhe ruajtur me rigorozitet teknikën e vjetër, konstruksionin e dyshemesë mbajtëse (pavimentin), pa e prekur nënshtresën arkeologjike.
Të gjitha këto vlera dokumentare nuk ekzistojnë më për vizitorin e sotëm. Brenda pesë muajve të fundit një skreper i drejtuar nga një kompani tjetër italiane, me punëtorë të pakualifikuar dhe pa drejtim restaurimi, i ka flakur këto kalldrëme historike në plehra ndërtimi, në mënyrë të pakthyeshme, pra në zhdukjen e tyre një herë e përgjithmonë. Kalldrëmet e kalasë përbënin një vepër të spikatur ndërtimore të krijuar në shekuj. Ato ishin përshtatur për katër lloj rrugësh e rrugicash të kalasë, të cilat në funksion të trajektores këndore, të gjerësisë dhe pendencës së tyre kishin dhënë kompozime kalldrëmesh me konfiguracione me pamje të ndryshme prej njëra-tjetrës. Po ashtu, në varësi të këtyre specifikave, secila kishte një kompozim të veçantë ndërtimor të ulluqeve dhe kunetave për disiplinimin e reshjeve. Po japim si shembuj dy fragmente prej tyre (Foto 2 dhe 3). Asnjë nga këto shtroje kalldrëmesh nuk ruhet më. Në vend të tyre u sollën gurë të tjerë të huaj dhe u ndërtuan kalldrëme butaforike, si ato të parqeve moderne. Jo vetëm

Kalldrëmet e kalasë, një vepër e spikatur ndërtimore e krijuar në shekuj. Asnjë nga këto shtroje kalldrëmesh nuk ruhet më.

kaq, por u shkel edhe projekti. Në projekt nuk ishte parashikuar prishja e kalldrëmit, por zbërthimi vetëm i asaj pjese (sipërfaqeje) të tij, aq sa të ishte e nevojshme për hapjen e kanalit, për vendosjen e pajisjeve infrastrukturore. Me mbarimin e punimeve infrastrukturore, kalldrëmi duhet të mbyllej përsëri me gurët e tij, sidomos në tegelat e kunetës apo ullukut. Në vend të këtij koncepti të parashkruar në praktikat e restaurimit, qoftë në atë të vendit tonë, po ashtu edhe në atë europiane, kalldrëmet origjinale u zhdukën krejtësisht nga rrugët dhe rrugicat e kalasë së Beratit. Në vend të tyre u shtrua në tërë gjerësinë e tyre (edhe në ato sipërfaqe ku nuk kishte pasur kalldrëm më parë), kalldrëmi i butaforik i standardizuar (globalizuar) i projekteve që mbajnë autorësinë e Delegacionit Europian të Tiranës, i njëjtë me kalldrëmet ku ky institucion europian ka vënë dorë në kalanë e Himarës, në atë të Krujës, në rrugën përpara Kështjellës së Tiranës, së fundi në Elbasan etj. Shikoni kalldrëmin e përfunduar të rrugës më të rëndësishme që të çon në akropolin e kalasë së Beratit (Foto 4). Asgjë nuk është respektuar nga pamja dhe konsistenca e tij e mëparshme historike. Sipas studiuesve, kjo rrugë është realizuar qysh në shekujt antikë të ndërtimit të kalasë dhe është arteria direkte (më e shkurtër) që lidh hyrjen e kalasë me akropolin e saj. Tashmë, banorët e Beratit që shkelin çdo mëngjes mbi këto kalldrëme të huaja përpara dyerve të shtëpive të tyre, mburren me ironi, se tashmë mbas 2.200 vjet histori lagja Kala ka kalldrëme alla frënga, ose dikush tjetër i ka mbiquajtur kalldrëme alla Delegacioni Europian.
Është kurioze të mësohet nëse UNESCO pajtohet me këto humbje (shpërfytyrime) dokumentare të kalldrëmeve historike të monumentit të vet? Duket sheshit se gjithçka është drejtuar nga supervizorë profanë, të cilët në qoftë se nuk e bëjnë me qëllim për të përçmuar në parim vlerat kombëtare, nuk ja

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›