Shqiptarët përdorin lekun gjithnjë e më pak
Gjatë vitit të kaluar pati shumë më tepër depozita të reja në euro dhe dollarë sesa në lekë
Leku po humbet gjithnjë e më shumë terren kundrejt valutave si monedhë për depozita mes shqiptarëve. Për të tretin vit radhazi, sasia e depozitave të reja të hapura në valutë qe tre herë më e lartë sesa depozitat e hapura në lekë, një fenomen që po shqetëson ekspertët e ekonomisë prej kohësh.
Në fund të vitit 2007, depozitat në lekë në bankat e nivelit të dytë ranë në 57.4% të totalit të depozitave, ndërsa depozitat në valutë u rritën në 42.6%, bëhet e ditur nga raporti statistikor i Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë i depozitave në valutë në histori. Gjatë viteve të shkuara, depozitat në valutë zinin mesatarisht rreth 30% të totalit. Rritja më e fortë e depozitave në valutë ka qenë veçanërisht e fortë që pas vitit 2005. Depozitat e shqiptarëve arritën në 606 miliardë lekë në dhjetor 2007, me rritje 18.6% kundrejt vitit paraardhës. Depozitat në valutë u rritën tre herë më shumë sesa ato në lekë.
Tregues besimi
Sipas historianit Eric Hobsbawm, e drejta e emetimit të monedhës është biznesi më i madh që bën një vend i pavarur. Qeveritë emetojnë letra me vlerë të cilat qytetarët i pranojnë në këmbim të mallrave dhe punës, gjë që konvertohet në zhvillim të vendit. Sa më i madh të jetë përdorimi i monedhave të huaja në një ekonomi, aq më i vogël është biznesi i emetimit të monedhës, aq më pak fuqi ka shteti për të investuar për zhvillim. Ky rregull vërehet në rastin konkret në Shqipëri. Gjatë vitit të kaluar, baza monetare, (sasia e përgjithshme e monedhës fizike në lekë) u rrit me vetëm 5%, ndërsa gjatë viteve të kaluara është rritur mesatarisht me 15%, kryesisht për shkak se qytetarët e përdorin më pak monedhën vendëse.
Kreditë në Shqipëri jepen në pjesën dërrmuese të rasteve në valutë, kryesisht për shkak se disa banka nuk dëshirojnë të preken nga rreziku i ndryshimit të kursit të këmbimit. Pas tregut të kredive, ky fenomen po prek edhe tregun e depozitave.
Konkurrencë me dollarin dhe euron
Shkaku kryesor i rritjes së shpejtë të depozitave në valutë, është norma e ulët e interesit për depozitat në monedhën vendëse dhe shtimi i pengesave për blerjen e letrave me vlerë të qeverisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Gjatë vitit të kaluar, norma mesatare e interesit të depozitave vjetore në lekë qe 6.33%. Në vitin 2005, interesi mesatar qe 5.46%. Interesat e depozitave në dollarë arritën gjatë vitit të kaluar në 4-5% ndërsa ato në euro pranoheshin me interes 4%.