Rruga e Arbrit, probleme me shpronësimet dhe varrezat
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit në lotin Bulqizë - Ura e Vashës, 17 kilometra i gjatë, ka hasur pengesa, pasi banorët në tokat dhe banesat e të cilëve kalon rruga, kërkojnë të shpronësohen përpara ndërtimit të saj. Banorët e fshatit Plani i Bardhë, në Bashkinë e Klosit të Rrethit të Matit kanë protestuar herë pas here duke bllokuar punimet në këtë rrugë, pasi kërkojnë të kompensohen për tokat dhe shtëpitë që u dëmtohen nga ndërtimi i saj. Në të gjithë gjatësinë e rrugës në këtë fshat, prej më shumë se 1 kilometër, dëmtohen veç tokave të bukës edhe rreth 1000 varre, duke përfshirë edhe 4 varre ish-klerikësh myslimanë, si dhe 10 shtëpi të vjetra banimi mbi 200-vjeçare. Banorët e këtij fshati kryesisht pleq, gra dhe fëmijë, pasi të rinjtë kanë migruar jashtë vendit, të cilëve u dëmtohet toka apo shtëpitë nga ndërtimi i rrugës, duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u kompensuar nga qeveria. Por, kjo sipas banorëve është pothuajse e pamundur për ta, pasi ata e konsiderojnë këtë thjesht një sorollatje. “Nuk kam asnjë mundësi të bredh pas letrave, pasi djalin e kam emigrant”, thotë Ramiz Beta, 80- vjeçar. “Jetoj me fëmijët, vetëm me 25 mijë lekë të vjetra përkrahje nga bashkia dhe nuk kam asnjë mundësi të ndërtoj shtëpi të re po nuk na dëmshpërbleu qeveria”, thotë Merita Beta. Shpresa Tafa, një tjetër banore e këtij fshati, thotë se “nuk do dalim gjallë nga shtëpitë”. Një tjetër banor tregon se është përpjekur për plotësimin e dokumentacionit, por drejtori i Hipotekës, Astrit Farruku, po i sorollat nga një zyrë në tjetrën prej gjashtë muajsh. Zgjidhja e problemit të tokave bëhet më e vështirë po të kemi parasysh se nga verifikimet e bëra në regjistrat kadastralë të tokave të këtij fshati janë vërejtur mospërputhje të tapive.
#