E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini me dilemën Tevez, Ranieri s’di ku të vërë dorë

SHKRUAN: Jeton Selimi 27-09-2011 14:29

Roberto Mançini ende nuk e ka vendosur ta hedhë apo jo Karlos Tevezin nga fillimi në sfidën e sotme, ku Mançester Siti do të jetë mik në Bavari në “Allianz Arena”. Pas sfidës së parë, ku Siti barazoi me Napolin, skuadra e Mançinit ka nevojë për një rezultat pozitiv për t’u konfirmuar, ndaj në vijën e parë është e sigurt prezenca e Balotelit, ndërsa Xeko, që nuk shënon prej tre ndeshjesh, mund të jetë në balotazh për një vend si titullar pikërisht me argjentinasin Tevez dhe patriotin e tij, Serxho Aguerro. Ndërkohë, Ouen Hargrivs nuk është përfshirë në listën Champions, ndaj nuk do të ketë shansin për t’u ndeshur me ish-skuadrën e tij, ndërsa Adam Xhonson vuan nga një dëmtim në kavilje. Por nëse Mançini, ka dilemma, te Bajerni janë të bindur se për të marrë maksimumin përballë sheikëve të Mançesterit, duhet të jenë në superformë. Bastian Shvajnshtajger, mendon se përballja e sotme në Champions kundër Mançester Sitit do të jetë një test i vështirë për bavarezët, pavarësisht se këta të fundit shpartalluan me rezultatin 3-0 Leverkusenin të shtunë në “Alizanz Arena”. Ndërkohë edhe Arjen Roben është i lumtur që do të rikthehet nga dëmtimi. Shvajnshtajger parashikon një takim të vështirë. “E dimë mirë që do të përballemi me një ekip më të mirë se Leverkuseni dhe me shumë talente individuale,- është shprehur ai. – Do jetë një sfidë e vërtetë për ne. Duhet të tregojmë që jemi të aftë të luajmë ndaj ekipeve të mëdha në Champions. Ata për momentin po gëzojnë një formë të mirë. Nuk është detyrë e lehtë kur ndeshesh me ekipe të tilla”- deklaron Shvajnshtajger.

Një tjetër skuadër që kërkon të marrë veten pas asaj humbjeje shokuese në shtëpi nga një “outsider” është Internacionalja. Zikaltërit u turpëruan nga Trabzonspori, ndaj tifozët presin me padurim kthesën e madhe. Por në Moskë nuk do të jetë kaq e lehtë. Për Ranierin ka vetëm ardhur lajme të këqia: Shnejder do të mungojë, ashtu si Stankoviç dhe Maikon. Muntari nuk është në listë dhe Obi vjen nga një goditje e pësuar në kofshë (por do të luajë). Mesfushorët e tjerë në dispozicion janë Zaneti, Kambiaso dhe Alvarez. Por, shqetësimi më i madh është gjendja e Shnejderit, që do të mungojë në transfertën ruse të CSKA-së dhe do të jetë në dyshim edhe për ndeshjen e së shtunës në mbrëmje në kampionat kundër Napolit. “Dëmtimi i tij duket më i rëndë nga sa dukej, – ka thënë trajneri roman në përfundim të ndeshjes me Bolonjën. – Rrezikon të qëndrojë jashtë për një kohë të gjatë”.

Anëtari i bordit drejtues të Ajaksit, Johan Krojf, ka thënë se klubi holandez mund të arrijë rezultat pozitiv gjatë ndeshjes së të martës në grupin D të Ligës së Kampionëve përballë Real Madridit në Santiago Bernabeu. Kampionët e Holandës u mposhtën me rezultat 2-0 nga spanjollët sezonin e kaluar me madrilenët që dominuan gjatë gjithë ndeshjes. Por Krojf mendon se Ajaksi është i aftë për të nxjerrë një rezultat tjetër kësaj here. “Normalisht, Ajaksi do të ketë një mbrëmje të vështirë në Madrid. Megjithatë, ka shumë pyetje për formën e Real Madridit. Ata kanë qenë shumë të paqëndrueshëm në javët e para të sezonit dhe mund të shihni se kjo i shqetëson ata. Ajaksi duhet të jetë shumë i organizuar. Mund të krijojnë disa raste. Mbrojtësit e qendrës së Madridit janë të shkëlqyer në duele, por pozicionimi i tyre shpesh është i dyshimtë. Do të thosha se kjo është thembra e tyre e Akilit dhe Ajaksi mund ta shfrytëzojë këtë avantazh”, ka shkruar Krojf në kolumnën e tij për “De Telegraaf”.

Champions League

Sot

Grupi A

Bajern Mynih – Mançester Siti 20:45

Napoli – Vilareal 20:45

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Bajern Mynih 1 1 0 0 3

2. Napoli 1 0 1 0 1

3. Mançester Siti 1 0 1 0 1

4. Vilareal 1 0 0 1 0

Grupi B

CSKA Moskë – Internacionale 18:00

Trabzonspor – Lila 20:45

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Trabzonspor 1 1 0 0 3

2. CSKA Moskë 1 0 1 0 1

3. Lila 1 0 1 0 1

4. Internacionale 1 0 0 1 0

Grupi C

Ocelul Galaci – Benfika 20:45

Mançester Junajtid – Bazel 20:45

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Bazel 1 1 0 0 3

2. Mançester Junajtid 1 0 1 0 1

3. Benfika 1 0 1 0 1

4. Ocelul Galaci 1 0 0 1 0

Grupi D

Real Madrid – Ajaks 20:45

Lion – Dinamo Zagreb 20:45

Renditja

Skuadra N F B H P

1. Real Madrid 1 1 0 0 3

2. Ajaks 1 0 1 0 1

2. Lion 1 0 1 0 1

4. Dinamo Zagreb 1 0 0 1 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›