E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuetia me akuzat e shpifjeve

Ndonëse gjuetia kundër shqiptarëve ka një histori të stërzgjatur, kishim rënë në gjumë dhe ishim mjaftuar me heshtjen që iu bë akuzave të Karla del Pontes për gjoja "krimin shqiptar kundër serbëve", të shpallur në një libër të saj me emrin "Gjuetia...". Ndoshta dhe për këtë shkak po përjetojmë një fushatë tjetër të ngjashme. Këtë radhë me emra të përveçëm, në mesin e të cilëve ndodhet Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi...

Hashim Thaçi është vënë nën presion. Madje në shumë anë. Ai është akuzuar nga rivalët e tij politikë brenda vendit, se është përgjegjës për manipulimet e shumta të zgjedhjeve në Drenas e Skënderaj. Aq sa ish-aleatët dhe ish-kundërshtarët e tij "tremben" t’i përgjigjen ofertës për bashkëqeverisje. Megjithatë kjo akuzë mund të kapërcehej, nëse senatori zviceran ose anëtari i Asamblesë së Këshillit të Europës, Dick Marty, nuk do të kishte përcjellë në opinion një arsenal të paparë akuzash kundër ish-liderit të UÇK-së. Zvicerani Dick Marty ka paraqitur në Komisionin Juridik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në të cilin ka përmbledhur në 170 pika të tij akuzat për vrasje, trafik droge e armësh, rrëmbime, e deri transplantim organesh nga ana e një rrjeti të UÇK-së, të drejtuar nga Hashim Thaçi. Mediat e huaja bëjnë me dije se krahas Thaçit, në këto akuza është përfshirë edhe Ramush Haradinaj. Me këtë të fundit Haga vazhdon luajë "macen dhe miun". Herë e lëshon, e herë e mbërthen, sipas rastit, sipas koniunkturës, gjithnjë në funksion të tensionimit të situatës në Kosovë, gjë të cilën e dëshirojnë aq shumë në Beograd. Lajmet e Dick Marty-t janë përhapur në të gjitha kontinentet dhe ka mjaftuar kjo, që nga politika beogradase e moskovite, Hashim Thaçi të shpallet si dështuari i radhës. Madje ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka shkuar deri në akuzën kolektive kundër shqiptarëve, duke u shprehur se "kjo është fytyra e vërtetë e Kosovës".

