Sindi Laçej, si Rudina
Si e përjeton një vajzë 15-vjeçare, pjesëmarrjen në një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë?
Me shumë emocion, aq sa tani nuk mbaj mend se çfarë më kanë pyetur e çfarë kam thënë. Di vetëm që gjithçka më ka dalë nga zemra. Para se të performoja në tapetin e kuq, kisha shumë emocione, sa nuk arrija të kontrolloja as veten tim,e por nuk e di pse kur kalova në tapet ikën gjithë emocionet dhe fotografët që më thërrisnin “Sindi këtu, Sindi këtu”, ishte përvojë e jashtëzakonshme. Për t’u prezantuar atje, mora disa fustane nga Shqipëria, që mendoja t’i vishja, por për parakalimin në tapetin e kuq më ndihmoi Xhenin, producentja e filmit, e cila më solli katër fustane nga Londra.
U ndjeve si një aktore e madhe Hollivudi…
E madhe jo, por për mua ishte një fillim shumë i mirë drejt kësaj rruge sepse shpresoj të vazhdoj këtë rrugë. Kjo është një ëndërr që e kam pasur gjithmonë, por ky film më ka nxitur më shumë për të realizuar. Kur realizon diçka kaq të madhe, që me eksperiencën e parë arrin një gjë kaq të madhe, fillon të kesh edhe më shumë besim te vetja, se mund të shkosh edhe më larg.
Si e pe Sindin në rolin e Rudinës?
Gjakmarrjen e njihja vetëm sipërfaqësisht, aq sa mund të dinte një vajzë në moshën time që jeton në qytet. Por për të sjellë Rudinën, më kanë ndihmuar vizitat dhe takimet me shumë vajza në fshat, familjet e të cilave ishin në gjak. Në fillim ishte pak e vështirë të flisje me to, sepse duhej të gjeje mënyrën sesi t’i pyesje, që të mos i lëndoje, pasi ishte situatë delikate. Në fillim, lija ato që të hynin në bisedë, që në një farë mënyre ta kishin bisedën nën kontroll sepse realisht, as unë vetë nuk e dija se çfarë kërkoja. Historitë ishin nga më të ndryshmet, përjetimi i tyre dhe vetë ato vajza krijuan Rudinën tek unë dhe në atë periudhë, unë nuk isha më Sindi, por isha Rudina që po hynte në karakterin tim.