E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët shpenzojnë për makina dhe karburant

17/09/2009  Shifra pozitive në këtë sektor rezultojnë edhe në hapjen e vendeve të reja të punës

INSTAT: Shitjet me pakicë u rritën me 5.3% krahasuar me vitin e kaluar

Shqiptarët kanë shtuar shpenzimet për blerjet e automjeteve, riparimin e tyre dhe karburant. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se tregtia dhe riparimi i automjeteve po rezulton më fitimprurës se vitin e kaluar. Kështu, sipas analizës së të dhënave gjatë tremujorit të dytë të këtij viti niveli i shitjeve me pakicë në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” ka shënuar një rritje prej 5.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Efektet e krizës ekonomike globale duket se nuk kanë lënë ndonjë gjurmë të dukshme në këtë sektor. “Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit paraardhës indeksi i volumit të shitjeve në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve” është rritur 6.3 për qind”,- thuhet në analizën e specialistëve të INSTAT-it për Indeksin e Tregtisë me pakicë. Shifrat tregojnë një ecuri pozitive në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti është vënë re një stepje në blerje dhe konsum. Gjithsesi, shifrat e shpenzimeve për riparim automjetesh dhe blerje të reja mbeten ende të larta për një vend me një popullsi të vogël si Shqipëria. Indeksi i volumit të shitjeve në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 3.2 për qind. “Brenda grupit “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” në grupin “Tregtia me pakicë e karburanteve”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e dytë 2009 është ulur 7.1 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës”, - theksohet në analizën e të dhënave të publikuar dje nga Instituti i Statistikave. Pozitive në këtë sektor rezulton të jetë edhe hapja e vendeve të reja të punës. Kështu, sipas të dhënave për tremujorin e dytë të këtij viti, indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” arriti 174.1 për qind kundrejt vitit bazë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky indeks është rritur 1.6 për qind. “Në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i punësimit në tremujorin e dytë të këtij viti arriti 180.2 për qind kundrejt vitit bazë me rritje 13.7 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar”, - theksuan ekspertët e INSTAT-it. Në krahasim me pjesën tjetër të botës, edhe në këtë pikë duket se kriza ekonomike la shumë pak efekte. Prodhuesit e makinave luksoze në vende të ndryshme po përballen me vështirësi të shumta teksa parashikohet që shitjet të ulen ndjeshëm gjatë këtij viti, si pasojë e krizës globale. Pasojat e recesionit u vunë re edhe gjatë panaireve të fundit. Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit u ekspozuan makina më të vogla, ekonomike dhe që nuk ndotin ambientin. Sipas të dhënave të fundit nga industria e makinave, shitjet e automjeteve të shtrenjta kanë rënë me 40 për qind vetëm muajt e parë të vitit 2009. “Nuk bëhet më fjalë për të arritur rekorde të reja, por për të ruajtur emrin e markës, për ta mbyllur pozitivisht vitin 2009, që do të thotë ruajtja e investimeve për modelet e reja gjatë viteve të ardhshme”, është shprehur pak kohë më parë shefi ekzekutiv i gjigandit Lamborxhini. Sipas tij, tregu është çorientuar deri në atë masë saqë edhe personat, të cilët kishin porositur modelet e reja të kësaj firme, ishin tërhequr, duke mos i blerë ato.

Karburantet

Konsumi i karburanteve në vend është rritur ndjeshëm gjatë shtatë muajve të parë. Sipas burimeve të Drejtorisë së përgjithshme të Doganave, u zhdoganuan 236 mijë ton karburante ose mbi 186 mijë ton më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat në buxhetin e shtetit llogariten 13.7 milionë lekë, kurse gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2008 u zhdoganuan 217,802 ton karburante, ndërsa të ardhurat 14,9 milionë lekë. Shkak është bërë rënia e çmimeve në bursa.

Transporti

Shtrenjtimi i karburanteve ka sjellë rritjen e kostos së jetesës. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se gjatë muajit të kaluar, indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 1.1 për qind. Shkak është bërë rritja e çmimit të naftës dhe benzinës në vendin tonë. Sipas ekspertëve të INSTAT-it, gjatë muajit gusht, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 3.3 për qind dhe çmimi i benzinës 3.4 për qind kundrejt muajit korrik të këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›