E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë lideri shpirtëror i Hezbollahut

Mohammed Hussein Fadlallah

Ai kritikonte hapur politikën amerikane në Lindjen e Mesme dhe ishte një nga klerikët islamikë shiitë me më influencë. Ajatollahu i Madh, Mohammed Hussein Fadlallah, ndërroi jetë në një spital të Bejrutit, nga një hemorragji e brendshme, në moshën 74-vjeçare. Me udhëzimet fetare që përhapte, Ajatollahu i Madh fitoi përkrahje të gjerë në Liban, Irak dhe në rajon. Ai ishte përkrahës i Revolucionit Islamik të Iranit dhe i fushatës së armatosur të Hezbollahut kundër Izraelit. Vitet e fundit, Fadlallah u distancua nga Hezbollahu, për shkak të lidhjeve të këtij grupi me Iranin, por ai mbeti kritik i hapur i Izraelit dhe politikës amerikane në Lindjen e Mesme. Ai e mirëpriti zgjedhjen e Barack Obama-s si President i SHBA-ve në vitin 2008, por vitin e kaluar shprehu zhgënjim për mungesën e përparimit në Lindjen e Mesme, duke thënë se dukej që zoti Obama nuk kishte ndonjë plan për të sjellë paqe në rajon. Shtetet e Bashkuara e konsideronin Mohammed Hussein Fadlallah-un si mbështetës të terrorizmit. Në vitin 1985, ai i pati mbijetuar një atentati.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›