E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, mbështetje Qatos për duelin e madh

Edhe pse do të ngjitet në ring me mijëra kilometra larg vendlindjes, Kreshnik Qatos nuk do t’i mungojë mbështetja e tifozëve shqiptarë.

Në fakt, kanë qenë të shumtë bashkëkombësit tanë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë prenotuar bileta për duelin e 20 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga Kasandra Uajt, drejtuesja e kompanisë “Babie-Girl-Production”, që në bashkëpunim me “Yldon” shpk, kanë organizuar ndeshjen ku boksieri durrsak do të mbrojë kurorën e kampionit të botës për peshat e mesme në versionin WBF kundër David Estradas.

Për 30-vjeçarin nga Shqipëri, spektakli në kompleksin sportiv, “Burr Arena” të universitetit “Hauard” në Uashington D.C., do të shënojë edhe debutimin në ringun amerikan.

Promotorja Uajt, e cila spikat si një femër që ka guxuar dhe ka shkëlqyer në një sport të dominuar nga meshkujt, konfirmoi se reagimi për këtë sfidë ka qenë i jashtëzakonshëm.

Ajo nënvijëzoi faktin se komuniteti shqiptar ka qenë padyshim më i interesuari, ku të pranishmit në arenë nuk do të vijnë vetëm nga Uashingtoni, por edhe nga shumë qytete të tjera përtej Atlantikut. “Sportdashësit kanë reaguar në mënyrë të jashtëzakonshme për evenimentin e 20 dhjetorit (të shtunën)”, tha Uajt. “Këtu dëshiroj të veçoj interesimin e komunitetit të shqiptarëve në kryeqytetin e vendit (SHBA-së), në Uashington, por edhe nga shqiptarët që banojnë në qytete të tjera. Unë mund të përmend këtu vetëm disa prej tyre, si Filadelfia, Detroit, Boston apo Çikago, nga të cilat kemi marrë një numër të madh telefonatash për të rezervuar biletat për këtë mbrëmje”.

Më tej, drejtuesja e kompanisë amerikane foli edhe rreth duelit. Ajo preferoi të mos bënte asnjë parashikim rreth fituesit, duke thënë vetëm se pret një duel të bukur: “Besoj se të dy boksierët përballen me një sfidë të fortë dhe kjo më bën të them se pikërisht për këtë arsye do të shijojmë një duel të bukur. Si gjithmonë, unë jam me moton ‘Le të fitojë më i miri’”. Ndeshja e Kreshnik Qatos është më e rëndësishmja e mbrëmjes dhe do të shoqërohet nga tri ndeshja të tjera të boksit profesionist, tri ndeshje të boksit amator dhe tri ndeshje të arteve marciale. Vlera financiare e këtij aktiviteti, që ka edhe një mision humanitar (largimi i të rinjve nga jeta e rrugës e krimit dhe afrimi drejt sportit), besohet se kap shifrën e 500 mijë dollarëve amerikanë.



AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›