Al Gore, e vërteta e pakëndshme e një ish-presidenti
Aktualisht të futura në një qese të zezë, pantallonat janë “pronë” e një masazhiereje që pretendon se ish-presidenti amerikan e detyroi me forcë që të kryente marrëdhënie intime. Dhe për këtë, ajo ka si provë njollën e “turpit” në pantallonat e Al Gore. Sipas masazhieresh Molly Hagerty, njeriu që pas ikjes nga Shtëpia e Bardhë iu kushtua çështjeve të klimës, u soll me të si një “i fiksuar pas seksit”, që sipas dëshmive të saj i ishte hedhur përsipër, duke e kapur dhe ndukur me forcë. Në rrëfimin e policisë, ajo tregon edhe se si i ishte lutur Al Gore disa herë që të ndalonte sulmin e tij, duke shtuar se ai, sipas saj, është një “grabitqar seksual”. Këtë histori skandaloze me drita të kuqe, masazhierja ia ka rrëfyer një reviste amerikane dhe ndërkohë policia ka bërë të ditur se do të rihapë hetimet për këtë çështje. Së fundi, masazhierja thotë se ka edhe një dëshmitar, një mik të cilit i është rrëfyer me lot në sy pas ngjarjes së rëndë, i cili e mbështet versionin e saj. Ndërkaq ajo i ka çuar pantallonat e famshme të ish-presidentit për një analizë ADN-je dhe se në mbështetje të pretendimeve të saj ka edhe një video, në të cilën ajo është duke hyrë në hotelin ku qëndronte Al Gore. Ish-numri dy i Shtëpisë së Bardhë i ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa në fillim të këtij muaji, bashkëshortja e tij e një jete të tërë, Tipper Gore, i kërkoi divorcin. çifti e njoftoi divorcin përmes një e-mail-i dërguar miqve më të ngushtë duke i lënë pa fjalë ata dhe shumë njerëz që i njihnin në Uashington. Lajmi i divorcit duket se ka bërë që të hapet tapa dhe të dalin nga shishja “xhindet” e fshehta të jetës intime të ish-presidentit. Në fakt, pretendimi i masazhieres nuk është “problemi” i vetëm me të cilin po përballet Al Gore. Ka shumë fjalë dhe thashetheme për lidhjet e tij të shumta jashtëmartesore, si gjatë kohës kur ishte zëvendëspresident, edhe gjatë viteve që pasuan këtë detyrë. Njëra prej tyre është ajo e pjesëmarrjes së Al Gore në festa të çmendura, ku vajzat që ishin të pranishme ishin të gjitha në moshë të re dhe të veshura me rroba banjoje. Të gjitha këto histori të vërteta, ose jo, kanë bërë që reputacioni i tij të bjerë në mënyrë të menjëhershme. Deri më tani kanë qenë të pakët ata që mund të besonin se “shenjtori” Al Gore mund të ishte përfshirë në histori skandalesh seksuale dhe thashetheme, që kanë qenë në fakt të zakonshme për jetën intime edhe të presidentëve amerikanë, nga Kennedy deri tek Clinton-i. Disa mendojnë se Al Gore ka pësuar një krizë të moshës së mesme, kur në vitin 2000 e kuptoi se nuk do të mund ta realizonte dot kurrë ambicien për t’u bërë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të tjerë mendojnë se ai ka qenë i joshur nga egoja, ndërsa hyri në botën e njerëzve të shquar me të fituar çmimin “Nobel”, për përpjekjet në mbrojte të klimës dhe mjedisit. Por cila është e vërteta e kësaj sage që duket se sapo ka nisur? Al Gore sigurisht që është një politikan i lindur dhe i rritur si i tillë dhe për t’u bërë i tillë. I ati ka qenë senator i Tenesit dhe Gore u bë numri dy i Shtëpisë së Bardhë nga viti 1993 deri në vitin 2001. Ndërsa aktualishtt është ndoshta ambientalisti më i njohur në botë. Ja disa fakte në lidhje me ngatërresën e këtij politikani me masazhieren e provincës. Ndërsa ishte