E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, faktor për emrin e Maqedonisë

Autori i Lajmit: Gezim Podgorica
Risjellja në qendër të politikës e çështjes së mbetur pezull të problemit të emrit të Maqedonisë, ka bërë që të ndizen edhe një herë deklaratat e kundërthëniet e aktorëve të ndryshëm politikë. Shqiptarët duket sikur janë zgjuar, qa sa ditët e fundit të “detyrojnë” Gruevskin të mos kundërshtojë kyçjen e tyre në bisedime, ose më saktë lënien hapur të mundësisë për të propozuar dhe dhënë ndonjë mendim. Kryeministri , i cili është në fakt faktori kryesor i brendshëm i këtij stagnimi, duket se lëshoi një dorashkë mediatike duke pohuar se shqiptarët mund të japin ndonjë sugjerim. Sigurisht që shqiptarët edhe deri tani nuk i ka penguar kush të japin mendime e sugjerime, bile pa u futur brenda atyre suazave të cilat kërkon t i vendosë kryeministri ende pa u artikuluar asnjë fjalë. Problemi nuk qëndron aspak në faktin se ata mund të jenë pjesë e propozimeve apo edhe ndonjë konsulte lidhur me këtë çështje jo të vogël, por duhet patjetër të jenë pjesë integrale dhe të domosdoshme të bisedimeve dhe vendimmarrjes. Ata janë në shtetin e tyre dhe nuk mund të jenë pjesë e dëshirës së njërit apo tjetrit politikan, e rëndësisë apo e parëndësisë së një çështjeje ku jo vetëm japin, por edhe faktorizohen në peshën e tyre specifike që kanë për zgjidhjen e problemit.
Duke e parë problemin e zgjidhjes së çështjes së emrit në kontekstin nacionalist, situata jo vetëm ka mbetur e pazgjidhur deri tani, por ka përjashtuar padrejtësisht etnitë e tjera që formojnë shtetin e Maqedonisë në një pikë që është shumë kruciale. Pikërisht ky këndvështrim ka ngushtuar së tepërmi hapësirën e mundësinë negociuese pozitive, por edhe ka bërë që ai të marrë konotacione të forta nacionaliste dhe të kërkohet zgjidhja në rrugë më shumë përjashtuese se sa gjithëpërfshirëse. Mbrojtja me çdo kusht e emrit të Maqedonisë është perceptuar si mbrojtje e identitetit maqedonas nga frymëzuesit nacionalistë të cilëve u prin Gruevski . Kjo pastaj është parë në mënyrë shumë spekulative edhe si një mundësi për të treguar se ky shtet është vetëm i maqedonasve. Jo rastësisht pra shqiptarët përjashtohen nga diskutimi e vendimmarrja në këtë çështje, ose ironikisht ftohen për të dhënë mendime e sugjerime, por jo në kuadrër institucional e me statusin që u takon. Pikërisht ndaj këtij standardi është e nevojshme të reagohet, para së gjithash për të mbrojtur të drejat shteformuese që u takojnë shqiptarëve, po edhe legalitetin e tyre në të gjitha institucionet vendimmarrëse. Nuk mund të ketë nën një çati të përbashkët çështje të ndara përballë problemesh kaq përcaktuese , probleme të shqiptarëve dhe jo shqiptarëve, probleme të maqedonasve dhe jo maqedonasve . Përjashtimi që iu është bërë deri tani përpos të gjitha qëllimeve të tjera, fsheh synimin për të bërë defaktorizimin e tyre nga jeta politike e vendimarjet e rëndësishme. Reagimi i faktorit politik shqiptar ka qenë shumë i zbehtë , duke u krijuar një komoditet absurd qarqeve ekstremiste nacionaliste .
Që prej vitit 1995 ky diskutim ka pësuar baticat e zbaticat e tij, por shqiptarët asnjëherë nuk kanë këmbëngulur në përfshirjen institucionale për zgjidhjen e kontestit të emrit, duke u arsyetuar se ky është një problem i maqedonasve. Në një shtet të të gjithëve dhe ku etnia e dytë shtetformuese ka një peshë mbi 30 për qind është i paperceptueshëm arsyetimi i një problemi të njëanshëm dhe vetëm të maqedonasve. Gabimisht kjo çështje është parë si problem etnik dhe ka hyrë në këtë hulli diskutimi e mundësie zgjidhjeje, duke imponuar shumë pak luajalitet dhe zvogëluar opsionet. Karta etnike përveç se ka vonuar siç po ndodh zgjidhjen, ka bërë që t i japë hapësirën e pamerituar orekseve nacionaliste që nuk kanë ngurruar si edhe në raste të tjera të përpiqen për të defaktorizuar shqiptarët.
Deklarata e fundit e Gruevskit nuk është aspak ndryshim qëndrimi nga konstantja që ka treguar në vijimësi ai në raport me shqiptarët, prandaj i mbetet lidershipit politik shqiptar të mos rrijë i mënjanuar, por të kërkojë ai përfshirjen institucionale në diskutime e vendimmarrje. www.lajmpress.com
Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›