Shqiptarët bojkotojnë Këshillin maqedon për regjistrim
Mbi 14 mijë kandidatë maqedonas dhe vetëm 600 shqiptarë janë paraqitur në testimet e para për zgjedhjen e regjistruesve lokal për regjistrimin e popullsisë.
Kjo ka ndikuar pasi që anëtarët shqiptarë të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR) po bojkotojnë këtë komision dhe kanë shprehur mospajtime lidhur me përfaqësimin e regjistruesve lokal.
Përfaqësuesit shqiptarë në KSHR kanë theksuar se kjo shifër tregon se mosmarrëveshjet e fundit brenda KSHR-së ka ndikuar që kandidatët shqiptarë të mos paraqiten në testime.
Në 83 shkolla fillore dhe të mesme në të gjitha komunat e vendit u mbajt testimi ku morën pjesë rreth 16.500 kandidatë që kanë aplikuar në konkursin publik për pjesëmarrje në komisionet rajonale të regjistrimit, si regjistrues rajonal dhe instruktorë rajonal.
Kryetarja e KSHR-së, Vesna Janevska theksoi se do të shpallet konkurs plotësues për të plotësuar vendet e regjistruesve nga komuniteti shqiptar, por edhe komunitetet tjera.
Ajo nënvizoi se është në kontakt me zëvendës-kryetarin e KSHR-së, Abdylmenaf Bexheti dhe anëtarët e tjerë shqiptarë dhe turq që po bojkotojnë komisionin, për shkak të numrit të regjistruesve nëpër komuna.
Përfaqësuesit shqiptarë kërkojnë që në vendbanimet shqiptare shumica e regjistruesve të jenë shqiptarë dhe jo maqedonas, ashtu siç pretendojnë anëtarët maqedonas, të cilët kërkojnë që regjistruesit shqiptarë të përfaqësohen me 25 për qind edhe në komunat ku janë shumicë.