E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e Kosovës rrisin importet nga Durrësi

Prej 2 vitesh, tregtarët grosistë nga Kosova i janë rikthyer portit të Durrësit. Tashmë nga ky port zbarkojnë qindra tonelata me mallra të ndryshme me destinacion Kosovën. Duket se lehtësirat në taksa kanë favorizuar rritjen e fluksit të mjeteve të tonazheve të rënda me ngarkesa për në shtetin e Kosovës. Burime nga porti bënë të ditur për standard se mallrat porositen në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, kryesisht nga Italia dhe nga Zvicra. Sipas statistikave të Doganës së Durrësit, për çdo ditë në port zbarkojnë nga tragetet 10-12 kamionë të tonazhit të lartë, e një numër po aq trajlerash apo kontejnerësh. Kosovarët importojnë kryesisht produkte ushqimore nga Italia, madje dhe nga kompani prestigjioze, si Divella etj. Gjithashtu, nëpërmjet portit të Durrësit, bizneset kosovare importojnë edhe produkte e lëndë ndërtimi, prodhime elektroshtëpiake dhe karburante. Janë dy linja tragetesh, "Venturis Ferries" dhe "Venezia", të cilat tashmë funksionojnë për transportin e kamionëve të biznesit kosovar dhe atij shqiptaro-maqedonas. Mësohet se për riaktivizimin e kësaj linje të transportit të mallrave, ka ndikuar ulja e taksave portuale dhe tarifave doganore. Ato kanë favorizuar rritjen e këtij fluksi automjetesh të rënda, të cilat më parë ishin larguar për shkak të tarifave të larta. Në Doganën e Durrësit deklaruan për standard se këto mallra me sasi mbi 250 tonë në ditë kalojnë transit, ato nuk paguajnë asnjë taksë doganore, pasi i nënshtrohen këtyre taksave në vendin e tyre. Deri pak vite më parë, një pjesë e mirë e mjeteve të rënda të transportit dhe mallrave që ato transportojnë preferonin linjat me Greqinë, pasi atje gjenin shërbim më të favorshëm, por tani ndodh ndryshe. Por me ndryshimin e situatës ekonomike e politike, ata iu rikthyen portit të Durrësit. Itinerari që ata ndjekin pas mbërritjes në portin e Durrësit është linja Durrës- Morinë apo edhe Qafë-Thanë e prej andej në Kosovë. Sipas doganierëve të Durrësit, biznesmenëve kosovarë u janë rezervuar procedura të shpejta, në mënyrë që ata të përfitojnë kohë dhe të kenë të gjitha mundësitë për të udhëtuar gjatë orëve të ditës, sidomos gjatë këtyre ditëve kur kushtet e motit janë prishur. Nga ana e tyre tregtarët dhe biznesmenët kosovarë shprehen se nga ky port kanë sigurinë absolute dhe leverdinë financiare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›