Shqiptarët e Berlinit rrëfejnë “Ariun e Argjendtë”
Shqipëria që Joshua Martson, me mjeshtërinë e regjisë së tij dhe Andamion Murataj, me mjeshtërinë e penës, sjellin në filmin “Falja e Gjakut” është Shqipëria më e bukur që ti ke parë në çdo film apo dokumentar të realizuar për Shqipërinë. “Është e bukur jo në pamje panoramike, por në shpirt” - thotë skenaristi shqiptar, Andamion Murataj, fitues i “Ariut të Argjendtë”, në Festivalin e 61-të të Filmit në Berlin. Vetë Andamioni kishte 15 vjet që ishte larguar nga Shqipëria dhe jetonte në Amerikë. Rruga e kthimit me një projekt në mendje e drejtori dhe një herë në vendlindjen e tij në Shkodër. Aty ai zbuloi një Shqipëri 15 vjet ndryshe, aty ai zbuloi bukurinë e shpirtit të të rinjve shqiptarë, aty ai zbuloi skenarin e një filmi që do të shenjonte edhe suksesin më të madh në historinë e kinematografisë shqiptare, fitimin e një prej çmimeve më prestigjioz në kinematografisë botërore “Ariun e Argjendtë” në Berlinale. E jo më kot, regjisori dhe bashkëskenaristi, amerikani Joshua Martson, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, “Ariun e Argjentë” do t’ia dedikonte Shqipërisë së Andamion Muratajt, të Sindi Leçaj dhe të Tristan Halilajt…
Andamion Murataj: Kjo është Shqipëria e bukur në shpirt
-Publiku shqiptar, ende nuk e ka parë filmin “Falja e Gjakut” dhe sigurisht që kurioziteti për një film shqiptar, që arrin të nderohet me Çmim në Festivalin e Berlinit, është shumë i madh. Duke qenë se jeni skenaristi shqiptar i filmit “Falja e gjakut”: ky film në këndvështrimin tuaj është një film mbi gjakmarrjen apo ky fenomen është thjesht rrethanë?
-Është vështirë në fakt t’i flasësh një publiku që nuk e ka parë ende filmin. Filmi ka në qendër dy të rinj, vëlla e motër: Nikun dhe Rudinën dhe fenomeni i gjakmarrjes është një rrethanë specifike, ku ndodh veprimi dramatik. E thënë në mënyrë metaforike, ky nuk është një film me qeleshe. Në qendër të filmit janë djem dhe vajza të rinj, të bukur shpirtërisht, me ambicie për të ardhmen, që jetojnë në komoditet me internet, facebook, celular etj. Pra, nuk pasqyrohet ajo klisheja e fshatit që ne mendojmë, nuk është ai fshati mes maleve dhe deleve, por është një vend ku të rinjtë lëvizin me motora. Gjithçka që ne e pamë realisht në Shqipëri. Filmi është një mozaik i copëzave të jetëve njerëzore, që ne i prekem me dorë.
-Sa e vështirë ishte për ju të shkruanit një skenar mbi Shqipërinë?
Unë kisha 15 vjet që isha larguar nga Shqipëria. Joshuan e takova në Nju Jork (jemi miq të vjetër) dhe ai dinte, po aq sa dija unë rreth Shqipërisë. Erdhëm në Shqipëri, pa një ide të qartë se çfarë do bënim. Joshua kishte lexuar histori të ndryshme, në gazetat amerikane, mbi fëmijë shqiptarë të ngujuar. Kështu vendosëm si miq, të vinim në Shqipëri, por jo me një ide të qartë se çfarë do të bënim, apo se çfarë do të gjenim. Unë kisha projektet e mia personale, ai të vetat. Me pak fjalë, u nismë për të realizuar një film, por nuk kishim skenar. Skenarin e zbuluam gjatë rrugës dhe jeta, që pamë në udhëtimet tona nëpër Shqipëri, e tejkalonte atë që ne kishim dëgjuar në Amerikë, por edhe në Tiranë, mbi fshatin dhe mbi gjakmarrjen. Shqipërinë, që mbaja mend unë dhe Shqipëria që gjeta pas 15 vjetëve, ishte si nata me ditën. Qytetet dhe fshatrat ishin si në çdo vend tjetër në botë. Zbuluam një realitet krejt ndryshe, ku njerëzit e familjeve që ishin në gjak, bënin një jetë vitale. Ata