vendosur në hotelin “Luçia” në Oregon, ai i kërkoi recepsionit që t’i gjente një masazhatore. Zonjusha Hagerty mbërriti në hotel në orën 10:20 të natës së 24 tetorit të vitit 2006, për të masazhuar Al Gore, tashmë 62 vjeç, i cili ishte regjistruar në hotel me emrin e rremë “Z. Stone”. Pagesa me të cilën kishin rënë dakord për masazhin ishte 500 dollarë. Në këtë pikë filloi edhe “thrilleri” i zonjushës masazhatore 52-vjeçare. Ndërsa hyn në hotel ajo shkoi në suitën e Al Gore dhe me t’u futur në dhomë, ai e përshëndeti me një përqafim normal. Më pas ajo i rrëfeu policisë se sikur të mos kishte qenë Al Gore, ajo do ta kishte vënë shumë në dyshim atë përqafim. Ndërkohë ajo tha se kishte vënë re se Al Gore kishte pirë dhe ndërkohë që po përgatitej për masazhin, i kërkoi që të fiknin dritat dhe kështu nisi masazhi në zonën e mesit të trupit. Sipas saj, ajo pjesë nga masazhatorët konsiderohet si një zonë e rrezikshme, kur bëhet fjalë për klientë meshkuj dhe shpesh ata refuzojnë që ta fërkojnë atë pjesë. Ndërsa po mendohej për masazhin, ajo thotë se në ato çaste çoi nëpër mend se ndoshta ishte më mirë të mos ta refuzonte, duke pasur parasysh faktin se Al Gore ishte një figurë publike, i martuar dhe me një marrëdhënie shumë të mirë me të shoqen dhe me familjen dhe mbi të gjitha, i panjollosur dhe me reputacion shumë të mirë. Për më tepër, edhe një person altruist, që po i jepej kaq shumë kauzës së ruajtjes së mjedisit. Për të Al Gore ishte një model i vërtetë integriteti. Por me të nisur masazhin në zonën e rrezikshme, Al Gore filloi që të lëshonte disa rënkime jo normale dhe i kërkoi masazhatores që të zbriste “më poshtë”. E tronditur, ajo refuzoi dhe pikërisht në atë moment ai nisi që të tregohej i rëndë me fjalët që përdori. Në këtë moment, i mori dorën me forcë për t’ia vënë në trup dhe ndërsa ajo përpiqej të largohej, ai tentonte që ta tërhiqte pas vetes. Ndërkaq e tmerruar masazhatorja kishte nisur ta quante një “qen të shthurur”, ndërsa kishte frikë se mos ai e përdhunonte. “Ai më kapi me forcë, më detyroi që ta puthja, po ndërkaq ia dola që të iki me vrap nga dhoma”. Ndërkaq në pantallonat e saj të zeza, vuri re disa njolla të shkaktuara nga Al Gore. Më pas disa nga miqtë e saj e këshilluan që të mos shkonte në polici për ta denoncuar rastin e Al Gore, madje e këshilluan që ta harronte atë incident, sepse ai ishte njeriu që po shpëtonte botën nga ngrohja globale. Për tre vjet me radhë, ajo nuk shkoi në asnjë vend dhe më në fund, në janar të vitit 2009, vendosi që të shkonte në polici dhe të rrëfehej. Po a është i vërtetë rrëfimi i Molly Hagerty? Apo mos vallë ajo është thjesht një grua në kërkim të ca parave nga një histori e rreme, siç pretendojnë njerëzit pranë Al Gore. Revista në të cilën masazheria u rrëfye thotë se ajo nuk ka pranuar para për rrëfimin, edhe pse tashmë qarkullojnë zëra se ajo ka marrë 1 milion dollarë për t’u intervistuar. Ndërkaq, një fakt shumë i rëndësishëm dhe aspak për t’u lënë mënjanë, është ai i divorcit të çiftit, pas 40 vitesh martesë, që të paktën për sa i përket anës publike, kishte qenë gjithmonë një shembull i dashurisë dhe mirëkuptimit familjar. Ndërkohë Al Gore i ka mohuar të gjitha akuzat e bëra përmes një mesazhi shumë të thjeshtë: “Familja Gore nuk mund të komentojë në lidhje me çdo dizinformim, keqinterpretim apo histori që del nëpër gazeta”.
