E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë unifikim të librave shkollorë

 Shkup, 22 gusht- Ekspertë, profesorë dhe shoqata joqeveritare, akuzojnë partitë politike shqiptare por edhe ata maqedonase se vazhdimisht eksperimentojnë me nxënësit shqiptarë dhe me fatin e tyre. Ata gjithashtu përshëndesin idenë për unifikim të sistemit arsimor mbarë shqiptarë. Profesori universitar Avzi Mustafa ka thënë se fajtor kryesor për librin tash më të tërhequr të lëndës “Shoqëria” është numri një i arsimit, i cili nuk e befason me vendimet e tija paushalle. 
Ai gjithashtu ka thënë se mirëpret idenë e unifikimit të sistemit arsimor midis Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë.
“Ajo do të jetë e mirëseardhur. Evropa kërkon integrim rajonal dhe do të jetë e udhës që historia, gjuha amtare dhe muzika të jenë të njëjta kurse librat tjera mund të përkthehen edhe nga vendet tjera”, tha Mustafa.
Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashri”, Nuhi Dardhishta, thotë se pikërisht Todorovi është ai që s’ka të ndalur me avazin diskriminues.
“Pas skandalit me librat përgjegjës qëndron ministri i Arsimit. Libri ‘Shoqëria’ është njëjtë sikur historia, ku siç e dimë flitet për personalitete e ndodhi të së kaluarës. Nëse në hartimin e librit nuk ka pasur autor shqiptarë, atëherë është dashur të ketë recensent shqiptar. Kërkojmë që çdo libër ta kontrollojnë lektorët, por pranë lektorëve të ketë edhe bashkëpunëtorë profesional të lëndës përkatëse”, deklaroi Dardhishta.
Edhe Dardhishta ka përkrahur idenë e unifikimit të librave shkollor me Prishtinën dhe Tiranën. 
Kryetari i OJQ-së “Realiteti”, Valon Bela, vlerësoi se politika qeveritare ka frymëzuar që qytetarët e  Maqedonisë kështu duke përfshirë edhe lektorë të ndryshëm profesional të frymëzohen nga politikat nacionaliste qeveritare pro-maqedonase. “Kjo politikë gjithashtu ka shkaktuar dëm të madh edhe në sektorë, tjera si për shembull në ekonomi, mbrojtje, kulturë etj. Sa i përket unifikimit të qëndrimit apo një abetare për tre shtete, kjo është dëshirë e kamotshme e gjithë qytetarëve shqiptarë, sidomos këtu në Maqedoni ku institucionet shtetërore paraqiten si pengesë primare rreth zhvillimit akademik të tyre”, tha Bela.
“Lëvizja Qytetare “ZGJOHU!” i bashkëngjitet kërkesave të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë për tërheqje të librit të Shoqërisë dhe ripërsërit kërkesën e saj për dorëheqje të menjëhershme të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov, për arsye të dështimit të radhës me gabimet skandaloze në librat shkollore. “Përkujtojmë që ky Ministër ka përgjegjësi absolute për kaosin në sistemin arsimor në Maqedoni, për tensionim e marrëdhënieve ndëretnike, për cenimin e autonomisë së universiteteve shtetërore, për diskriminim e skajshëm ndaj nxënësve shqiptar, për imponimin e dështuar të gjuhës maqedonase, etj”, thotë kjo Lëvizje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›