E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fantazma e viteve gjashtëdhjetë

Nga “Wall Street Journal”

E shkuara nuk mund të parashikohet kurrë, e aq më pak mund të bëhet kjo, kur bëhet fjalë për të majtën gjermane. Dy vjet më parë mësuam se shkrimtari novelist, Günter Grass - një kritik i ashpër i gjithçkaje fashiste, sidomos Amerikës - dikur kishte qenë vetë anëtar i forcave naziste, Waffen SS. Tani vjen një zbulim tjetër që hedh dritë të re mbi trazirat politike dhe sociale radikale në fund të viteve ‘60.

E papritura historike ka lidhje me një pikë kthese, efektet e së cilës u ndien në Evropë dhe më tej. Më 2 qershor 1967, një polic i Gjermanisë Perëndimore qëlloi për vdekje një student letërsie 26-vjeçar të paarmatosur mbrapa koke gjatë një proteste në Berlinin Perëndimor kundër vizitës së shahut të Iranit. Benno Ohnesorg u bë “martiri i parë i të majtës” (sipas të përjavshmes “Der Spiegel”). Momentet e fundit të jetës tij të fiksuar në një fotografi të famshme galvanizuan një brez studentësh të majtë dhe aktivistësh që u ngritën në vitin simbol, 1968. Kjo masë periferike përqafoi terrorizmin.

Për ata, vrasësi i tij, Karl-Heinz Kurras, ishte një “polic fashist” në shërbim të një “shteti fashist” pro-amerikan, kapitalist. “Sistemi post-fashist është kthyer në sistem para-fashist”, - deklaroi Unioni i Studentëve Socialistë gjermanë në orët e tyre të akuzave pas vrasjes. Lëvizja fitoi legjitimitet dhe vrull nga vrasja e Ohnesorg-ut. Një arsye më tepër për nxehjen e gjakrave, zoti Kurras u la lirë nga gjykata dhe u kthye në punën si polic.

Tani gjithçka është kthyer kundër tij. Javën e kaluar, një çift historianësh gjermanë zbuluan të vërtetën për zotin Kurras. Që nga viti 1965 ai kishte punuar për Stasin, policia sekrete e tmerrshme e Gjermanisë Lindore. Sipas arkivave voluminoze të Stasit, pseudonimi i tij ishte Oto Bohl. Dosjet nuk e thonë, nëse ai u urdhërua apo jo të bënte atë që bëri në 1967, megjithatë kjo shton spekulimet për ekzistencën e dorës së Stasit pas ngjarjeve transformuese pas luftës në Gjermani.

Zoti Kurras, që është 81 vjeç dhe jeton në Berlin, i tha gazetës “Bild am Sonntag” se ai ishte anëtar i Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore. “Duhet të kem turp për këtë apo çfarë?” Ai nuk pranoi të ishte paguar për spiunimet për Stasin, por pyeti: “E çfarë nëse punova për ta? ǒrëndësi ka? Kjo nuk ndryshon asgjë.” Ziti Kurras mund të jetë monstër në imagjinatën e së majtës - por tani rezulton që ai është në radhët e tyre.

Ky zbulim ka vlerë për t’iu përgjigjur pyetjes së tij të fundit. Ai diskrediton edhe një herë pretendimet e së majtës së ashpër të vitit 1968, të trashëguara në kohën tonë si protesta antiglobaliste, se tregu i lirë dhe demokracia liberale janë disi “fashiste”. Kjo lloj jotolerance është në thelb e prirur drejt dhunës. Trashëgimtarët e vërtetë, të dhunshëm, të nacionalsocializmit dhe Gestapos ishin regjimi i Gjermanisë Lindore dhe Stasi, sovjetikët dhe KGB. Dhe në vazhdim, disa nga grupet terroriste që u shfaqën nga radikalizmi i viteve ‘60.

I pranishëm në Berlin atë ditë qershori në 1967 ishin Ulrike Meinhof dhe Gudrun Ensslin, të cilët themeluan “Baader-Meinhof Gang,”, ndryshe Red Army Faction. Nga 1968 deri në 1991, RAF bëri dhjetëra pengmarrje, bombardime dhe vrasje - të gjitha për të luftuar “rrënjët e kapitalizmit” dhe një “shtet nazist”. Siç shkruan historiani i 1968, Paul Berman, organizata terroriste më e famshme e lindur në këtë periudhë ishte Organizata për Çlirimin e Palestinës. Analogjia e saj në SHBA ishte “Weather Underground”.

Disa u rritën dhe u ndanë. Disa vazhduan të shikonin anën e errët të saj. Një nga sinjalet e para erdhi në Lojërat Olimpike të Munihut më 1972, kur njerëz të armatosur të OÇP, të ndihmuar nga një grup i majtë gjerman, Celulat Revolucionare, morën peng dhe vranë 11 atletë dhe trajnerë izraelitë. Botimi i “Arkipelagut Gular” të Aleksandër Solzhenicinit në 1974 ishte një tjetër sinjal. E kështu ishte Pol Poti, varka e popullit vietnamez, dhe lista vazhdon.

Amnezia historike na bën të përsëritim gabimet. Veçanërisht në Amerikë, ku shumë njerëz i harruan shpejt leksionet e Luftë së Ftohtë dhe 11 shtatorit. Më shumë se vendet e tjera, gjermanët janë të dënuar me një histori të gjallë. Kjo ofron të papriturat që detyrojnë një riekzaminim të rreptë të së shkuarës dhe së tashmes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›