E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli dhe homologu boshnjak, lobing për më shumë fonde në Ballkan

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur dje në një vizitë zyrtare homologun e saj të Bosnjë-Hercegovinës, Niko Lozançiç, ku të dyja personalitetet morën vendim që të bëjnë lobing që BE-ja të shtojë fondet për vendet tona. Duke sqaruar këtë pikë, Topalli tha: “Folëm me kryetarin e Parlamentit mbi nevojën e lobimit që ne vendet e Ballkanit të marrim nga BE-ja fonde të rëndësishme për infrastrukturën e Ballkanit. Deri në këto momente, ne nuk kemi arritur të marrim fonde të mëdha për infrastrukturën dhe të gjitha këto takime, duke filluar nga Bullgaria, Maqedonia e Bosnje-Hercegovina, janë të fokusuar për ta parë me një këndvështrim të veçantë se si ne të lobojmë për të arritur që të bindim Komisionin Evropian, Bashkimi Evropian për të sjellë më shumë investime financiare, për projekte të rëndësishme infrastrukturore në Ballkan”. Sipas saj, BE-ja ka investuar në fushën diplomatike, politike dhe atë ushtarake e tani është radha dhe momenti që të mendojnë seriozisht për të investuar në infrastrukturën e Ballkanit.

Një tjetër pikë e diskutuar mes dy personaliteteve ka qenë edhe heqja e vizave mes dy vendeve tona. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë Topallit, krahas heqjes së vizave, rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe dinamizimi i përpjekjeve të përbashkëta rajonale për tërheqjen e financimeve të BE-së për infrastrukturën e Ballkanit ishin temat kryesore ku u fokusua biseda mes dy krerëve të parlamenteve, në vijim të bisedës që ata zhvilluan në Sarajevë në vizitën e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë në korrik të këtij viti. Kryetari i Kuvendit boshnjak, vlerësoi situatën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. “Jemi dakord me atë që të dyja vendet tona kanë gjëra të përbashkëta. Kanë të njëjtat objektiva dhe mendojnë me të njëjtën mënyrë. Së bashku duhet të kërkojmë nga qeveritë tona dhe të përshpejtojmë procedurat e negocimit në mënyrë që të liberalizohet sistemi i vizave dhe në fund të arrihet heqja e vizave midis dy vendeve tona”, - tha Lozançiç. Nga ana e saj, Topalli bëri të ditur se vendi ka bërë hapa para me reformat. “Jam shumë e kënaqur që kemi pasur një ritëm unik të ratifikimit të MSA-së dhe është e rëndësishme që vendet e rajonit të bashkëpunojnë për përshpejtimin e integrimit rajonal në NATO dhe në BE, gjë që do t’i shërbejë rritjes së mëtejshme të stabilitetit dhe zhvillimit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen dhe përvojën tonë në këtë proces”, - tha kryetarja e Kuvendit. Duke folur për çështjen e Kosovës, Topalli tha se Shqipëria mbështet pa asnjë rezervë autoritetet e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se “këto autoritete që kanë legjitimitetin për marrjen e vendimeve në raport me Republikën e Kosovës dhe zhvillimet në të”. Më tej, biseda u përqendrua në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, por edhe mes vendeve të rajonit, ku u theksua se shtetet e Ballkanit duhet t’i japin një dinamikë të re bashkëpunimit për të nxitur Bashkimin Evropian të financojë korridoret e rëndësishme rajonale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›