E Diel, 1 Nëntor 2026

I penduari Coli: Dajti kërkoi 200 mijë euro për të vrarë Berishën



“Dritan Dajti i kërkoi Indritit 200 mijë euro për vrasjen e Lul Berishës. Por, pazari u prish pasi kërkoi 50 mijë euro paradhënie dhe Indriti nuk ra dakord. Nuk kam qenë vetë i pranishëm kur është bërë kjo bisedë, veçse këtë muhabet e kam dëgjuar nga Aleks Keka. Vrasjen do e kryente së bashku me Emiljano Shullazin”. I penduari Adriatik Coli vazhdon të surprizojë gjykatën, prokurorinë dhe avokatët me emrat që është duke përmendur gjatë dëshmisë së lirë të tij kundër të pandehurve të “Bandës së Durrësit”. Pas Aleks Kekës, i vrarë me eksploziv disa ditë para zgjedhjeve, tashmë një eksponent i njohur në fushën e krimit do të përmendej si i implikuar me pjesëtarët e “Bandës së Durrësit”, por jo me Lul Berishën, por sërish me krahun rival të tij, të drejtuar nga Indrit Dokle. Ashtu sikundër deklaroi se Kekën e kishin korrier të drogës për Malin e Zi, i penduari befasoi dje avokatët dhe vetë të pandehurit kur në përfundim të dëshmisë së tij rrëfeu diçka të padëshmuar më parë, se një tjetër tentativë për vrasjen e rivalit Berisha do të bëhej nga Dritan Dajti dhe Emiljano Shullazi, por që nuk u realizua për shkak të prishjes së pazarit. Duke shtuar edhe rekrutimin e Dajtit për vrasjen e Berishës, Adriatik Coli zgjeron numrin e të implikuarve, të papyetur apo marrë ndonjëherë të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Debatet

Përmendja e Dritan Dajtit dhe Emiljano Shullazit ka ndezur sërish debatin mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes, duke kërkuar nga këta të fundit tërheqjen e dosjes. Në momentet e fundit të dëshmisë së tij, i penduari Coli është shprehur në gjykatë, se edhe Dritan Dajti dhe Emiljano Shullazi kanë pranuar ta vrasin Lulzim Berishën, krim që do kryhej në këmbim të 200 mijë dollarëve. Sipas Colit, nuk ka qenë vetë i pranishëm kur këta dy persona janë kontaktuar dhe kanë marrë përsipër kryerjen e krimit, por këtë rrëfim ai e kishte dëgjuar nga Aleks Keka, i cili humbi jetën para pak kohësh në një shpërthim eksplozivi në automjetin e tij. Pas përfundimit të rrëfimit të padëshmuar më parë për prokurorët, avokatët mbrojtës i kanë kërkuar dy prokurorëve të çështjes që të tërheqin dosjen, pasi i penduari ka implikuar persona të tjerë në disa ngjarje apo tentativa kriminale, të cilët nuk janë në listën e të pandehurve. Në seancat në vijim të këtij procesi gjyqësor pritet që të ketë mjaft debate mes avokatëve dhe të pandehurve, pasi do të jetë radha e tyre për t’i drejtuar pyetje të penduarit Coli, në lidhje me dëshminë e tij. Parashikohet që këto seanca të jenë edhe pjesa më kulminante e këtij procesi gjyqësor, pasi i penduari dhe “shokët” e tij do të përballen dhe do kenë mundësinë e replikimit me njëri-tjetrin. Ndoshta nga kjo përballje, të penduarit mund t’i kujtohen të tjera emra, ende të papërmendur gjatë këtyre seancave.

