E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, më të padëshiruarit e BE-së në Ballkan

Lëvizja Evropiane në Shqipëri, EMA, publikoi dje raportin mbi monitorimin e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, i cili vëren se shqiptarët janë me të padëshiruarit në Ballkan për të hyrë në vendet “Shengen”. Shtetasit shqiptarë, sipas këtij raporti, në gjashtë muajt e parë të vitit kanë një refuzim më të madh të vizave me vendet e BE-së, ku rreth 26 për qind e aplikimeve nuk pranohen. Një tjetër problem për shtetasit shqiptarë ka qenë edhe pagesa për vizën për të cilën u është dashur të paguajnë 9 mijë lekë për vizë, ndryshe nga sa parashikonte marrëveshja. Sipas raportit, kjo shtesë ka ardhur për shkak të përgatitjes së listës së dokumentacionit që kërkohet për vizë si dhe pagesa prej 35 eurosh që i bëhet ambasadës. “Viza “Shengen” për qytetarët shqiptarë mbetet ende shumë e shtrenjtë”, - tha drejtori i këtij projekti, Ilir Qorri. Refuzimi i vizave ka pasur si shkak të parë mangësitë në dokumentacion. Raporti nuk ka specifikuar këto mangësi, pra në rast se kanë ardhur për shkak të problemeve të sigurisë së dokumentacioneve apo për shkak se vetë qytetarët shqiptarë nuk janë korrektë me dokumentet që u kërkohen nga ambasadat. Rreth 8 për qind e refuzimeve të vizave kanë ardhur për shkak se mjaft qytetarë janë tërhequr për marrjen e vizës për shkak se u është dukur e shtrenjtë. Vendet e tjera të Ballkanit që kanë të njëjtën marrëveshje me BE-në për lehtësim vizash, kanë një mesatare refuzimi prej 14 për qind.

Raporti

Raporti i EMA-s ka monitoruar Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave për gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe ka vërejtur problemet që kanë hasur shqiptarët gjatë kërkesës për vizë në ambasadat e BE-së. Një defekt që raporti u drejton vendeve të BE-së, është fakti se procedurat nuk janë të unifikuara siç parashikon marrëveshja, por çdo ambasadë aplikon edhe kushte të tjera. “Megjithëse pritej të sillte ndryshime në procedurat e pajisjes me vizë për shtetasit shqiptarë, këto procedura vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të paharmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme “Shengen”, - thuhet në raport, i cili shton se marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave “Shengen”. “Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave ka sjellë një impakt pozitiv tek qytetarët që i përkasin të paktën njërës prej kategorive që përfitojnë nga regjimi i lehtësuar i vizave. Kjo kategori refuzohet 21%, ndërsa aplikantët që nuk i përkasin asnjë prej kategorive të Marrëveshjes refuzohen 30%. Megjithatë, shkalla e refuzimit të Shqipërisë vazhdon të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 14%”, - vazhdon raporti.

Refuzimi i vizave

Shqipëria 26%

Serbia 13%

Maqedonia 11%

Mali i Zi 6%

B&H 4%

Arsyet kryesore të refuzimit të vizave

Mangësi në dokumentacion 58%

Konsullata mendon që aplikanti

ka një qëllim tjetër nga ai i deklaruar 11%

Mungesë e mjeteve të

mjaftueshme financiare 8%

Aplikimi është kryer më pak se 1

vit nga refuzimi i mëparshëm 4%

Arsye të tjera 19%

Qëllimet e udhëtimit nga qytetarët e Ballkanit

Turizëm 26%

Biznes 25%

Vizitë tek të afërmit 22%

Edukim/Trajnim 7%

Shkëmbime kulturore 7%

Vizitë tek miqtë 5%

Punësim 5%

Arsye të tjera 2%

Reagimi, BE-ja: Marrëveshja po zbatohet mirë me Shqipërinë

Përfaqësues të ambasadave të vendeve të BE-së, të pranishëm në prezantimin e raportit të EMA-s për Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave, reaguan duke thënë se vendet e tyre po e zbatojnë këtë marrëveshje. Përfaqësuesi i ambasadës franceze, Bernard, e cila ka edhe presidencën e radhës së BE-së, foli në emër të Unionit duke thënë se “marrëveshja po zbatohet mirë me Shqipërinë”. Ndonëse të pranishmit në këtë takim, por edhe raporti, kritikojnë vendet e BE-së të cilat nuk ndjekin një procedurë të njëjtë për këtë marrëveshje, përfaqësuesit diplomatikë nuk pranuan ta komentonin. Përfaqësuesi i ambasadës franceze vuri theksin në zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje lehtësimi vizash, në mënyrë që Shqipëria të arrijë ta bëjë realitet Marrëveshjen e Liberalizimit të plotë të Vizave. Ai nuk pranoi të komentonte raportin në tërësi, por tha se vendet e “Shengenit” u janë përmbajtur kushteve që u janë kërkuar. Drejtuesi i kësaj tryeze, Ditmir Bushati, u sugjeroi anëtarëve të ambasadave që të “unifikonin procedurat në mënyrë që qytetarët ta kenë më të lehtë”. Ai mori shembullin e ambasadës hungareze, e cila procedurat e pagesës i bën në rrugë bankare dhe më të shkurtër.

