E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët shijojnë versionin rus të “Ëndrrës...” së Shekspirit

10/08/2010 Festivali ndërkombëtar “Butrinti 2010” dhe “Ëndrra e një nate vere”, një nga veprat e munguara në repertorin shekspirian të teatrit shqiptar.

Nga Donard Hasani*

“Ëndrra e një nate vere” është një nga komeditë më të famshme ndër 36 veprat e njohura të dramaturgut me famë botërore Uilliam Shekspir. Kjo vepër mendohet të jetë shkruar rreth viteve 1594–1596 dhe në qendër të saj është martesa ndërmjet Dukës së Athinës, Tezeut dhe mbretëreshës së Amazonave, Hipolita. Gjithashtu në vepër përshkruhet edhe dashuria e katër të rinjve athiniotë që ndjekin njëri-tjetrin nëpër pyll, ku ndodhen gjithashtu edhe një grup aktorësh amatorë, që tentojnë të bëjnë provat e një shfaqje. Mendohet se pjesa është shkruar për shkak të një martese aristokrate, ndërkohë që mendime të tjera mbrojnë idenë se ajo është shkruar për nder të ditës së festës së Shën Gjonit. Ndërtimi i fabulës dramaturgjike e merr motivin nga mitologjia, për shembull, historia e Piramit dhe e Tizbes (Ovidi), Lisandri është gjithashtu një komandant i lashtë grek, ndërsa Tezeu dhe Hipolita ishin mbreti i Athinës dhe mbretëresha e Amazonave. Kjo vepër mendohet të jetë shkruar njëkohësisht me tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta”, me synimin për ta parë historinë tragjike të Romeos dhe Zhulietës në anën komike të saj.

Kjo komedi së fundi u shfaq për publikun shqiptar në skenën e teatrit antik të Butrintit në datën 17 korrik të këtij viti në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Butrinti 2010”. “Ëndrra e një nate vere” është një nga veprat e munguara në repertorin shekspirian të teatrit shqiptar. Për hir të së vërtetës, janë të pakta veprat nga ky autor të trajtuara në skenat tona, ku mund të përmendim: "Otello", me regji të A. J. Ricko; “Shërbëtori i dy zotërinjve”, me regji të Z. A. Pano, “Hamleti”; “Nata e dymbëdhjetë”, me regji të P. Manit vënë në skenën e Teatrit Kombëtar; “Mbereti Lir”, me regji te P. Stillu; “Rikradi i Tretë”, me regji të A. Qirjaqit, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar; “Romeo dhe Zhuljeta”, me regji të A. Qesarit dhe A. Bualjoti; “Dy zotërinj nga Verona”, me regji të Dh. Pecanit; “Shtrëngata”, me regji të A. Bashës, vënë në skenën e teatrit “A. Z. Çajupi” Korçë, një përfaqësim jo i plotë ky i një autori të përmasave të tilla në të tërë teatrin shqiptar. Ky vakum është përpjekur të mbushet në performancat e fragmentuara të punimeve në Fakultetin e Artit Skenik pranë Akademisë së Arteve, ku ky autor trajtohet për rreth një semestër akademik, por gjithsesi kjo përpjekje mbetet në formatin e një audience tërësisht të kufizuar dhe në kuadrin e trajtimeve eksperimentale. Arsyet e mungesës janë shumëplanëshe: politike (dramaturgjia e huaj dhe jo lindore apo kombëtare nuk ishte ne preferencat e politikës në art dhe kulturë në Shqipërinë komuniste, kujtoni revolucionin kulturor të viteve 70); ekonomike (mungesa e trajtimit serioz të artit skenik në tkurrjen e fondeve, pa të cilat kjo dramaturgji e ka të pamundur realizimin dhe shmangien nga prioritetet kulturore të qeverive pas viteve 90); komercial (tendenca në artin skenik për të mos trajtuar kategori estetiko-skenike të denja dhe cilësore, por “arti për popull”, një kategori e ulët e destinuar për të përfituar të ardhura financiare duke përdorur zhargonin dhe shmangur cilësinë).