nuk ishin kurrsesi humbës, por ishin plot shpresë për jetën dhe ky vitalitet dhe kjo dëshirë dhe shpresë për jetën, trajtohet në film. Pra prespektiva është shumë esenciale te filmi, prespektiva jepet përmes dy të rinjve, Nikut dhe Rudinës. Familjet në gjak nuk ishin vetëm familje të varfra, por ishin nga të gjitha shtresat. Pjesa më e madhe ishin futur në konflikt për arsye pronash, interesash, madje dhe për arsye banale, por në asnjë rast nuk bëhej fjalë që ata jetonin në kushte mbijetese, sigurisht që nuk e vë në dyshim, që ka dhe familje të tilla. Pra ajo që dua të them është se fenomeni i gjakmarrjes është një plagë sociale, që e përjetojnë disa shtresa të shoqërisë dhe vetëm melodramë nuk kishte në këto familje. Ne fokusohemi tek jeta e të rinjve dhe nuk merremi me dinamikën dhe kodet e kanunit, kështu që duhej një prespektivë e re këndvështrimi jetësore dhe vitale. Tek asnjë prej familjeve nuk pamë dhe nuk gjetëm situata fataliste. Niku dhe Rudina mbartin pikërisht atë që ne nuk e krijuam, por e gjetëm në të gjitha familjet që vizituam, në të gjitha diskutimet dhe takimet që patëm me ta. Shqipëria që sheh në këtë film është Shqipëria më e bukur që sheh në çdo film të realizuar mbi Shqipërinë. Është e bukur jo në pamje panoramike, por në shpirt, kështu që përvijuam ngjarjet, u kthyem në Amerikë, ku dhe kristalizuam idenë mbi filmin.
Si “i krijuat” karakteret e një familjeje shqiptare në këtë film?
Pasi kristalizuam idenë sesi do të ishte filmi, u rikthyem sërish në Shqipëri (në Shkodër), kësaj radhe për të gjetur dhe ndërtuar karakteret. Audicioni ishte një proces i jashtëzakonshëm. Joshua Martson vinte nga eksperienca në filmin “Maria Full of Grace”, fitues i “Ariut të Artë” në vitin 2004, dhe për të gjetur aktoren kryesore, që mori dhe çmimin, ‘Aktorja më e mirë’, po atë vit, Catalina Sandino Moreno, kishte zhvilluar mbi 700 audicione. Kur fillova audicionet në Shqipëri, për gjetjen e aktorëve që do të luanin, unë që tek 10, isha shumë entuziast. Prit, prit- më thotë Joshua- se kemi edhe 690 të tjera për të bërë. Kështu kaluam 1000 të parët, pastaj 2000 e më pas shkoi në 3000. Tek i 3100-ti u gjet Tristan Halilaj, e pastaj u gjet Sindi Leçaj. Mendoj se dy protagonistët janë thesare dhe kur them thesare, janë të kalibrit të aktorëve profesionistë, që fitojnë Oskar apo çmim në Berlinale, dhe për këtë jemi krenarë. Nëse ka diçka për të cilën duhet të jemi krenar, janë pikërisht këta aktorë, që kurrsesi nuk mund t’i emërtosh amator, kur sheh sesi juria e Berlinit përkulej para tyre. Ata të dy kanë qenë absolutisht kandidatët më të fortë për “Ariun e artë”, si aktorët më të mirë dhe këtë e ka shprehur dhe vetë kryetarja e jurisë, Isabela Rosselini, që dha vlerësimet më të mira për aktorët shqiptarë. Në fakt, në Shqipëri ne nuk gjetëm pak, por gjetëm shumë elementë për rolet, por Tristani dhe Sindi kishin thellësinë emocionale në mënyrën e të shprehurit. Është një dhuratë ajo çfarë ne kërkuam dhe e gjetëm sepse ne kërkonim më të mirët e të mirëve, që ta transmetonin në çdo qelizë të trupit karakterin e personazheve të tyre. Tristani dhe Sindi, jo vetëm e mbartin karakterin, por edhe e mishërojnë atë, në kuptimin që e tejkalojnë dhe e pasurojnë përtej skenarit. Por padyshim që duhet vlerësuar pikërisht puna mjeshtërore e regjisorit, Joshua Martson, i cili ua nxori në sipërfaqe këtë dhunti, duke sjellë në ekran dy personazhe të jashtëzakonshëm.