Fundi i dëshmisë

Pas vrasjes së Koldashit, u nisa në Itali se donin të më vrisnin

Pas vrasjes së Ilir Koldashit te diskoja pranë “Sheraton”-it, i penduari Coli ka rrëfyer me detaje debatet me Indrit Doklen dhe shkakun e ikjes për në Itali, si dhe dorëzimin për në polici pas disa kohësh. “Të nesërmen e vrasjes së Ilir Koldashit, unë i thashë Indritit që të shkonim te shtëpia ime në Tiranë. Kështu bëmë dhe u nisëm të dy dhe shkuam tek shtëpia ime që ndodhej tek lagjja “21 dhjetori”. Kemi ndenjur në këtë shtëpi një ditë. Unë thirra gruan dhe fëmijët për të ndenjur atë natë me ta, ndërsa Indriti thirri në telefon Ervin Çukën nga Spitalla, i cili erdhi dhe kanë ndenjur bashkë duke bërë muhabet gjithë natën. Të nesërmen në mëngjes, Ervini iku dhe shkoi tek shtëpia e një sportisti nga Kukësi që merrej me mundje dhe banonte në Tiranë, tek i cili Indriti kishte lënë 70 mijë euro në ruajtje. Këtë mundësin, po ta shikoj, e njoh. Unë atë ditë e përcolla gruan dhe fëmijët dhe u thashë që të merrnin plaçkat dhe të shkonin tek shtëpia në Durrës se kismet kur do të shihemi. Kur iku nusja, vura re se Indriti ia kishte dhënë numrat e telefonit të gjitha Ervinit dhe e kishte ngarkuar që të merrej me punët tona. Indriti ia kishte dhënë 10 mijë euro borxh Ervinit, që faktikisht ishin 8.500 euro. Indriti e mori në telefon motrën e tij të madhe dhe i thotë të vinte dhe ta takonte. Ne i thamë që t’i binte vërdallë rrugicave se mos e ndiqnin. Ajo erdhi dhe i tha Indritit se babai ka lexuar gjithë natën nenet dhe nuk bën më shumë se 8 vjet burg. Indriti i tha që “unë nuk kam bërë gjë, do të marr blindën dhe do të dorëzohem”. Unë nuk u ndjeva fare. Indriti i dha të motrës 50 mijë euro dhe e përcolli. Kur iku motra e Indritit, i thashë atij që të vinte me mua në Itali, por Indriti më tha që do të dorëzohej në polici. U ndava me Indritin dhe gjeta një person që niste njerëz për në Itali pa dokumente. Së bashku me këta persona që me i pa, i njoh, po nuk ua mbaj mend emrat, shkova nga Shkodra për në Han të Hotit dhe që andej kalova kufirin në këmbë për në Mal të zi, por jo nga postblloku i policisë. Këtij burrit i dhashë 2500 euro dhe u ndava me të në kufi, sepse më pas më morën njerëz të tjerë që ishin të rrjetit dhe më dërguan në Bosnje, më pas në Kroaci, Slloveni, Austri dhe përfundimisht në Itali. Dua të them se para se të nisesha i thashë Indritit që të marr ndonjë lekë kur të mbërrijë në Itali tek njerëzit që na kishin lekët e pambledhura nga shitja e mallit. Indriti më tha që lekët do të ndahen tek shtëpia ime dhe ti nuk ke për të marrë asnjë lekë. Këto fjalë m’i tha kur isha në Bosnje dhe unë e mora në telefon, pasi gjeta numrin që përdorte në burg nëpërmjet një shokut tim nga Durrësi. Kur shkova në Itali, aty rrija brenda dhe nuk dilja. Një shokut tim që nuk ia mbaj emrin, pasi nuk e kisha shok të ngushtë, ia kërkova numrin e plakut të Indritit për t’ia plasur të gjithë të vërtetën në lidhje me ngjarjen e fundit dhe t’i thosha që nuk ia kam bërë unë Indritit, por Kujtim Buna. Unë e mora në telefon dhe më doli një i njohur i Kujtim Bunës dhe më tha që të bësh një deklaratë që andej nga Italia dhe të tregosh që e vrave ti Ilir Koldashin që të dalin nga burgu ata të tre. Unë i thash mirë, mirë se do ta bëj unë deklaratën, por më jep numrin e Indritit. Ai më dha numrin 06930.... por nuk jam shumë i sigurt, ndërsa të njohurin e Kujtimin e kam marrë në numrin 06930..... Unë fola me Indritin rreth orës 17:00 të pasdites. Në telefon ne kemi debatuar për ngjarjen e fundit dhe ai më thoshte që ma ke futur. Unë i thashë që nuk ta kam futur unë, po Kujtim Buna. Ai më kërkoi që të bëja një deklaratë që e kisha vrarë unë Ilir Koldashin. Unë i thashë do ta bëj deklaratën dhe e theva kartën e telefonit dhe nuk jam lidhur në telefon më me të. Shkova në Breshia te një shoku im nga Durrësi dhe ndenja 4-5 ditë atje. Ai më tha se është kapur edhe Rid Xhunga me 10 kg heroinë të pastër dhe takova një shokun tim që i kishte vajtur për vizitë në burg dhe i kishte thënë që për faj të Tikut (meje) po ndodhnin të gjitha këto gjëra dhe po e kapa, do i fus një plumb. Në këto kushte kam vendosur që pas katër muaj qëndrimi në Itali të kthehem në Shqipëri, pasi më kishin dërguar si Lul Berisha, Indrit Dokle dhe familjarët e Ilir Koldashit persona për të më vrarë. U nisa nga Italia me makinë dhe shkova në Austri dhe mes kufirit me Sllovenin më kapi policia sllovene dhe më kaluan në Austri. Aty deklarova që jam nga Kosova dhe më quanin Arben Krasniqi dhe më dërguan në Prishtinë me aeroplan, që aty kam ardhur në Rinas po me aeroplan dhe i jam dorëzuar policisë”, - përfundon dëshmia e të penduarit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›