Ndërkaq prokurori i Serbisë ka deklaruar se institucioni i tij ka shkëmbyer të gjitha informacionet e nevojshme me Dick Marty, duke dëshmuar se është njëkohësisht autori kryesor i aktakuzës politike kundër Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Madje dosja e prokurorisë serbe rreth këtyre akuzave përmban jo pak, por 40 mijë faqe. Kurse nga një deklaratë e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, lind një pikëpyetje e madhe rreth vërtetësisë së akuzave të anëtarit të Asamblesë së KE-së, sepse bëhet me dije që akuzat e lëshuara me aq rrëmbim dhe shpejtësi, kanë prapavijë politike, ultrashoviniste me qëllim denigrimin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë si dhe i kontribuojnë destabilitetit rajonal e më gjerë. Duke u nisur nga ajo që thekson deklarata e zotit Topi, nuk është vështirë të dallohet fakti që në Beograd është punuar me intensitet të jashtëzakonshëm për të hartuar skenarët e delegjitimimit të luftës së shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Mund të besohet gjithashtu se kjo e vërtetë është e njohur në Uashington dhe në Bruksel, sepse të dy qendrat më të rëndësishme të botës së civilizuar kanë bërë thirrje për të provuar konkretisht akuzat që Dick Marty i ka hedhur në tregun politik dhe mediatik europian e më gjerë. "Bosi i mafies", Hashim Thaçi është përshëndetur nga ana e Parlamentit Europian si dhe nga Departamenti i Shtetit amerikan për fitoren në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Mirëpo kjo fitore duket se nuk i ka pëlqyer Beogradit e ndonjë kryeqyteti tjetër antishqiptar brenda hartës së kontinentit tonë. Ndaj dhe u vu në veprim "Plani B" - delegjitimimi i zgjedhjeve dhe politikanit fitues në Kosovë. Zëvendësi i prokurorit të Serbisë, Bruno Vekariç, thotë se përfaqësuesit e Prokurorisë serbe shumë herë janë takuar me Dick Marty-n, me të cilin kanë shkëmbyer informacione. “Nëse shikoni raportin, do të shihni se pjesa që ka lidhje me strukturën e organizimit të UÇK-së është pjesë e marrë nga raporti ynë, që kemi dërguar ne. Po ashtu në raport ndodhen edhe pjesët që i kemi dhënë ne për dëshmitë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore, si dhe lidhjen e krimit të organizuar me qarqet politike", pohon Vekariç. Për hartimin e "Planit B" kishin punuar në Beograd shumë institute, mekanizma të shtetit, ekspertë të kriminalistikës, romancierë të kësaj fushe, si dhe juristë, prokurorë dhe specialistë të fushave të tjera, një përvojë kjo unikale e luftës njëshekullore të Serbisë kundër shqiptarëve. Të gjitha janë sajuar sipas një regjisure, që do ta kishin zili edhe regjisorët e Hollivudit. Ekspertët e kriminalistikës kishin grumbulluar përvojat globale të botës së krimit. Romancierët kishin shërbyer për hartimin e skenarëve që lidhin krimet imagjinare me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjeografët dhe topografët kishin vënë pikat e "kontaktit" të këtij krimi, duke formuluar si në një roman policesk emrat e vendeve, si "shtëpia e verdhë", "shtëpia e bardhë", e kështu me radhë. Agjentët e shërbimit të fshehtë ishin marrë me përpunimin e "dëshmitarëve", duke i dërguar ata për "rikunicion" në "vendin e krimit". Ata kishin ofruar gjithashtu emrat dhe vendvendosjen e UÇK-së gjatë viteve 1998-1999. Ndërsa prokurorët më në fund kanë kopsitur dosjet, duke zbardhur "dëshmitë" e shërbimit sekret, emrat e vendeve që kanë ofruar gjeneralët e topografët, teatrin e ngjarjeve të ofruar nga shkrimtarët, ekspertët e krimit dhe policët e kësaj fushe etj., gjë që e konfirmon kryeprokurori serb për Krimet kundër Njerëzimit (më saktë për mbrojtjen e krimeve kundër njerëzimit) Vladimir Vuçkeviç. Më pas kanë hyrë në lojë edhe tre elementë të tjerë: Specialistët e përhapjes së gënjeshtrës, Ministria e Financave dhe të shiturit e tipit Dick Marty në Europë.

Nëse do të shihnim katalogun e botimeve antishqiptare, të cilat Serbia i ka servirur në Europë, mund të numëroheshin me mijëra të tilla dhe në to nuk do të gjendet asnjë fakt, asnjë argument, asnjë e dhënë e së vërtetës. Këto botime kanë për autorë kryesisht akademikët, priftërinjtë, intelektualët e shkrimtarët serbë. Ndërsa në këto kohë, regjia ka mundur që të ndërrojë taktikë. Duke qenë se bota demokratike nuk i beson më fantazitë, shpifjet dhe trillimet e Beogradit, ka mundur që të gjejë shërbëtorë në Europë. Bën përshtypje fakti se shërbëtorët më të zellshëm janë gjendur në vendet mike të shqiptarëve si Zvicra e Austria. Më parë se Dick Marty, akuzat e sotme i kishte shpallur më 2008 ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte. Ajo botoi librin e saj proserb e antishqiptar "Gjuetia" dhe pa përmendur asnjë fakt shpalli se UÇK ishte inkriminuar në akte terroriste të paimagjinueshme, siç ishin vrasja e 100-300 serbëve, organet e brendshme të të cilëve na qenkëshin transplantuar në një shtëpi diku në Mat. Ndërsa tani kryeprokurori serb flet për 500 viktima të etnisë serbe. Por për ekspertët e paanshëm, kjo akuzë është vlerësuar si absurde, qoftë dhe për faktin se ishte krejt e pamundur kryerja e një operacioni të tillë në majën e një mali, ku nuk kishte asnjë lloj klinike të specializuar. Megjithatë rrena e Del Pontes mori dhenë. Behgjet Pacolli ishte betuar se do ta hidhte në gjyq ish-prokuroren e Zvicrës, por nuk ndodhi kështu. Ndaj Del Ponte ka dalë përsëri këto ditë nga lëvozhga e diplomates dhe nga Argjentina ka deklaruar se Dick Marty po "provon" ato që ajo kishte shkruar dikur.