Po cila është e vërteta që fshihet pas fotove të lumtura të familjes së Al Gore? Burime në Shtetet e Bashkuara i kanë bërë të ditur shtypit britanik se çifti, që prej 30 vitesh ka pasur një martesë konvencionale me Tipper-in bionde dhe të ndershme, e cila është marrë me rritjen e katër fëmijëve dhe Al Gore që iu përkushtua politikës. Gjatë fushatës zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, Gore u tha gazetarëve se Tipper ishte vajza që ai e kishte dashuruar me gjithë forcën e zemrës që ditën e parë që e kishte parë. Por kur u bë e qartë se ai nuk do të bëhej dot Presidenti i Shteteve të Bashkuara, atëherë ai nisi që të bënte gjithnjë e më shumë jetën e një beqari dhe madje bleu një apartament në San Francisko. Për këtë apartament ai pagoi 4 milionë dollarë në vitin 2006. Në të ka edhe një pishinë të vogël, sauna dhe një tarracë të mrekullueshme. Sipas një burimi, në tarracën e kësaj shtëpie ai organizonte festa “të nxehta” me vajza të veshura me bikini. Për këtë ai është akuzuar si njeri me standarde të dyfishta, që tjetër hiqej e tjetër ishte në të vërtetë. Nga njëra anë hiqej si një familjar i devotshëm para opinionit publik, duke u bërë njerëzve moral, e nga ana tjetër bënte një jetë që nuk kishte të bënte fare me predikimet e tij. Në San Francisko ai donte që të krijonte edhe një stacion të ri televiziv për të rinjtë dhe kështu u impenjua me punët e tij në këtë qytet, duke kaluar gjithnjë e më pak kohë me të shoqen dhe fëmijët në shtëpitë e tyre në Uashington dhe Tenesi. Ndoshta në një përpjekje për të shpëtuar martesën, ai dhe Tipper blenë një vit më parë një shtëpi tipike spanjolle, 9 milionë dollarë, në një lagje shik të San Franciskos. Fqinjët e çiftit ishin të gjithë yje të televizionit dhe spektaklit. Gjatë gjithë jetës në politikë ai kapi një pozicion të lartë, por gjatë gjithë kohës qëndroi në hijen e Clinton-it. Por kur iku nga Shtëpia e Bardhë dhe nisi të jetonte më vete dhe pranë Hollivudit, ai ndryshoi tërësisht dhe tashmë ndoshta donte që të bëhej i famshëm dhe VIP i vërtetë dhe të shoqërohej me yjet e kësaj sëre. Ndërsa filmonte dokumentarin e tij të famshëm për ambientin, “Një e vërtetë e pakëndshme”, pati thashetheme se në atë kohë pati një marrëdhënie me aktivisten e ekologjisë Laurie David që në atë periudhë ishte e martuar me një aktor. çifti u divorcua në mënyrë shumë të dhunshme dhe të bujshme pas 14 vitesh martese në 2007-n, sepse dolën thashetheme që ajo kishte pasur një marrëdhënie me një mashkull, por jo me Al Gore. Sa për Gore, thuhet se ka pasur të paktën flirte me disa gra të tjera gjatë realizimit të filmit të tij, mes të cilave edhe me aktoren Bo Derek. Gjithë ky fiksim i medias amerikane pas Al Gore, në fakt ka të bëjë kryesisht vetëm me faktin se të gjithë mendonin se ai, ndryshe nga shefi i tij Clinton ishte i lumturisht i martuar. Sigurisht që njoftimi i divorcit të tyre ishte i papritur për të gjithë. Sapo u publikua një lajm i tillë, gazetat amerikane nisën që të hetojnë të gjithë të kaluarën e tij, derisa doli në shesh edhe historia e masazhieres, që ka gjasa të mos jetë as e para dhe as e fundit...
#