E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edit Durham, zbulohen çentrot që thuri në Shqipëri

Ajo ishte një grua e fortë, me kurajë, energjike, e dhënë pas aventurës, pas të shkruarit, pikturës... Ishte një grua që ndryshe nga të tjerat, jeta e saj nuk rrodhi "normalisht": bashkëshort, fëmijë, nënë e përkushtuar, jetë e qetë mes leximit dhe qëndismave... Zgjodhi të kundërtën. Jeta e udhëtares, artistes dhe shkrimtares britanike Edit Durham, që nga koha kur la pas Anglinë, mori një tjetër kthesë. Për 20 vite ajo udhëtoi "dendur" nëpër Ballkan. Punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi... Iu kushtua veçanërisht Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Vepra që Miss Durhami la pas dhe gjithë përkushtimi ndaj shqiptarëve nuk mbeti pa u vlerësuar. E quajtën "Mbretëresha e Pakurorëzuar e Malësorëve". Kjo është njëra anë, e cila njihet mirë prej shumëkujt. Ana tjetër, jeta personale e kësaj figure të rëndësishme mbetet më pak e njohur. E sërish, edhe nëse nuk do të ishte kështu, një zbulim i ri do të ngjallte gjithsesi kureshtjen. Dje paradite, Frederik Stamati, specialist në restaurim dhe arkeometri, zbuloi se kishte përfunduar së restauruari katër çentro të endura në vegjë nga vetë Edit Durhami. Një fakt kureshtar ky i të gjendurit përballë një objekti personal të një personazhi të njohur. Shpesh dëgjojmë se të tilla shiten në ankand me çmime marramendëse, ashtu siç shpesh dëgjojmë se të tjerë i ruajnë me fanatizëm. I tillë është edhe rasti i trashëgimtarëve të familjes Libohova, të cilët për vite me radhë i kanë ruajtur këto çentro të endura prej saj. Pasi ka bujtur në shtëpinë e tyre, e pasi ka qëndruar në odën e miqve, me t‘u larguar ajo i ka lënë aty ato çentro. Ndoshta për t‘i falënderuar mikpritësit shqiptarë, një mënyrë për t‘u thënë se si ajo, britanikja në Shqipëri, e vlerësonte tepër nderin që shqiptari dinte t‘i bënte mikut. "Kemi fatin të identifikojmë këto punime në vegjë të Miss Durhamit gjatë kohës që ajo ka qëndruar në Shqipëri. E rëndësishme është që ne mësojmë një dimension të ri të kësaj figure të shquar", thotë Frederik Stamati. "Ky fakt na shtyn të mendojmë se nëse ne do të kërkonim mjaftueshëm, mund të gjejmë nëpër Shqipëri objekte të cilat na japin aspekte të reja të panjohura të personazheve të ndryshëm që pasurojnë njohuritë tona mbi personalitete të ndryshme", shton më tej ai.

Stamati vijon më tej duke komentuar se këto çentro janë të punuara me fill të pambuktë, të realizuara me ngjyra e me motive gjeometrike. "Ky është një rast interesant, pasi ato mund të quhen fare mirë si dokumente origjinale që na japin dëshmi për një aktivitet të cilin ne nuk e kemi pasur të reflektuar në dokumentet tona mbi Edit Durhamin", vijon ai. Ngjyrat që ajo ka zgjedhur t‘u japë këtyre çentrove, janë kryesisht e kuqja, jeshilja dhe bluja, ndërsa sa u përket figurave, sipas Stamatit, ende nuk është vërtetuar nëse janë motive shqiptare, apo motive të sjella prej vendit të saj.

Çentrot e Miss Durhamit, pas restaurimit i janë kthyer sërish familjes Libohova, të cilët gjatë kohës kur "Mbretëresha e Malësorëve" u prit prej tyre, jetonin në atë që sot quhet shtëpia e Toptanëve në Tiranë. Dhoma ku ajo bujti ekziston akoma edhe sot. Oda e miqve, sot thuajse e shkatërruar, me pak detaje të bukura të ruajtura prej së shkuarës, tani se ç‘merr një tjetër kuptim... Aty ka qëndruar zonja fisnike nga Anglia!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›