Karla del Ponte i kishte dhënë nxitje hetimeve të mëtejshme. Ishte hetuar nga ana e EULEX-it dhe ishte arritur në përfundimin se "shtëpia e verdhë" e Del Pontes nuk ekzistonte. "Hetuesit dhe prokurorët për krime të luftës në EULEX kanë hetuar rastin e ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë”, por nuk kanë gjetur dëshmi apo të dhëna që do të na bënin të besojmë se në atë lokacion ka pasur transplantim dhe operime me organe njerëzore", deklaroi dje zëdhënësja e misionit të BE-së në Kosovë, Kristina Herodes. Kjo do të thotë se krimet imagjinare të ish-kryeprokurores së Hagës ishin të paqena. Këtë fakt e kishte pohuar gjithashtu vetë ish-zëdhënësja e Prokurorisë së Hagës, duke u theksuar gjithashtu sentimentin antishqiptar të ish-shefes së saj. Një gazetar shqiptar që banon në Austri, me mbiemrin Rraxhimi, i kishte servirur asaj të dhëna të rreme e të falsifikuara, të cilat i kishte marrë nga tutorët e tij të shërbimit të fshehtë serb. Më pas Dick Marty kishte nisur një hetim. Ai njihet në qarqet europiane si person antiamerikan dhe është e mundshme që inkursionin e tij antishqiptar ta ketë nisur për shkak të këtij sentimenti. Por ai është gjuajtur njëkohësisht nga Beogradi për të shumëfishuar përpjekjet për të delegjitimuar të drejtën e shqiptarëve për liri e pavarësi. Atë që Jeremiç nuk mundi ta bënte përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është përpjekur ta bëjë përmes një individi të veshur me pushtetin e Këshillit të Europës. Marty ishte shprehur hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Më pas, kur kishte parë se nuk mund ta ndalonte rrjedhën e historisë së kësaj pjese të botës, kishte marrë funksionin e prokurorit donkishot. Kolegët e tij kanë filluar që ta vënë në dukje këtë fakt. Deputeti i Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Bernd Posselt, e quante dje Dick Marty-n një demagog, që keqpërdor pozitën e tij.

Është për t’u vlerësuar njëkohësisht fakti se mediat më prestigjioze europiane kanë bërë komentet e tyre për këto akuza dhe shumica prej tyre kërkojnë që akuzat e adresuara të provohen nga gjykatat e jo nga politikanët. Ata e vënë në dyshim vërtetësinë e akuzave të Marty-t, pasi ato mbështeten thjesht në lajme mediash, raporte të disa shërbimeve sekrete e jo në të dhëna konkrete, në prova që mund të çojnë në përfundime të tilla. Kjo lë të kuptohet se për të mbërritur deri te situata e sotme, si pasojë e shpifjeve të një zvicerani të veshur me pushtet europian, kanë kaluar disa etapa. Më parë se të mbërrihet te Karla del Ponte e Dick Marty, instituti i fantazmave në Serbi ka dezinformuar shërbime të ndryshme, personalitete të shumta, intelektualë dhe investigues të panumërt. Megjithatë vetëm dje Thaçi është shprehur se "nuk do të rrijë duarkryq". Është e paimagjinueshme pse ne shqiptarët reagojmë vetëm kur na përmendet emri e jo kur përmendemi si kolektivitet?! Shpresojmë të mos jetë vonë, që të paktën tani e tutje të investohet për ta shkatërruar përfundimisht merimangën e shpifjeve dhe trillimeve serbe. Ndoshta kjo situatë tragjike e komike mund të shërbejë së paku një herë në 100 vjet që të marrim një vendim përfundimtar: Të përballemi pa frikë me shpifjet e Beogradit, duke u kundërvënë atyre të vërtetën e pakontestuar në marrëdhëniet midis dy popujve të dënuar të jetojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›