Shqiptarët shpëtojnë ekonominë e Maqedonisë

Po vijnë mërgimtarët duke u konsideruar si shpëtimtarë të krizës ekonomike. Sipas ekspertëve për çështje ekonomike, afër 1 miliardë euro janë të hyrat nga kurbetçarët në Maqedoni dhe nga këta 90 për qind janë shqiptarë.
Qeveria e Maqedonisë në kuadër të rebalancit të buxhetit pothuajse për çdo vit parasheh mbulimin e një pjese të dobësive të buxhetit, nga paratë e dërguara nga jashtë apo të ashtuquajturat remitenca.
Nga fillimi i këtij muaji ka nisur ardhja e fluksit të kurbetçarëve dhe se paratë e tyre të sjella do të mëkëmbin qarkullimin ekonomik dhe derdhjen e sasive të konsiderueshme të devizave.
Paratë e mërgimtarëve janë shumë të rëndësishme për konsumin e ekonomive familjare në Maqedoni.
“Kurbetçarët janë shpëtimtarë për vendin tonë dhe kjo ka ndikim shumë të madh.
Afër 1 miliardë euro janë të hyrat nga ta dhe këtë e ka të njohur edhe Qeveria dhe institucionet e tjera financiare”, ka theksuar eksperti për çështje ekonomike dhe ish-ministri i financave, Xhevdet Hajredini, duke shtuar se me këto mjete për çdo vit financohet deficiti buxhetor.