E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi dhe Aliçkaj, në ‘Shekulli 21’

Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 10:27

Revista e njohur letrare franceze, tremujorja “Shekulli 21”, në numrin e saj të fundit i kushton një dosier letërsisë së vendeve të Ballkanit me titullin “Ringjallja e Ballkanit”.

“Procesi emancipues letrar i Ballkanit, u përket fenomeneve madhore të letërsisë: Ivo Andriç, Ismail Kadare, Yordan Radichkov”, theksohet ndër të tjera në këtë revistë. Shqyrtimi i fenomeneve letrare, tematikave aktuale apo të shkruara, të cilat i përkasin jo vetëm Francës, por edhe vendeve të huaja, gjejnë vend në çdo numër të revistës “Shekulli 21”. Numrin e fundit revista ia ka kushtuar Ballkanit.

“A mund të flasim sot për një ringjallje apo prurje novatore në shijen letrare të Ballkanit?”. Nisur nga kjo pyetje, i është bërë një shqyrtim në të shkuarën dhe në të tashmen letërsisë së Ballkanit, prurjeve dhe tendencave të së ardhmes.

“Midis çështjeve që ngre zhvillimi, vendit gjeografik e simbolik, në fajësinë e thellë të një rajoni, që fati e bëri të mbajë kryqin e Europës, literatura e re ballkanike sot po rigjen vendin e saj të humbur. Nostalgjia e korrentit të gjerë të letërsisë së Amerikës Latine në vitet ’60, na shtyn të imagjinojmë një art ballkanik që noton pranë krijimeve të nxehta të Europës Perëndimore.

Po t’i referohemi një personazhi të njohur: “Në Ballkan asgjë nuk është e pamundur, çështja që shtrohet në këtë rajon është: Kush do e ketë vendin e parë?”, shkruan revista.

Midis botimit të krijimeve të autorëve të njohur ballkanikë si: Andrija Matiç, Ermis Lafazonski, Timour Muhidin, Aleksander Prokopiev, Dejan Enev, revista ka përzgjedhur të botojë dhe dy shkrimtarë bashkëkohës nga Shqipëria: pjesë nga romani i Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, për të cilin komentohet si “mjeshtëri e ringjalljes së historisë”, si dhe nga Ylljet Aliçka me novelën e tij “Tri shënime nga ndërmarrja N. në lidhje me vdekjen e Udhëheqësit”, për të cilin, ndër të tjera thuhet se “Aliçka ka venën e një humori të hollë...”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›