Masin të njëjtën gjë, dalin në përfundime të ndryshme
Instituti i Statistikave dhe Ministria e Financave, japin shifra të ndryshme për rritjen e kostos së ndërtimit
Ky është një shembull tjetër i rritjes së përdorimit të metodave afrofe në përcaktimin e taksave
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, që matet nga INSTAT-i, vëren se gjatë viteve të fundit, kostoja e ndërtimeve për metër/katror ka ndryshuar mesatarisht me 1-2% në rritje. Gjatë vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit u rrit me 1.6%, sipas të dhënave të INSTAT. Por Tatimet dhe Ministria e Financave kanë një tregues tjetër: kostoja minimale fiskale në sektorin e ndërtimit, dhe ky tregues, pavarësisht se mat të njëjtën gjë, ka dalë në rezultat shumë të ndryshëm. Me një vendim të Ministrit të Financave, z.Bode, kostoja e ndërtimit në Shqipëri nuk është rritur gjatë vitit 2007, por në vitin 2006 u rrit me 11.1%, rritje e barabartë kjo në të gjithë territorin e vendit. Teorikisht, nuk mundet që kostoja e një malli të rritet njëkohësisht dhe në të njëjtën masë në Tiranë dhe në Kuçovë, por sipas Ministrisë së Financave, kjo është e mundur.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, hartohet nga Instituti i Statistikave dhe reflekton një analizë serioze të të gjitha kostove të sektorit të ndërtimit, nga lëndët e para te kostoja e punës. Kostoja minimale fiskale në ndërtim u krijua si një mekanizëm për përcaktimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në këtë sektor dhe fillimisht, reflektonte kostot e identifikuara nga INSTAT. Por me kalimin e viteve, përditësimet që bënë tatimet dhe ministria e Financave, nuk morën më parasysh koston e INSTAT dhe e kthyen metodologjinë në një taksë afrofe për kompanitë e ndërtimit. Në vitin 2006, qeveria e z.Berisha i shtoi kostos minimale edhe komponentin e "normës minimale të fitimit", një tjetër taksë afrofe. Një vendim i marsit 2006, autorizoi tatimet të përdorin "metoda alternative" në vlerësimin e çmimit të shitjes së apartamenteve, metoda që shtojnë rrezikun e të bërit biznes në Shqipëri dhe rrjedhimisht, rrisin çmimet për qytetarët.