Shqiptarët faktor stabiliteti, territori i Kosovës i pacënueshëm

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani deklaroi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit garanton një bashkëjetese harmonike mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni.
“E vlerësoj kontributin e shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe stabilitetin e Maqedonisë duke cilësuar në veçanti zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një moment të rëndësishëm që garanton standardet demokratike evropiane dhe bashkëjetesën etnike në harmoni”, theksoi Nishani.
Presidenti Nishani gjithashtu ritheksoi se shqiptarët në rajon janë faktori më i rëndësishëm për stabilitetin e tij, sepse ata ndikojnë pozitivisht në zhvillimet pozitive të shteteve ku jetojnë, me synim integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këto komente ai i bëri pas një takimi me Zëvendës kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Musa Xhaferri, transmeton Ina.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Xhaferri u shpreh se Marrëveshja e Ohrit është historike pasi të dyja palët kanë rënë dakord që të jetojnë së bashku, me kusht që të jenë të barabarta, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë lëshime në zbatimin e plotë të saj.
Të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe se ndryshimi i kufijve do të destabilizonte të gjithë rajonin./Indeksonline/