Ferit Hoxha: Shifrat janë paraprake, jemi drejt liberalizimit të plotë

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, i pranishëm dje në prezantimin e raportit të EMA-s për MLV-në, tha se vendi është në rrugë të mbarë “për liberalizimin e plotë të vizave”. Hoxha nuk komentoi shifrat e raportit të nxjerrë nga EMA dhe në rast se ato ishin reale apo të fryra, por bëri një sugjerim, duke thënë se shifrat janë publikuar para kohe. “Kërkimet tuaja duhej të ishin bërë pas disa muajsh. Dëshira juaj për të nxjerrë një konkluzion është pak e parakohshme dhe mendoj se në pranverë, kur të bëhet edhe një vit nga marrëveshja, mund të kishim një konkluzion”, - tha Hoxha i cili shtoi se minimalisht duhej pritur një vit për të parë si ka ecur marrëveshja. Më konkretisht, pasi sipas tij, është e nevojshme kjo shtrirje në kohë. Hoxha tha më tej se marrëveshja po ecën me kushte të mira mes vendeve të BE-së dhe Shqipërisë, që sipas tij, është një kusht i rëndësishëm për të pasur më vonë një marrëveshje për liberalizim të plotë. Ai garantoi më tej se detyrat e shtëpisë të qeverisë shqiptare do të përmbushen siç është realizimi i dokumenteve të sigurta, si karta dhe pasaporta biometrike, kontrolli i kufijve, lufta kundër korrupsionit si dhe realizimi i reformave. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme tha më tej se nga marrëveshja aktuale e lehtësimit, mjaft qytetarë shqiptarë kanë përfituar, ku kanë qenë 20 kategori shoqërore që kanë pasur lehtësira. “Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave është një hap i mirë drejt liberalizimit të plotë të vizave. Nëse në vitin 2003, në samitin e BE-së bëhej fjalë për disa kategori, në negocimin e vitit 2007 kemi arritur në rreth 20 kategori. Do të thosha se nga ato 20 kategori që përfshihen, është më shumë sesa gjysma e shoqërisë shqiptare e përfshirë në këtë skemë”, - tha Hoxha.

Bregu: Vizat nuk varen vetëm nga ne, reforma në drejtësi do kalojë

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ishte dje e pranishme në Komisionin e Integrimit ku raportoi në lidhje me progres-raportin e BE-së për Shqipërinë. Ministrja u pyet nga deputetët e majtë në lidhje me një datë konkrete për liberalizimin e vizave, por Bregu, duke këmbëngulur se kjo nuk është kompetencë e saj, tha se “çështja e vizave nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga BE-ja”. Ajo shtoi më tej se qeveria do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj. Një tjetër çështje e diskutuar në komision, ishte edhe reforma në drejtësi. Bregu u shpreh e sigurt se kjo reformë do të kalojë. “Ligji për prokurime ka marrë konsensusin e të gjitha palëve, edhe të misionit EURALIUS, dhe së shpejti do të vijë në Kuvend”, - tha ajo. Në komision plasi edhe një debat për lirinë e medias. Deputeti Taulant Balla tha se “progres-raporti citon se ka pasur dhunë selektive ndaj medias nga ana e qeverisë”. Por ministrja Bregu, e cila u përfshi në një debat të ashpër me Ballën, tha se “raporti s’përmend aspak emrin e qeverisë”. Kryetari i Komisionit të Integrimit, Ilir Meta, tha se nuk ka një vizion të qartë për reformën në drejtësi. “Progres-raporti e shpreh qartë që mungon një vizion për reformën në drejtësi dhe në gjyqësor, mungon një strategji e gjerë, pavarësisht nga ndonjë ligj i veçantë. Mendoj se ky është edhe thelbi i shqetësimit më të madh për të ardhmen, ashtu sikurse tregohet qartë që mbështetja në buxhet, për funksionin e gjykatave, është krejtësisht e pamjaftueshme, niveli i ekzekutimit të vendimeve nga përmbarimi është tepër i mangët dhe në përgjithësi ka probleme me funksionimin e gjyqësorit”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›