E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaret kontribut ne ekonomine italiane

Deri në fillim te vitit të kaluar kanë rezultuar 220 mijë e 473 emigrantë shqiptarë të regjistruar që punojnë në Itali. Këto statistika të përpunuara nga burime të ndryshme italiane tregojnë se shqiptarët janë pjesa më e madhe e të huajve në shtetin fqinj që kontribuojnë më shumë me bizneset e tyre në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Italisë nga 12,1 % në vit që realizohet nga të gjithë emigrantët. Të huajt që kanë hapur biznese të suksesshme në Itali janë shqiptarët, marokenët, rumunët dhe kinezët. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve private të emigrantëve ndeshet në Veri dhe Veriperëndim, ku operojnë 36,7% e totalit të biznesmenëve emigrantë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Italian të Statistikave, biznesmenët shqiptarë në Itali deri më 2010 rezultonin në 26 611, të cilët operojnë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Në këtë mënyrë, referuar shifrave zyrtare të ISTAT, Shqipëria zë 10,6% të biznesit të emigrantëve në Itali. Sektorët e ekonomisë ku operojnë emigrantët janë: ndërtimi (37,4%), tregtia (34,8%), zanatet e ndryshme (9,9%), aktivitete shërbimi (4,3%) dhe transporti (3,8%). Sektori imobiliar vërehet të jetë prioritet i emigrantëve që vijnë nga Ballkani dhe Europa Lindore ku edhe këtu evidentohen emigrantët shqiptarë. Duke e konsideruar të një rëndësie të veçantë për ekonominë italiane kontributin e biznesit të emigrantëve, Italia ka iniciuar për të katërtin vit radhazi evenimentin për të dhënë çmimin Money Gram Aëard, çmim për Bizneset e Emigrantëve në Itali që do të konkludohet më 14 qershor në Romë. Është e vetmja iniciativë e këtij lloji në shtetin fqinj. Sipas të dhënave zyrtare, numërohen 400 mijë biznesmenë të huaj në Itali, që me punën e tyre kontribuojnë në ekonominë italiane. Çmimi në fjalë është ideuar nga MoneyGram, që në edicionet e kaluara ka ngjallur një interes të madh në nivel kombëtar, ka për objektiv që të promovojë më të mirët e ndërmarrjeve që drejtohen nga biznesmenë të huaj në Itali.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›