E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e larta regjistrojnë viktimën e parë

Autori i Lajmit: red.
Temperaturat e larta që po përshkojnë vendin tonë ditët e fundit janë kthyer në një problem serioz për shëndetin e shumë personave. Gjendja është më kritike në ato vende ku klima është më e butë. Temperaturat e larta të ditëve të fundit, të pazakonta për klimën e freskët malore të rajonit të Korçës, për fat të keq, kanë sjellë dhe një viktimë. Një i ri, vetëm 29 vjeç, ka vdekur si pasojë e një ataku kardiak, i cili sipas mjekëve, mendohet të jetë shkaktuar nga vapa e madhe. Olger Sulollari ka vdekur gjatë rrugës për në spital, teksa është transportuar nga familjarët për ndihmë mjekësore në urgjencën e qytetit. 29-vjeçari është ndjerë keq, ndërsa nuk ka mundur të durojë vapën e madhe, e cila vetëm një ditë më parë ka regjistruar në termometrin e juglindjes, 27 gradë celcius. I riu ka shkuar në shtëpi gjatë kohës së drekës si çdo ditë tjetër, ndërsa u ka thënë familjarëve se nuk mund të përballonte këtë vapë, e cila e kishte bërë të ndihej keq që në orët e para të mëngjesit. Ai gati ka rënë pa ndjenja në shtëpi, ndërsa të afërmit e tij, të alarmuar, e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Korçës. Rezultatet e autopsisë kanë dalë në përfundimin se vdekja ka ardhur si pasojë e një ataku të papritur kardiak, që mund të jetë nxitur nga vapa e pazakontë. Gjatë kësaj periudhe temperatura tradicionale në Korçë është rreth 17 gradë celcius, ndërsa për herë të parë regjistrohen temperaturat e një dite korriku. Po vazhdon ende ekspertiza për të dhënë një version më të qartë për shkaqet e vdekjes, por sipas bluzave të bardha, vdekja ka ardhur si pasojë e vapës. Sipas dëshmive të familjarëve, i riu nuk kishte shfaqur më parë probleme të kësaj natyre, por me rritjen e temperaturave ai kishte filluar të ndjente këputje trupi deri në momentin fatal kur ka rënë në tokë pa ndjenja. Ky nuk është rasti i parë, pasi në urgjencën e spitaleve çdo ditë paraqiten raste me çrregullime shëndetësore si pasojë e temperaturave të larta. Më të prekur nga temperaturat janë moshat e treta dhe fëmijët.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›