Shqiptarët braktisin kinemanë, magjia e artit të shtatë në udhëkryq
Në kapërcyell të viteve ’90-të, kur u shkatërruan uzina, fabrika e shumçka tjetër ndërtuar gjatë periudhës së regjimit komunist në vend, nuk i shpëtuan dot shkatërrimit as sallat e kinemave. Thuajse çdo qytet në vend e kishte një të tillë. Në Tiranë e kishte thuajse çdo lagje, ndërsa në vatrat e kulturës së fshatrave apo qytezave, gjithashtu shfaqeshin filma shqiparë, por edhe produksione të huaja klasike.
Sot, 22 vjet më pas, sallat e kinemave numërohen me gishtat e njërës dorë, çka për shumkënd është një ogur i mirë pasi në nisje të viteve 2000 nuk kishte as edhe një të vetme në Tiranë. Ende në kryeqytet, banorët e hershëm por edhe të ardhurit rishtas të orientojnë duke përmendur si pika referimi Kinema Dajtin, Kinema 17 Nëntorin apo Kinema Republikën…por asnjëra prej këtyre kinemave nuk është më. Njëra është shndërruar në një godinë për multi-arte, veç jo kinema, një tjetër është shndërruar në qendër tregtare tepër luksoze…të gjitha me një emërues të përbashkët, i janë kthyer pronarëve. Po ashtu janë zhdukur edhe sallat e kinemave të lagjeve në Tiranë, prej tyre nuk ka mbetur më asnjë gjurmë.
Në qytetet e tjera, vetëm Elbasani dhe Shkodra kanë salla kinemash të rihapura së fundmi, por mundim është për pronarët e këtyre sallave t’i mbajnë hapur. Andaj edhe mos ekzistenca e sallave të kinemave është vetëm nëjra anë e medaljes.
Ana tjetër…edhe aty ku ka kinema, sallat mbeten bosh…ka seanca që anulohen sepse pakkush zgjedh kinemanë për të parë një film, çka do të thotë vështirësi mbijetese.
Përfundimi?! Shqiptarët janë përherë e më larg kinemasë dhe emocionit që përcjell ndjekja e një filmi në ekranin e madh.
Janë të shumta arsyet që shqiptarët e kanë braktisur ‘magjinë e artit të shtatë’, e për t’i trajtuar një nga një, në vijm, në gazetën IDEA do të sjellim në nisje zërin e atyre që merren me këtë biznes në Shqipëri, vështirësitë me të cilat përballen dhe mbijetesa gati e pamundur në treg, Një analizë e cila do na çojë në evidentimin e shkaqeve se pse shqiptarët i janë larguar kinemasë, çka nuk do të thotë domosdoshmërisht se shohin më pak filma. Një zë i rëndësishëm në këtë analizë do të jenë edhe njerëzit e filmit në Shqipëri, ata që prodhojnë për një treg fare të vogël i cili përballet me probleme të mëdha.
