Shqiptaret dhe serbet takohen ne nje ekspozite
Është titulluar “Vështrimet”, ekspozita shqiptaro-serbe e cila është çelur këto ditë në teatrin “Dodona” të Prishtinës. Përmes fotografive vijnë rrëfimet jetësore të këtyre dy popujve, në ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur deri më 26 dhjetor.
Qëllimi i kësaj veprimtarie është që të shpalosen historitë e përbashkëta me anë të rrëfimeve personale, të shoqëruara me fotografi, e pastaj edhe krijimi i një shfaqjeje teatrore bazuar mbi këto rrëfime. Ekspozita u çel nga regjisori boshnjak, Dino Mustafiq, sipas të cilit kjo veprimtari është një gjë e mirë, një dialog që nis pas një ndarjeje të gjatë. Ekspozita është vetëm një pjesë e projektit, i cili do të sjellë edhe një shfaqje teatrore bazuar nga këto rrëfime. Skenarin e shfaqjes do ta shkruajnë dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj dhe Ninja Bogovaç, nga Serbia. Autorët thonë se do të përpiqen ta shkruajnë sa më sinqerisht dramën e të jenë sa më të hapur. Ata janë shprehur se vepra nuk do të ketë lidhje me politikën ditore dhe mbi të gjitha, nuk ka për qëllim të shkaktojë ndonjë turbulencë politike. Autorët shprehen të bindur se teatri zakonisht nuk shkakton probleme, por zgjidhje. Sipas Nezirajt, ideja është që skenari të punohet e të ndërtohet duke pasur parasysh ngjarje të ndodhur këto vitet e fundit parë nga këndvështrime të ndryshme. Ekspozita “Vështrimet” është hapur më parë në muajin nëntor në Novi Sad, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore të Vojvodinës. Pritet që të hapet edhe në Graçanicë, shoqëruar nga shfaqja teatrore e cila pritet të vijë edhe në Tiranë, më pas Prishtinë, Beograd, Novi Sad e shumë qytete të tjera. Shfaqja mendohet të ngjitet në skenë rreth muajit shtator të vitit 2011.