Vënia në skenë e veprave të Shekspirit është një sprovë për çdo regjisor dhe teatër profesionist, është testi i profesionalizmit dhe krijimit të “kalendarit” që do të përcaktonte jo vetëm identitetin artistik, por dhe shtrirjen dhe thellimin historik të tyre. “Ëndrra e një nate vere” u soll në Shqipëri nga regjisori Aleksandër Morfov në krye të trupës së Teatrit Shtetëror “Vera Komisarzhevskaja” e Shën-Petërsburgut, Rusi. Po ky regjisor ka sjellë në një edicion të mëparshëm të festivalit një tjetër vepër të Shekspirit, e pikërisht “Shtrengatën”, në drejtim të Teatrit Nacional të Sofjes “Ivan Vazov”. Në spektaklin e paraqitur regjisori Morfov zgjodhi të mos e titronte atë për publikun shqiptar dhe zgjedhja e tij, që në pamje të parë u duk kapricoze, funksionoi mrekullisht. Shqiptarët kuptuan “Shekspirin rus”, duke nxjerrë gjithashtu edhe analizat personale për eventin artistik. Ishte habi e madhe për të gjithë se si regjisori i mirënjohur i ardhur nga vendi i Stanislavskit, shumë pak kishte të bënte në teatrin e tij me kolosin e teorisë teatrore më jetëgjatë dhe më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Trajtimi liberal i funksionit dhe organizimit të vendeve të veprimit nuk kishte të bënte me pamundësinë e strukturimit natyralist të një kontakti të tillë, por ajo ishte një zgjidhje, një trajtesë, një këndvështrim, të cilin Morfov e kishte përzgjedhur qëllimisht për të sjellë “Ëndrrën…” e tij - një Shekspir ndryshe. Ky ndryshim për të nuk konsistonte vetëm në idenë dhe mesazhin e veprës, por edhe në përpunimin e tekstit dramaturgjik, në koncentrimin dhe intensifikimin temporitmik të dialogjeve dhe veprimeve skenike, në zgjidhjet konvencionale gjatë materializimit mizanskenal, në detajet dhe etydet e pafundme regjisoriale etj. Megjithëse me elemente të pakëta skenografike, aspak nuk ndihej varfëri apo mungesë e elementeve të dekorit apo rekuizitës. I mbështetur nga një ndriçim i mrekullueshëm i sjellë nga vetë regjisori (pasi eksperienca shqiptare e ka ndërgjegjësuar për mungesat, apo neglizhencat tona), duke përdorur dhe efektet e veçanta speciale, publiku si pa kuptuar pranoi paktin që pa ndryshuar objekte skenike të përjetonte të qepurit në vende të ndryshme veprimi. Asnjë degë nuk u vendos në skenë, por në atë çast audienca ndodhej në një pyll të errët, asnjë shandan nuk u përdor, por ne kuptuam se ndodheshim në një sallon mbretëror; Hipolita me të vërtetë ndodhej në ambientin e saj mes pyllit të magjepsur, po kjo nuk e detyroi regjisorin të bënte çudira teknologjike për ta sjellë këtë atmosferë. E gjithë kjo nuk vinte nga pamundësia për të ndërtuar skela apo për të strukturuar skenografi, por nga pikëvështrimi regjisorial, nga mënyra e veçantë e tij në të parit të shfaqjes, në dëshirën për të bërë të ndryshmen, në synimin për ta sjellë këtë spektakël në një gjuhë më universale dhe komunikim jo vetëm ligjërimor. Aktorët e kësaj “Ëndrre…” shpeshherë të krijonin idenë se në karrierën e tyre nuk mund të luanin më të tjera role. Ansambli aktoresk funksiononte brenda një uniteti të mahnitshëm harmonik, saqë dukej sikur ata kishin lindur bashkë dhe njihnin mirë në mënyrë të pavetëdijshme se çfarë veprimi do të bënte partneri apo partnerja në çdo moment. Asnjë prej tyre nuk qe rob i fjalës që zotëronin profesionalisht dhe me të cilën shpesh, edhe pse pa ditur gjuhën, të emociononin. Ata ishin balerinë të shkëlqyer, këngëtarë cilësorë, prestidigjitatorë të aftë, aktorë sharmant dhe zotëronin në mënyrë impresionuese elementet e neglizhuar kaq shumë nga ne të betejës skenike.

Pavarësisht detyrave jo të vogla që kishin aktorët në futjen dhe nxjerrjen e objekteve nga skena apo në realizimin e mizanskenave me ngarkesë të lartë fizike, në asnjë rast marrëdhënia e tyre nuk pësoi ndryshime jashtë detyrave, në asnjë rast nuk pati dalje nga rrethana. Karakteret e krijuar prej tyre kishin tiparet me individuale të mundshme duke shkuar në çdo element në thelbin përcaktues te personazhit. Të shkuarit drejt bërthamës së rolit, një element i teatrit realist ky, ishte vënë në përdorim për të gjetur të veçantën dhe përgjithësuesen e çdo aktori, duke mos anashkaluar asnjë personazh, pavarësisht ngarkesës brenda dramaturgjisë së dhënë. Vetësiguria skenike brenda karakterit, të dhënat plastike të çdonjërit nga rolet, shfrytëzimi me mençuri i elementeve të tjerë joteatrorë të futur me elegancë në spektakël u ndihmuan nga mizanskenat shprehëse të ideuara nga Morfov, duke sjellë kështu dinamikë dhe tension të ndezur gjatë 140 minutave të shfaqjes. Kudo dhe askund ndihej regjisura, e cila sigurisht që kishte ideuar dhe materializuar një komedi të përmasave të mëdha me skena masive, një shfaqe impenjative dhe me guxim krijues. Nuk analogon ideja e autorit dhe e regjisorit në këtë realizim. Që dashuria është e verbër, për regjisorin nuk është ajo që kërkon të theksojë në realizimin e tij. Ai i shmanget trajtimeve elegante mbi seksualitetin e të gjitha llojeve që të tjerë regjisorë i kanë evidentuar në trajtimet e tyre. Realiteti artistik, e sidomos ai skenik në përgjithësi, përballja e tij dhe marrëdhëniet që krijohen me pushtetet, shpërfillja që ato i bëjnë sakrificave të shumta të krijimtarisë, tendenca për ta zhvlerësuar deri në mohim, këto janë çështje të cilat autori evidenton duke i dhënë një fund të lumtur shfaqjes e duke theksuar idenë e qëndresës.

Teatri është i lashtë sa njerëzimi, ai evidenton vlerat e qytetërimeve dhe do të jetojë përgjatë të gjithë ekzistencës. Këtë bindje ndau me publikun shqiptar regjisori Morfov me komedinë “Ëndrra e një nate vere”, të pritur me entuziazëm nga audienca shqiptare në Butrint.

*Pedagog, Akademia e Arteve, Tiranë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›