E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët mes Bllazhes dhe Beqirit

Prej të mërkurës së shkuar, shqiptarët janë ndjerë edhe 1000 herë më të fyer dhe të denigruar se ç'kanë qenë.


Enciklopedia e Akademisë së FYROM-it, apo Maqedonisë, siç ia themi bujarisht emrin, vendit të papranuar askund, i quante shqiptarët njerëz që erdhën nga malet e Shqipërisë dhe të Kosovës, që u shtuan nga pjellja dhe zunë tokat e trojet maqedonase. Shqiptarët u tërbuan.


Akademikët thanë se nuk do të shkelnin më në dyert e akademisë maqedonase, partitë politike kërcënuan se do ta "hidhnin në erë" qeverinë e brishtë të Gruevskit, nëse teksti nuk tërhiqej nga tregu, ndërsa studiuesit shqiptarë nga Tirana numëronin mëkatet e akademikëve maqedonas dhe kalonin në skaner antishqiptarizmin maqedonas.


Dje, korit antienciklopedik iu bashkuan edhe burokratët e Brukselit, të cilëve po u dhemb koka prej vitesh për kontestin e emrit mes Shkupit dhe Athinës dhe nuk duan që të kenë kokëçarje të tjera me shqiptarët e pakënaqur nga mbetja në letër prej tetë vitesh e marrëveshjes së Ohrit dhe kësaj t'i shtohet edhe fyerja kombëtare.


I vetmi që nuk është tërhequr përballë këtyre të gjithëve është redaktori i Enciklopedisë Maqedonase, akademiku Bllazhe Ristevski dhe ai është betuar se sikur qielli dhe toka të bëhen bashkë, nuk ndryshon asnjë rresht nga teksti voluminoz që prej një jave shëtit dorë me dorë.


Paralelisht me këtë vepër antishqiptare të akademikëve maqedonas, në Shqipëri ka qarkulluar teksti i Beqirit. Edhe ai si Bllazhe është ekspert për punë të historisë.


Është ai drejtori i famshëm i Muzeut Historik, që doli dhe tha se do ta zhbënte mozaikun në fasadën kryesore, ku në disa dhjetëra metra katrorë art është shkruar vizualisht historia e një populli të vuajtur dhe krenar.


Bashkë me dy të tjerë, një prej të cilëve është si ai, "Prof. Dr" - Beqiri është hartues i tekstit të historisë së Shqipërisë për vitin e katërt të gjimnazit. Prej 14 shtatorit, nxënësit e gjimnazeve kanë në dorë tekstin e hartuar prej tij dhe bashkëpunëtorëve. Po çfarë do të mësojnë ata për historinë e Shqipërisë?


Për fat të keq, edhe pse kanë lindur pas rënies së sistemit diktatorial dhe institucionalizimit të fjalës së lirë, duhet të mësojnë sipas beqirëve, një histori të shkruar në zyrat e partisë-shtet, pra të kenë pak e shumë të njëjtin fat si brezat e shkolluar në regjimin komunist, ku e vërteta historike ishte ajo që thoshte partia.


Historia e Shqipërisë aty, është historia që do Sali Berisha. Se Shqipëria është çliruar më 28 nëntor dhe se më 29 nëntor e vuri Enver Hoxha pse donte ta kishte në një ditë me Jugosllavinë e Titos, se ata të dy sipas beqirëve donin të bashkonin vendet në një shtet (Madje Beqiri kryesor ia vë këtë frazë si diçiturë përfund fotos së tyre !!).


Berisha do që 50 vite të komunizmit të mos kenë asnjë vlerë dhe Beqiri ashtu e bën. Historia e Shqipërisë e Beqirit nis më 22 mars 1992 te fitorja peblishitare e PD-së dhe katër vitet e qeverisjes së Berishës si President ishin më të ndriturat.


Piramidat nuk i krijoi PD-ja dhe nuk i mbrojti Berisha, por opozita e përdori revoltën e popullit për humbjen e 1.2 miliardë dollarëve për ta rrëzuar atë nga pushteti - thotë historia e Beqirit.


Po edhe pse doli në opozitë, PD-ja ishte nën dhunën e qeverisë së majtë, e cila demek nuk donte të ruante pushtetin, por të bënte grushte shteti dhe kështu ajo bëri 14 shtatorin për të rrëzuar veten, - mëson Beqiri, sipas të cilit vetëm kur Berisha fitoi në 2005-ën, shqiptarët panë dritën e diellit.


Në atë moment autori nuk mund ta përmbajë veten dhe shkruan e zeza mbi të bardhë: "Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD-ja dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik, çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë" (!!). Nxënësit do të lexojnë tekstin e Beqirit dhe do të ngrenë supet të çmeritur dhe me zhargonin e tyre do të pyesin: "O palle, për k'të të Gërdecit e ke llafin?".


Pastaj do të pyesin mësuesin dhe prindërit, të cilëve do t'u kujtohen tekstet që mësuan kur historinë e shkruante partia. Ndoshta do të kujtohet bashkë me Beqirin e tekstin e tij edhe enciklopedia dhe maqedonasi Bllazhe dhe nuk do të dinë se çfarë përgjigje t'u japin: ku ishim, ku jemi dhe ku po shkojmë?

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›